Prishtina 2023 - Foto: Denis Sllovinja
Raporti për shfrytëzimin e banesave sociale në kryeqytet, ato në ‘Breg të Diellit’ nxisin polemika
Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme ka shqyrtuar raportin e komisionit për verifikimin e shfrytëzimit dhe statusit të banesave sociale në lagjet ‘Bregu i Diellit’ , ‘Fusha e Pajtimit’ dhe ‘Hajvalia’.
Komuna ka formuar një komision i cili ka identifikuar shfrytzueshmërinë e këtyre njësive banesore, derisa ato në lagjen ‘Bregu i Diellit’ tek banesat e Standardit, ku shumë prej tyre ishin ndarë për zyrtarë të komunës, nxitën polemikë dhe kritika nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në lagjen ‘Bregu i Diellit’, komuna e Prishtinës i ka 49 njësi banesore. Këto banesa komuna i posedon si rezultat i një marrëveshje me partneritet publiko-privat mes komunës dhe konsorciumit global ‘The Standard’, sipas kontratës, komuna ka marr 40.03 të objektit.
Ndarja e këtyre njësive banesore është bërë në bazë të rregullores për dhënien e banesave në shfrytëzim me qira i nxjerr nga Kuvendi Komunal në vitin 2006, ku ishin përcaktuar edhe kategoritë që mund të jenë përfitues të këtyre banesave.
Shumica e familjeve janë vendosur në vitin 2007 dhe kanë pasur një kontratë qiraje për 10 vite, të gjitha kanë skaduar në vitin 2017.
Kategoritë që i shfrytëzojnë këto banesa janë: 27 familje shërbyes civil të komunës së Prishtinës, 11 janë ish këshilltarë komunal/asamblistë, 9 familje kategori tjera (të dala nga lufta), pjesëtar policisë, TMK si dhe 3 familje të vendosura nga drejtoria e mirëqenies sociale dhe dy banesa të uzurpuara.
Komisioni ka rekomanduar që menjëherë të bëhet lirimi i dy banesave të uzurpuara, masa që duhet të merren nga inspekcioni dhe drejtoria e pronës.
Po ashtu, të bëhet vlerësim për ata që plotësojnë kriteret për shfrytëzim të këtyre banesave, derisa ata që nuk i plotësojnë t`i lirojnë brenda 30 ditësh.
Nora Kelmendi, asambliste nga LVV ka thënë se në këto banesa nuk janë njerëz me raste sociale por pushtetarë që kanë pasuri.
“Tek banesat e standardit, të gjitha kontratat për këta shfrytëzues kanë skaduar në vitin 2017 dhe shumica e pronave nuk e paguajnë as shumën simbolike të qirasë. Dua t`i përmend edhe përfituesit sepse kjo çështje i përket të kaluarës dhe nuk mund t`i mbyllim sytë. Nëse e shikoni pasurinë e këtyre pushtetarëve që kanë marr këto banesa do pyesni veten se si mund të jetojnë në këto banesa të cilat ishin dedikuar për raste sociale”- tha ajo.
Derisa, Gëzim Sveçla po ashtu nga LVV tha se Kuvendi duhet të shfuqizojë këtë rregullore të turpit.
“Të zgjidhesh nga qytetarët e me pas t’i ndash banesë vetes është e pakapshme dhe e pakuptimtë”- tha ai.
Në banesat tek Fusha e Pajtimit janë të vendosura dy kategori; e banimit social (50 banesa, prej tyre 6 nuk shfrytëzohen) dhe kategoritë e dala nga lufta.
Tek kategoritë e dala nga lufta janë po ashtu 50 banesa, prej tyre 5 janë të lira, dy të lëshuara me qira nga palë të treta dhe një banesë është bashkuar me një tjetër.
Edhe në Hajvali janë të ndërtuara dy objekte që shfrytëzohen nga dy kategori ato të banimit social dhe të dala nga lufta.
Tek ajo e banimit social 7 banesa janë të lira, derisa 43 shfrytëzohen sipas kontratave. Këtu po ashtu është hasur se mirëmbajtja nuk është në nivel dhe ka papastërti të madhe.
Kurse, tek ato për kategoritë e dala nga lufta, të gjitha njësitë shfrytëzohen ashtu si janë dhënë me kontratë.
Komisioni ka rekomanduar që edhe për këto banesa të bëhet verifikim i statusit social të këtyre familjeve.