Projekti milionësh për Sheshin "Xhorxh Bush", Rama i përgjigjet Ministrit të Financave: ”Nuk kupton financat dhe ekonominë”

Komuna e Prishtinës ka njoftuar për dhënie të tenderit për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Kryeqytet, të premten, më 30.01.2025.

Vlera e këtij tenderi parashihet të jetë 18 milionë e 162 mijë e 896 euro – sipas të dhënave të publikuara në platformën E-Prokurimi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një Konferencë për media të hënën, më 03.02.2025, ka folur për investimet që do të bëhen sa i përket jetësimit të këtij Projekti në Kryeqytet. 

I pari i Prishtinës deklaroi se në Projektin e ndërtimit të Sheshit “Xhorxh Bush” janë gjashtë hektarë, me rreth 60 mijë metër katrorë të hapësirave. 

“I gjithë sheshi ‘Zahir Pajaziti’, para Grandit deri te Katedralja, pastaj pjesa deri te Biblioteka janë zona të cilat do të trajtohen. Përveç hapësirave publike, kemi edhe kanalizime, kemi edhe hapësira, të cilat do të shfrytëzohen, hapësira të reja si librari, hapësira të cilat do të shfrytëzohen nga Administrata e Kryeqytetit.” – tha Rama. 

Sipas tij, çmimi prej më shumë se 18 milionë euro për këtë Projekt është çmim standard, pasi është Projekt madhor për Kryeqytetin. 

“Nëse kalkulon, për metër katrorë i bie më pak se 280 euro për metër katrorë. Kushdo që e bën këtë kalkulim e sheh që faktikisht janë çmime standarde, çmime normale për një Projekt madhor për Kryeqytetin.” – dekaroi Rama. 

Ndërkaq, ministri i  Financave Hekuran Murati, përmes një shkrimi në Facebook, reagoi për çmimin mbi 8 milionë euro për ndërtimin e këtij Sheshi. 

“18 milionë euro për 400m Shesh? Çka është duke ba kështu LDK-ja në Komunë të Prishtinës?” – kishte shkruar kështu Murati, më 01.02.2024. 

Për këtë reagim të tij, Kryetari i Prishitnës iu kundërpërgjigj ashpër Muratit, duke thënë se Ministri nuk kupton financat dhe ekonominë, prandaj bën këto reagime publike. 

“Njerëz që nuk i kuptojnë financat edhe ekonominë, si për shembull ministri Hekuran Murati bën kësi publikime të kota, ku thotë se ‘Për 400 metra, ku po i hargjoni 18 milionë?’. Pra, një kalkulim i thjeshtë, edhe e sheh se ku po hargjohen këto.” – deklaroi Përparim Rama. 

 Tutje, Kryetari i komunës tha se afati për përfundimin e ndërtimit të Sheshit ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë ka afatin kohor prej 24 muajsh për t’u përfunduar, por që  thotë se mund të kryhet edhe më shpejt. 

“Ky Projekt ka afatin kohor 24 muaj, mirëpo unë mendoj se mund të kryhet edhe më shpejt. Normal e gjitha varet nga kontraktorët, por ky është Plani dinamik 24 muaj, por mendoj që brenda 12 deri në 18 muaj ishte dashtë me përfundu.” – tha Rama. 

Ai  shpjegoi nevojën e ndërtimit të këtij Sheshi, duke thënë se do të ketë ndikim në turizmin e Kryeqytetit, zhvillimin e bizneseve dhe te qytetarët. 

“Kjo është një logjikë e thjeshtë. Qyteti çdo ditë e më shumë po i kthehet qytetarëve të Kryeqytetit dhe po bëhet një stimulim i thjeshtë për një turizëm të  mirëfilltë, ku edhe bizneset kanë shumë më shumë punë se që kanë pasur më parë. Edhe qytetarët e Kryeqytetit kanë më shumë mundësi për takime mes njëri-tjetrit, për art, për kulturë…” – përfundoi Rama. 

Përndryshe, sipas njoftimit të publikuar në platformën E-Prokurimi, për ndërtimin e këtij Sheshi është rekomanduar grupi i Operatorëve Ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”. Data e planifikuar për nënshkrim të Kontratës, nëse nuk do të ketë Ankesa, është 05.02.2025.

Jepet tenderi për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, çmimi mbi 18 milionë euro

Për realizimin e këtij Projekti kanë aplikuar katër Operatorë. Kohëzgjatja e këtij tenderi është maksimumi 360 ditë – siç përshkruhet në Dosjen e tenderit. Procedura e prokurimit për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” ishte pezulluar më 12.09.2024, si shkak i një Ankese nga një Operator Ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit – masë kjo e paraparë me Ligj.

Kështu kishte bërë të ditur vetë Komuna e Prishtinës përmes një komunikate të lëshuar për media, pas raportimeve se ishte pezulluar procesi për shkak të shkeljeve ligjore.

“Dorëzimi i kësaj Ankese në OSHP nga Operatori Ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore a as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me Ligj – pavarësisht nëse Ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një Operator Ekonomik parashtron Ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike.

Kjo është paraparë me Nenin 112, Paragrafi 1 i Ligjit për Prokurim Publik.” – kishte bërë të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet komunikatës së lëshuar më 12.09.2024.

Ndërsa, procedurat për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, kishin nisur në gushtin e vitit 2023. Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij Projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.

Krijimi i një Sheshi të Katedralja ka qenë pjesë e Programit qeverisës të Përparim Ramës i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që Sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri te Posta e Madhe, që më pas lidhet edhe me Xhaminë në Dardani, e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri te Rrethi me flamur në “Ulpianë”.

Krijimi i Sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti – Projekt ky si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën. Plani i mobilitetit i punuar nga Mott MacDonald në vitin 2019 është plan 12-vjecar, që përfshin disa reforma në infrastrukturën e qytetit – përfshirë shtigjet e çiklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj.

Projekti për sheshin ‘Xhorxh Bush’ pritet të kushtojë mbi 18 milionë euro