Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Provokimi i ‘rrejshëm’, keqinterpretimi i videos me flamurin e UÇK-së në veturë

Një veturë me targa të rajonit të Gjilanit, e cila është parë me një flamur të UÇK-së duke valuar në dritaren e saj, është bërë lajm nga disa media në Kosovë dhe Serbi. Edhe pse këto media kanë publikuar lajme të ndryshme për të njëjtën çështje, e përbashkëta e tyre është se të dyja e kanë quajtur ‘provokim’.

Përderisa media kosovare e ka quajtur provokim nga serbët, ajo serbe e ka quajtur provokim nga shqiptarët, pas tensioneve të natës së 31 korrikut në veri të Kosovës.

Videoja me titullin “Serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së”, e cila thuhet se është xhiruar në disa fshatra të Kllokotit, më 2 gusht është shpërndarë në Facebook nga media Kosova.info.

Në video shihet se si dy djem ndjekin me veturë një veturë tjetër, në dritaren e së cilës valon flamuri i UÇK-së, duke i rënë vazhdimisht borisë derisa ai ndalet. Kur vozitësi i veturës me flamur ndalon veturën dhe hapë dritaren, djemtë e pyesin se cilit nacionalitet i përket, nëse është shqiptar apo serb. Madje ata insistojnë të marrin edhe emrin e tij.

“Nëse je shqiptar të përkrahim, nëse je serb…”, dëgjohet të thotë njëri prej tyre.

Edhe pse në video djemtë nuk vijnë në përfundim se vozitësi është serb, videoja e publikuar nga Kosova.info, është e shoqëruar edhe me një përshkrim, ku thuhet se serbët kanë dalë me flamurin e UÇK-së për të provokuar.

“Në fshatrat e banuara me serbë të komunës së Kllokotit, serbët dalin në rrugë me flamurin e UÇK-së duke provokuar, e më pas duke akuzuar shqiptarët se po i provokojnë, por dy shqiptarë nga komuna së Vitisë e kanë zbuluar këtë situatë dhe e kanë ndaluar serbin duke i marrë edhe flamurin e UÇK-së, më pas i dyshuari është arrestuar nga policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në komunën e Kllokotit në fshatrat Gernçar dhe Verbovcit”, thuhet në përshkrimin e shpërndarë në Facebook së bashku me videon nga Kosova.info.

Kosova.info ka potencuar se vozitësi i veturës me flamur është arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës. Por kjo është mohuar nga ana e Policisë së Kosovës.

“Nuk ka të arrestuar për këtë çështje, kjo nuk është e vërtetë”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

Po ashtu, Policia e Kosovës e ka demantuar informacionin e publikuar nga Kosova.info se vozitësi i veturës, në të cilën valonte flamuri i UÇK-së, është serb.

“Sipas informacioneve zyrtare, personi në të cilën shihet në video është identifikuar. Sipas të dhënave policore personi i cili shihet me veturë dhe flamur është i nacionalitetit shqiptar. Ai është një mërgimtar i cili ka ardhur për pushime në Kosovë”, tha Hashani për KALLXO.com.

Informacioni në lidhje me nacionalitetin e shoferit të veturës me flamur të UÇK-së dhe për arrestimin e tij nuk është konfirmuar me policinë. Por, videoja e publikuar nga Kosova.info është shikuar 224 mijë herë, është pëlqyer nga 1,400 persona dhe është komentuar nga 227 njerëz.

Kjo video, edhe pse është shpërndarë me informacione të rreme dhe jo të sakta, ka nxitur gjuhën e urrejtjes tek njerëzit, disa prej të cilëve kanë fyer në baza etnike në komentet që janë lënë në video. Të tjerë kanë vënë në dyshim informacionin e publikuar nga Kosova.info. Edhe pse kanë kaluar katër ditë që nga publikimi i videos dhe informacionit të pasaktë, i njëjti nuk është fshirë nga Kosova.info duke bërë që e njëjta të vazhdojë të dalë në faqen e njoftimeve te njerëz të tjerë.

Një lajm me një fotografi të një veture me një flamur të UÇK-së, e cila duket e njëjta me atë të publikuar nga Kosova.info, me titullin “Vazhdojnë provokimet, flamujt e UÇK-së në ambientin serb”, është publikuar më 1 gusht edhe nga media serbe Nportal.rs.

Ata e kanë quajtur provokim ndaj qytetarëve serbë që banojnë në Verbovc valëvitjen e flamurit të UÇK-së dhe rënies së burisë nga ‘një grup i shqiptarëve’.

KALLXO.com ka marrë vesh që mërgimtari ka qenë krushqi në një dasmë dhe pjesë e radhës së veturës që kanë festuar rrugës për të marrë nusen.

Video nga Kosova.info dhe lajmi nga media serbe Nportal janë publikuar pas vendosjes së barrikadave në rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për pajisjen e serbëve me një dokument për hyrje-dalje, siç vepron Serbia me kosovarët.

Pas një takimi me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, Kurti mori vendim që zbatimi i reciprocitetit për dokumente personale dhe targa të shtyhet për 30 ditë dhe të fillojë të zbatohet nga 1 shtatori.

Ambasadori Hovenier ka thënë se ai ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i këtyre vendimeve për shkak se ka dezinformim dhe keqkuptim në lidhje me to.