Projektet milionëshe të investitorëve privatë, cilat janë kompanitë dhe çfarë ndërtime pritet të bëhen në kryeqytet

Në Prishtinë më 20.09.2024 u mbajt konferenca e dytë e investitorëve ‘Prishtina 2030’ lidhur me projektet që komuna kishte shpalosur në janar të këtij viti për të cilat shumë investitorë nga vendi dhe jashtë kanë shprehur gatishmëri për investime pasi buxheti i Komunës nuk mjafton për mbulim të tyre.

Projekte si: Tregu i ri, Tregu i vjetër, revitalizimi i Tulltores, Stacioni i Autobusëve e ai i Pallatit të Rinisë, janë ato që investitorët kanë shprehur gatishmëri për financim.

Kryetari Përparim Rama tha se kjo është ditë monumentale për kryeqytetin pasi po shpalosin projekte madhore që do transformojnë kryeqytetin e të cilat do financohen nga investitorë të ndryshëm.

Tregu i Vjetër

Lidhur me Projektin për Tregun e Vjetër, Ernest Ferizi, biznesmeni nga Zvicra ndau detaje të investimit dhe shndërrimit që planifikojnë të kryejnë aty.

“Është parcela tek ish-Agjencia Kosovare e Privatizimit me rreth 9,900 metër katrorë. Gjelbërimi ka qenë një prej kritereve të komunës, pra të ruhen edhe pemët ekzistuese”.

Sipas tij, barakat do largohen dhe do zëvendësohen me streha të mëdha e të vogla, me mbulesa xhami, llamarine, etj.

“Aty do ekspozohen produkte të ndryshme shtëpiake. Kemi paraparë që projekti të përfundojë për 18 muaj nga nisja e punimeve, derisa investimi është 6 milionë euro”- tha ai.

Pallati i Rinisë

Projekt tjetër i madh që u prezantua në këtë konferencë është ai i zonës komerciale brenda Pallatit të Rinisë.

Këtu pritet që kompania Albi Group të bëjë investim 25-30 milionë euro në pjesën komerciale, duke lënë të paprekur vetëm ëmbëltoren ‘Elida’ e cila është në listë të mbrojtjes.

Fitore Osmani- Haxhiu, përfaqësuese e Albi Group tha se projekti nuk përfshin pjesën sportive të pallatit, por kanë qëllim ta rigjallërojnë komponentin tregtar.

“Për ne ky projekt ka qëllim të ruaj një pjesë thelbësore të trashëgimisë se përbashkët dhe të shndërrojë Pallatin në një Prishtinë moderne. Synojmë ta kthejmë në qendër kulturore dhe komerciale”- u shpreh ajo.

Sipas saj, infrastruktura e brendshme do rinovohet në tërësi, derisa pjesa e jashtme nuk preket.

“Jashtë do i ruhet identiteti. Planifikojmë investim 25-30 milionë euro”- shtoi ajo.

Parku i Shëndetit dhe Mirëqenies

Projekt tjetër milionësh planifikohet të bëhet në periferi të Prishtinës nga Heimerer i cili do quhet ‘Parku i Shëndetit dhe Mirëqenies’.

Ky park që do zë hapësirë deri në 3 hektarë pritet të akomodojë një Central Hub, me zonë për rehabilitim, qendër për shëndet, kopsht, shkollë fillore e të mesme, hotel, restorante, qender fitnesi.

Besa Kabashi- Rama, përfaqësuese e Heimerer, tha se ky është projekt që po ndodh për herë të parë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Fokusi jonë është mirëqenia e qytetarëve, Central hub do ketë tre objekte me 18 mijë metër katrorë”- u shpreh ajo, teksa numëroi aktivitetet dhe objektet brenda këtij Central Hub.

Projekti i Arda Rei në qendër të kryeqytetit

Derisa, në qendër të kryeqytetit, grupi Arda Rei planifikon të ndërtojë objekt shumëkatësh.

Objekti 17 mijë metër katrorë do ndërtohet në kuadër të Sheshit ‘Nënë Tereza’, afër rrugës tek ‘Kafet e Rakisë’.

Arianit Hoxha, përfaqësues i Arda Rei, u shpreh se ky ambient deri tani nuk u ka shërbyer qytetarëve dhe se kanë në plan t’ia rikthejnë kujtesën.

“Hapësira është 4,500 metra katrorë, distanca prej Grand Hotel është diku 50 metra. Për mënyrën si do bëhet objekti jemi bazuar edhe në lartësinë që kanë objektet përreth, etazhitetin që dominon atë hapësirë, pra të kemi objekt në lartësi të njëjtë më hotelin Grand”- bëri të ditur ai.

Sipas tij, projekti mund të pësojë ndryshime sepse ende është në nivel të konceptit.

Projektet që pritet të financohen me pjesëmarrje të investitorëve vendas dhe të jashtëm kanë qenë pjesë e programit qeverisës së kryetarit Përparim Rama.

Ai në vazhdimësi ka deklaruar se për realizim të tyre do tentojë të marrë kredi, fonde ose partneritete publiko-private.

Konferenca e Investitorëve për financim të projekteve milionëshe në Prishtinë, Përparim Rama ndan detaje