Qëndrim Arifi, INPO. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndrim Arifi nga organizata INPO flet për dështimin e projekteve të prokurimit në komunën e Ferizajt

Hulumtuesi nga organizata INPO, Qëndrim Arifi, në debatin Jeta në Komunë ka folur për dështimet e projekteve të prokurimit.

Sipas tij, zyra e prokurimit ka dështuar të i bëjë komisionet e hapjes së ofertave.

“Puna e vazhdueshme e komunës së Ferizajt e argumenton të kundërtën për shembull në vitin 2020 së paku tetë projekte aktivitete të prokurimit janë anulu për shkak se zyra e prokurimit kanë dështuar me i bo komisionet e hapjes se ofertave”, tha Arifi.

Arifi gjithashtu ka theksuar se është bazë e mirë që kompanitë ta padisin komunën dhe përmbaruesi të i merr paratë e komunës.

Tutje, hulumtuesi i INPO-së ka folur edhe për tenderin e komunës për mirëmbajtje të facebook-ut të kryetarit Aliu.

“Edhe pushteti i zotri Aliu është dritë syve. Aliu më shumë punon në aspektin e PR, (marrëdhënie me publikun) nuk mund të lë pa e përmendur që në vitin 2018 ka lidhur kontratë të prokurimit do të thotë mirëmbajtjen e profilit personal të facebook-ut dhe prej zotri Aliu nuk kemi parë asnjëherë deklaratë publike lidhur me këtë çështje”, thotë hulumtuesi.

Në anën tjetër Aliu thotë se publiciteti është punë e tyre, dhe se kjo gjë nuk bëhet për të krijuar imazh.

“Publicitet është puna jonë sepse çdo kund jemi në çdo cep çdo metër katrorë të territorit të komunës së Ferizajt duke punuar dhe publicitet është puna jonë, nuk është puna se dëshirojmë të krijojmë imazh pa qenë”, tha Aliu.

Sipas Arifit komuna e Ferizajt çalon edhe në transparencë financiare, ku sipas tij transparencë financiare nuk do të thotë vetëm takim me qytetarë.

“Komuna e Ferizajt përveç tjerash çaloin shumë edhe në transparencën financiare, pra transparencë financiare nuk mund të nënkuptojmë ne vetëm takimet e qytetarëve edhe pse kësaj here për shkak të pandemisë nuk janë mbajtur fare është lënë një email që ata t’i dërgojnë kërkesa e tyre, por nuk e dim nëse është marrë dikush apo jo”, theksoi Arifi.