Kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës

Projektet dhe problemet që pritet të trashëgojë kryetari i ardhshëm i Prishtinës

Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave pritet të mbahen më 17 tetor. Komuna për të cilën zhvillohet betejw dhe merr vëmendje më e madhe, është kryeqyteti, Prishtina.

Deri tani të gjitha partitë politikë kanë dal me kandidatët me të cilët synojnë të marrin qeverisjen e kryeqytetit.

Edhe këto palë zgjedhje nuk kanë ndonjë kandidate grua për kryeqendrën.

Kandidatët që pritet të jenë në garë kundër njëri-tjetrit për Prishtinën janë: Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Alenanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selim Pacolli nga Alenaca Kosova e Re.

Të gjithë kandidatët e lartpërmendur, përpos kandidatit nga radhët e LDK-së, kanë qenë të përfshirë në politikë, lokale dhe qendrore.

Prishtina është ndër komunat më sfiduese për t’u qeverisur, pasi është qytet që ka ndërtim të madh dhe është kryeqendra e të gjitha institucioneve të Republikës, duke mos lënë anash edhe numrin më të madh të popullsisë që rrjedhimisht ka kërkesën më të madhe për shërbime.

Kryetari aktual, Shpend Ahmeti po kryen mandatin e tij të dytë në kryeqytet, e pas vetës pritet të lë shumë projekte e probleme që do trashëgojë një nga kandidatët e lartpërmendur.

Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës pritet ta ketë buxhetin mbi 90 milionë euro në bazë të shqyrtimit të parë që u zhvillua në muajin korrik.

Komuna gjatë këtij mandati ka nisur punime dhe hartuar projekte që pritet të përfundojnë në vitet e ardhshme.

Disa prej projekteve më të mëdha që u hartuan dhe tenderuan në mandatin e Shpend Ahmetit dhe pritet të përurohen në mandatin e kryetarit të ardhshëm janë:

Unaza e brendshme e qytetit, projekt ky që ka disa vite që është duke u përmendur dhe komuna tashmë ka rregulluar marrëveshjen me Bakën Evropiane për Zhvillim që pritet të financojë këtë projekt i cili do kushtojë mbi 120 milionë euro. Unaza pritet të ketë shtrirje rreth 26 kilometra dhe një pjesë e madhe e parave do nevojiten edhe për shpronësime.

Komuna ka hartuar edhe projektin për këtë rrugë i cili pritet të dal në diskutim publik për 120 ditë dhe pastaj të futet në procedurë të tenderimit.

Sipas të dhënave nga komuna, përfundimi i saj është në plan për vitin 2023.

Kushdo që merr qeverisjen e Prishtinës në mandatin e ardhshëm, mëtohet ta pres shiritin e këtij projekti të punuar nga qeverisja aktuale.

Përpos këtij projekti, komuna ka lidhur marrëveshje edhe për ndërtim të katër shkollave me Partneritet Publiko Privat (PPP) bashkë me Bankën Botërore nëpër disa lagje të qytetit.

Shkollat janë dizajnuar nga një firmë italiane dhe pritet të jenë me standardin më të lartë.

Këto shkolla pritet të ndërtohen në lagjet ‘Abëria’, ‘Mati 1’, ‘Veternik’ dhe ‘Sofali’.

Projekt tjetër i hartuar në këtë mandat është renovimi i Sallës së Sportit në Pallatin e Rinisë i cili për 20 vite ka qenë në menaxhim të AKP-së, ndërsa në vitin 2018 ka kaluar në pronësi të Komunës.

Renovimi i  Sallës së Madhe, pritet të këtë kosto deri në 15 milionë euro. Komuna ka planifikuar që këtë investim ta kryejë përmes ndonjë granti ose kredie.

Komuna po ashtu ka filluar procedurat për ndërtimin e dy tregjeve të qytetit ‘Tregu i vjetër’ dhe ‘Tregu në lagjen ‘Ulpiana’.

Tashmë ka hartuar projektet dhe ka zgjedhur kompanitë që do kryejnë punimet, por puna ka stagnuar pasi këto tregje janë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP ) dhe komuna nuk është marr ende vesh më këtë të fundit.

Projekt tjetër i madh është edhe ndërtimi i Parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik, ku punimet nëntokësore pritet të kryhen para përfundimit të mandatit të Shpend Ahmetit, por punimet në hapësirën mbi parking pritet t’i përurojë kryetari i ardhshëm.

Parkingu nëntokësor

Një projekt tjetër i madh pritet të jetë edhe ai për ngrohjen me panele solare.

Ky projekt pritet të shfrytëzohet për shtrirje të rrjetit të ngrohjes në lagjet periferike të kryeqytetit, pasi ‘Termokos’ nuk ka kapacitete të tilla.

Sipas të dhënave të Komunës, ky pritet të jetë ndër projektet më të mëdha në Evropë.

Panelet solare pritet të vendosen në prona të komunës së Obiliqit, ndërsa implementimi i tij mund të marr kohë deri në katër vite.

Komuna e Prishtinës po ashtu ka bërë edhe dizajnimin e Sallës Koncertale e cila pritet të bëhet në ish objektin e shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’.

Salla Koncertale ‘Gërmia’

Sipas Komunës, procedurat e tenderimit për këtë sallë janë në plan të fillojnë në fund të këtij viti.

Komuna e Prishtinës bashkë me Bankën Botërore dhe fondet e MCC-së, kanë planifikuar të bëjnë renovimin e pesë soliterëve në lagjen ‘Ulpiana’. Deri tani, nga Komuna janë zhvilluar pothuajse të gjitha procedurat dhe ka mbetur vetëm zgjedhja e dizajnit të llamarinës që do përdoret në soliterë dhe nisja e procedurave të prokurimit. Projekti pritet të marr fund në vitin 2022.

Një projekt tjetër që pritet të trashëgojë qeverisja e ardhshme, është edhe ndërtimi i Xhamisë së Madhe në lagjen ‘Dardania’.

Ky projekt është financim i Turqisë dhe pritet të ketë kosto deri në 40 milionë euro.

Projekt tjetër i madh infrastrukturor pritet të jetë edhe ndërtimi i tunelit 300 metra në rrugën ‘Agim Ramadani’, përmes tij komuna ka planifikuar të bëjë bashkë zonën e re dhe të vjetër të qytetit.

Projekti tashmë është futur në procedura të prokurimit dhe pritet të ketë kosto deri në 2.8 milionë euro.

Një projekt tjetër që është përfolur shumë, është ai ndërtimit të ‘Rrugës A’, i cili do bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, kurse bashkë më të pritet të ndërtohen edhe kolektorët e ujërave të zeza në lagjen ‘Mati 1’ dhe ‘Kalabria’.

Tjetër projekt i mbetur i Komunës që pritet të vazhdohet nga qeveria e ardhshme, është edhe hartimi i Planit të Mobilitetit që pritet të marrë kohë më shumë se 10 vite.

Gjatë këtij viti, komuna ka planifikuar të shtojë flotën e transportit publik me 30 autobusë të tjerë nga 51 sa janë deri tani.

Këta autobusë pritet të blihen me një kredi nga Banka Botërore dhe në mesin e tyre 6 autobusë do jenë elektrik.

Komuna e Prishtinës gjithashtu gjatë këtij viti ka ndarë 500 mijë euro për ndërtimin e një pishine gjysmë olimpike prej 25 metrash në lagjen ‘Dardania’. Kjo pishinë pritet të shërbejë për të gjithë nxënësit e qytetit.

Në vitin 2021 Prishtina po ashtu ka në plan të përfundojë ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen ‘Veternik’.

Tjetër projekt i Komunës është edhe ndërtimi i qendrës për Down Sindrom (i cili është në proces) dhe Qendrën Strehimore për komunitetin LGBTI+.

Disa nga problemet shtesë në kryeqytet

Përpos projekteve të lartpërmendura, një pjesë prej të cilave janë në punim e sipër dhe disa prej tyre të hartuara, qeverisja aktuale do lë edhe shumë probleme të pazgjidhura në duar që qeverisë që pritet të vijë.

Ndër kryesorët dhe më problematikët po konsiderohet të jetë Plani Zhvillimor Urban për tetë vitet e ardhshme.

Komuna e Prishtinës e ka bërë hartimin e këtij plani dhe deri tani ka mbajtur dy diskutime publike, por shumë parti të Kuvendit Komunal janë shprehur kundër votimit të këtij plani në muajin e fundit të qeverisjes dhe konsiderojnë se një plan kaq i gjerë, duhet të lihet në duar të qeverisë së ardhshme e jo të kalojë tani pa u diskutuar në detaje.

Problem tjetër më të cilën janë përballur vazhdimisht qeverisjet e kryeqytetit, është ai i legalizimit të ndërtimeve pa leje.

Komuna nga viti i kaluar ka hapur thirrjen për legalizim të ndërtimeve që janë bërë deri në vitin 2018, kjo thirrje pritet të  jetë e hapur deri në muajin shtator.

Pas mbylljes së kësaj thirrjeje, Komuna do fillojë të shqyrtojë kërkesat e banorëve dhe ndërtimet që duhet të legalizohen dhe ato që nuk e kalojnë këtë proces.

Ndërsa, zvarritjen e punimeve në rrugët ‘Agim Ramadani’ dhe ‘Muharrem Fejza’ do i duhet ta menaxhojë edhe qeverisja e ardhshme, kjo pasi janë shfaqur vonesa në kryerje të punimeve nga ana e operatorëve të tjerë si KEDS, Termokos, Ujësjellësi, dhe kompani tjera që bëjnë shtrirje të rrjetit në këto zona.

Punimet në rrugën ‘Agim Ramadani’ kanë mbetur pa përfunduar në tërësi pasi Komuna nuk e ka pranuar kualitetin e punës së bërë nga operatorit ekonomik.

Kolektorët e ujërave të zeza në lagjet ‘Mat’ dhe ‘Kalabria’ po ashtu kanë mbetur çështje e pazgjidhur dhe më ketë problem do merret qeverisja e ardhshme e qytetit.

Foto: Kallxo.com

Komuna ka përfunduar punimet vetëm në njërën pjesë të këtij kolektori, por punimet kanë mbetur në gjysmë për shkak të problemeve pronësore dhe pagesës së madhe që ka kërkuar pronari i tokës.

Kryetari i ri do duhet të merret edhe me funksionalizim e plotë të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’, kjo për arsye se në disa zona, ka refuzim nga parkingjet private që të futen në menaxhim të saj dhe mosmarrëveshje lidhur me pagesën që është e ndarë në tre zona.

Deri tani janë vënë në funksion parkingjet e ndërtuara në hyrje dhe qendër të qytetit, ndërsa problemet janë kryesisht tek parkingjet a banesave kolektive.

Qeverisja e ardhshme në Prishtinë po ashtu do përballet edhe me problemin shumë vjeçar të pronave të uzurpuara nga bizneset në Zonën Industriale të qytetit.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, janë 37 parcela me rreth 6 hektarë tokë që shfrytëzohen nga bizneset pa paguar asgjë për Komunën.

Sfidë tjetër për qeverinë e re të Prishtinës, do jetë edhe formimi i një drejtorie të Policisë së Kryeqytetit.

Në Ligjin për Prishtinën thuhet se kryeqyteti ka të drejtë të ketë polici që operon vetëm në territor të kryeqytetit.

Deri tani nuk ka diçka konkrete, pasi ndryshimet në Ligjin për Policinë duhet të kryhen nga Ministria e Punëve të Brendshme, ky ligj më pas shkon për votim në Kuvendin e Kosovës.

Përpos Policisë, me ligjin për Prishtinën, kryeqyteti ka të drejtë të ketë edhe spitalin e vet, por deri tani komuna nuk ka nisur ende këto punime dhe mbetet që qeverisja e re të plotësojë këto mangësi.

Një pjesë e projekteve të lartpërmendura kanë mbetur pezull për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit i cili është pa Bord që disa muaj dhe si pasojë qindra projekte kanë mbetur pa trajtim të ankesave.