Ilustrim | Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor rrezikon të bllokojë shumë projekte kapitale në kryeqytet
Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor ka sjellë një situatë të rëndë në shumë projekte në kryeqytet, pasi shumë operatorë i kanë lënë pezull punimet.
Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës Krenar Xhaferi ka thënë se këto shqetësime i kanë ngritur edhe tek Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik si dhe kërkon reflektim nga niveli qendror për këtë situatë.
“Jemi duke u ballafaquar me një situatë të pazakontë. Ka disa javë që kemi ngritur shqetësimet tona në të gjitha nivelet, nga KRPP-ja si organ më i lartë, ku duhet të filloj reflektimi, deri në nivelin qendror – në Qeverinë e Kosovës. Jemi në konsulta të vazhdueshme me shumë ekspertë por deri tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim”, ka shkruar Xhaferi.
Xhaferi thotë se si komunë, nuk kanë fuqi për të ndërhyrë në kontrata, lidhur me problemin e rritjen së çmimeve.
Ai potencon se ka rritje 100% të betonit, armaturës, çimentos e shumë materialeve tjera ndërtimore.
“Kemi ngritje mbi 100% të bitumenit, armaturës, çimentos dhe shumë materialeve të tjera ndërtimore. Kjo mund të reflektohet në shkëputje të shumë kontratave, e të cilat mund të jenë me pasoja shumë të mëdha ekonomike. Kjo do të mund të reflektohet edhe në shumë ekonomi familjare”, shtoi tutje ai.
Xhaferi kërkon reflektim sa më të shpejtë të nivelit qendror.
Sipas tij, vetëm qeveria mund të ndërhyjë me vendime për të zhbllokuar këtë ngërç.
“Autoritetet kontraktuese veç e veç nuk kanë fuqi për të ndërhyrë në kontrata. I vetmi organ që mund të ndërhyjë me vendime dhe të reflektoj karshi kësaj situate është Qeveria e Kosovës, e cila duhet shumë shpejtë të marrë vendime, për të zhbllokuar këtë ngërç, në fushën e ndërtimit. Kjo mund të rregullohet shumë shpejtë, brenda ditësh e pasojat e saja, në rast vonese apo mosndërhyrje, mund të jenë shumë të mëdha dhe të paparashikueshme”, shton më tej Xhaferi.
Drejtori i investimeve kapitale tha se mund të propozohet që çmimet bazë të mbështetën në çmimin e bursës, që do vlente për materiale ndërtimore.
“Mund të propozohet që çmimet bazë të mbështeten në çmimet e berzës (bursës), që do të vlente edhe për armaturë, çimento, asfalt etj. Duhet të autorizohet KRPP-ja, si organ më i lartë legjislativ në kuadër të kontraktimeve, që të reflektojë dhe të zgjidhë këtë ngërç shumë të madh ekonomik”, theksoi Xhaferi.
Ai shtoi se ky problem qëndron në të gjitha nivelet e autoriteteve kontraktuese në vend, ku bëjnë pjesë edhe ato të nivelit qëndror.