Rama: Sot u vendos të inicohet projekti parcial për ‘rrugën A’

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se sot është iniciuar projekti parcial për rrugën A.

Sipas tij, kjo rrugë është nga arteriet kryesore për shkarkimin e trafikut.

“Sot, në koordinim me Drejtorinë e Investimeve Kapitale morëm vendim për inicimin e projektit parcial të rrugës “A”, e cila do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut që Prishtina të frymojë më lirshëm”, njoftoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në vitin 2019 ka qenë në plan të filloj ndërtimi i ‘rrugës A’, e cila do lidhte Lagjen e Spitalit, ‘Kalabrinë’ dhe lagjen ‘Mati’, por e gjitha kjo procedurë ishte shtyrë për shkak të ndryshimit të qeverive dhe çështjeve pronësore.

Kurse, në vitin 2021, komuna e kishte futur në projektbuxhet, por nuk ishin ndarë mjetet nga Ministria e Infrastrukturës, e cila do e bashkefinanconte këtë projekt.

Sipas projektit fillestar, bashkë me rrugën pritet të ndërtohet edhe kolektori i ujërave të zeza nga ‘Mati’ në lagjen ‘Kalabria’ projekt ky i lënë në gjysmë për shkak të çështjeve të pazgjidhura pronësore nga ana e Komunës.

Kjo rrugë pritet të ketë kosto deri në 10 milionë euro. në bazë të një memorandumi të komunës me Ministrinë e Infrastrukturës, kjo e fundit do paguajë 6.8 milionë euro, kurse projektimi i rrugës i takon komunës.