Qytetarët e qendrës së Prishtinës protestojnë për pagesën dhe gjobat për parking

Banorë të rrugës “Rexhep Luci” në kryeqytet kanë protestuar për shkak të gjendjes me hapësirat për parkim në këtë rrugë dhe pakënaqësinë me pagesën dhe gjobat nga ndërmarrja komunale ‘Prishtina Parking’.

Violeta Hasani, përfaqësuese e qytetarëve protestues, tha se po paguajnë për ndërmarrjen komunale ende pa u bërë shenjëzimi i parkingjeve.

Ajo shtoi se Kuvendi Komunal nuk i ka njoftuar banorët për dhe me pagesat.

“Qytetarët po paguajnë për ndërmarrjen Prishtina Parking ende pa u shenjëzuar dhe caktuar parkingu për banorët. Ne kemi problem me Kuvendin Komunal që nuk na kanë njoftuar për vendimin që kanë marr. Parking Prishtina vetëm ka krijuar probleme, pasi në këtë zonë po parkohen më shumë bizneset sesa banorët rezident”, tha ajo.

Hasani shtoi se banorët po paguajnë 10 euro në muaj për parking njësoj sikur personat që vijnë nga vende tjera.

“10 euro më muaj po paguajmë për një makinë, për të dytën makinë 35 euro më muaj. Ne nuk duhet të paguajmë, pasi jemi banorë rezidentë. Ky vendim është sjellë pa biseduar me banorët. Në oborrin tonë po na detyrojnë të paguajmë”, shtoi Hasani.

Sipas protestueseve, aktivitete të tilla do ketë edhe ditëve në vazhdim për të kundërshtuar këtë pagesë dhe gjobat nga ndërmarrja “Prishtina Parking” e cila po i barazon banorët rezident me personat që vijnë nga qytete tjera.

Ndërmarrja komunale “Prishtina Parking” ka hyrë në funksion në qershor të vitit 2020, ndërsa zbatimi i pagesa në lagje është duke u bërë aktualisht në zonën 1 që përfshinë qendrën.