Programet e kandidatëve që synojnë udhëheqjen e Prishtinës

Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave pritet të mbahen më 17 tetor, ndërsa komuna e cila merr vëmendjen më të madhe, është kryeqyteti, Prishtina.

Disa nga partitë politikë po garojnë me kandidatët dhe programet me të cilët synojnë të marrin qeverisjen e kryeqytetit.

Kandidatët që tashmë jenë në garë kundër njëri-tjetrit për Prishtinën janë: Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

Më poshtë, bazuar në renditjen alfabetike të emrave të kandidatëve, gjeni disa nga pikat më të veçanta që këta kandidat kanë shpalosur në programet e tyre me synim për të marrë drejtimin e kryeqendrës.

Programi i kandidatit të LVV-së, Arben Vitia

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Vitia është i fundit që u bë pjesë e fushatës pasi ishte i angazhuar në pozitën e ministrit të shëndetësisë.

Vitia ka qenë pjesë e qeverisjes në Prishtinë edhe në mandatin e parë të kryetarit Shpend Ahmeti, duke mbajtur pozitën e drejtorit në Drejtorinë e Shëndetësisë.

Moto e fushatës së tij është “Të ecim Prishtinës”.

Si pjesë të projekteve në infrastrukturë dhe urbanizëm, kandidati Arben Vitia planifikon ‘Pedonalizm të Prishtinës’, lidhjen e lagjeve me qendrën përmes platformave ndërlidhëse (Lidhja e Arbërisë me qendrën dhe Kalabria me Dardaninë).

Po ashtu, kolektori në lagjen ‘Kalabria’ dhe ‘Rruga A‘ të përfundohen.

Projekte tjera janë edhe ndërtimi i parqeve nëpër qytet (një park të madh prapa Pallatit të Rinisë, një te Fakulteti Teknik dhe në Mati 1) po ashtu 8 parqe të vogla.

Vitia po ashtu ka në plan zgjerimin e rrjetit të ngrohtores ‘Termokos’ nëpër zonat ku ka dendësi të banorëve dhe simulim i ngrohjes me burime jo të dëmshme si dhe restaurimin dhe lyerjen e banesave të vjetra.

Vitia gjithashtu në programin e tij parasheh ndërtimin e 300 njësive të banimit me programin e banimit të përballueshëm, me kosto deri 10 milionë euro.

Projekt tjetër infrastrukturor është lidhja e re në autostradë te zona industriale në hyrje të Fushë Kosovës si dhe projekti i unazës së brendshme dhe asaj qendrore.

Vitia tutje planifikon zgjidhje edhe për nyjën te Xhamia e Llapit që lidh lagjet Kodra e Trimave, Tophane, Medrese dhe Arbëri.

Vitia shton se do shtyjë përpara legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Kandidati i LVV-së po ashtu la në plan të dyfishojë hapësirat për këmbësorë në qendër të qytetit, ndërtim të parkingjeve të reja, renovim i tregjeve ekzistuese dhe ndërtim të tregjeve të reja.

Në fushën e shëndetësisë, Arben Vitia në programin e tij prioritet e ka ndërtimin e Spitalit të Qytetit, shtimin e psikologëve në shkolla dhe digjitalizim të mëtejshem në qendrat mjekësore familjare.

Sa i përket arsimit, Vitia në program parasheh ndërtimin e një shkolle të mesme profesionale të specializuar në fushën e IT-së dhe pesë shkollave tjera.

Ndërtim i pesë çerdheve të reja në qytet dhe ndërtim i çerdheve në secilin fshat që ka mbi 100 fëmijë deri në moshën 6 vjeçare.

Gjithashtu, digjitalizim të shkollave, furnizim me mjete teknologjike dhe një ndërrim në të gjitha shkollat.

Sa i përket ambientit, Arben Vitia në programin e tij qeverisës planifikon mbjelljen e 2 milionë drunj në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit si brez i gjelbër që ndan këto dy komuna me termocentralet, pastrimin e lumenjve (ndarje e ujërave të zeza nga ato atmosferike) si dhe reforma në menaxhim të mbeturinave(të futen në regjistra digjital shportat e mbeturinave dhe orar i përcaktuar për bartje).

Kandidati i LVV-së gjithashtu planifikon rigjallërimin e qendrës historike të qytetit, ndërtim të qendrave rinore dhe kulturore në disa lagje si dhe qendër kreative tek ish tulltorja e qytetit.

Po ashtu, krijim i vendeve me shpejtësi të madhe të internetit në zonat më frekuentim të madh, që do jenë me internet falas dhe ndarje të 500mijë euro grante të veçanta për startup-e.

Në fushën e sportit, Vitia planifikon të bëjë renovim e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ndërtimin e pishinës olimpike dhe ndërtim të stadiumeve të reja.

Vitia potencon se do ndërtojnë qendrën e grumbullimit në shërbim të 1 mijë fermerëve të Prishtinës dhe do lejojë qytetarët të bëhen pjesë e planifikimit të buxhetit.

Programi i kandidatit të AKK-së, Daut Haradinaj

Nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidat për udhëheqjen e Prishtinës është Daut Haradinaj.

Me moton “Puna marë” Haradinaj filloi shpalosjen e programit nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Si projektet më të mëdha infrastrukturore në program, ai planifikon ndërtimin e Spitalit të kryeqytetit, unazën e madhe, hapjen e një tregu modern dhe renovim të atyre ekzistuese.

Disa nga projektet që e dallojnë programin e Haradinajt janë ndërtimi i një teleferiku tek shkallët e lagjes “Arbëria” dhe vendosja e yjeve “Walk of Fame” në sheshin e qytetit.

Kandidati nga radhët e AAK-së, po ashtu planifikon reformë në administratën e komunës, digjitalizim për të gjitha shërbimet, në mënyrë qytetarët të mos presin për marrje të dokumenteve.

Haradinaj gjithashtu planifikon ta implementojë në tërësi ligjin për Prishtinën, duke krijuar drejtorinë e Policisë për kryeqytet që parashihet me këtë ligj.

Si të gjithë kandidatët tjerë edhe Haradinaj planifikon përfundimin e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” i cili ka mbetur i papërfunduar për shkak të problemeve pronësore të komunës me pronarin.

Ai gjithashtu në program parasheh ndërtimin e 10 fabrikave që do jenë të natyrës së tekstilit dhe përpunimit dhe ndërtim të zonës industriale në lagjen “Kodra e Trimave”.

Sipas Haradinajt në qeverisjen e tij, Komuna do të mbulojë shpenzimet e ceremonive mortore të qytetarëve në vlerë prej 500 euro, si dhe do të mbulojë shpenzimet për një drekë mortore të familjes. Në vlerë të shumës 50,000 euro do të mbulohet rregullimi i morgut, te varrezat e Prishtinës.

Ai po ashtu ka në plan ndërtimin e obeliskut “Hyjnesha në fron” dhe themelimin e një zyre për vlera kombëtare.

Lidhur me zgjerimin të ngrohjes, Haradinaj planifikon përdorimin e gazit në rast se ka zgjerim të termokosit dhe përdorim të paneleve solare në objekte komunale dhe ndriçim publik.

Daut Haradinaj potencon se do përkrah fermerët ku produktet e tyre do lirohen nga një pjesë e tatimit.

Këto produkte do të shënjohen me etiketën “038 City” dhe gastronomët që do furnizohen me to, do të kenë lehtësira nga Komuna.

Ai po ashtu planifikon vendosjen e radarëve automatik dhe vendosjen e kamerave Smart për të ndikuar në rritjen e sigurisë.

Në fushën e arsimit Haradinaj në programin e tij planifikon ta themelojë Çmimin Vjetor për Veprimtari Jetësore në Fushën e Arsimit Kombëtar “Ernest Koliqi”, për mësimdhënësen/in e dalluar, por edhe për veprimtari edukative-arsimore në emancipimin e brezave.

Mësimdhënësi/ja që do të marrë këtë çmim, do të vlerësohet nga një këshill profesional, i cili do të hartojë rregulloren në bazë të së cilës do të ndiqen procedurat e dhënies së këtij çmimi, që përveç dekoratës, do ta ketë edhe një shumë prej 2,000 eurove.

Ai gjithashtu planifikon Lap top për secilin nxënës nga klasa e 6-të.

Në fushën e sportit, Haradinaj ka në program renovimin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ndërtimin e Pishinës Olimpike dhe ndërtim të palestrave multifunksionale. Gjithashtu ndërtimin e një parku të argëtimit në periferi të Prishtinës.

Haradinaj planifikon që në parkun Liria në ‘Arbëri’ të mbillen mbi 13 mijë fidanë, në shenjë kujtimi për qytetarët që humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë.

Si kandidatët tjerë edhe Haradinaj ka në plan t’i jap zgjidhje problemit me qentë endacak, problem ky permanent i qytetarëve të Prishtinës.

Programi i kandidatit të AKR-së, Gëzim Mehmeti

Aleanca Kosovare e Re këtë mandat përfaqësohet me Gëzim Mehmetin i cili zëvendësoi Selim Pacollin, kandidatura e të cilit nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Mehmeti aktualisht është pjesë e qeverisjes në Prishtinë dhe mban pozitën e drejtorit të Planifikimit Strategjik dhe Menaxhimit të Kontratave.

Me moton “Gëzimi jonë” Mehmeti konsideron që “Smart City” është zgjidhja për Prishtinën.

Revitalizim i Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve.

Sipas tij, përmes digjitalizmit dhe krijimit të inspektimit elektronik, fokus do jetë transparenca, bashkëqeverisja me qytetarin dhe monitorimi i përbashkët në secilin aktivitet të komunës, përfshirë konkurset për punë.

Si kandidatët tjerë edhe Mehmeti planifikon ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” dhe ‘Rrugën A’, e cila sipas tij, shpejt do dërgohet në prokurim.

Ndërsa, fillimin e ndërtimit të katër shkollave, ai e premton për muajin janar të vitit 2022.

Në programin e tij për qeverisjen në Prishtinë, kandidati Mehmeti planifikon ndërtim të banesave me kosto të përballueshme në Bërnicë, për të gjitha kategoritë.

Ai po ashtu planifikon ndërtimin e një instituti të bletarisë pasi në Kosovë ende nuk ka një të tillë.

Mehmeti planifikon ndërtim të sa më shumë parqeve dhe palestër sportive te ish Tulltorja në Prishtinë.

Programi i kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili

Kanditati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili është i pari që filloi fushatën për kryetar duke qëndruar nëpër lagje të qytetit për siç tha ai, ‘kuptuar problemet me të cilat përballen banorët’.

Ish ministri i Shëndetësisë ka marr komente të shumta për fushatën e renovimeve nëpër lagje të ndryshme.

Moto e tij e fushatës është ‘Prishtina na bashkon’.

Ismaili në programi e tij qeverisës ka në plan t’i jap më shumë hapësirë këmbësorit dhe çiklistëve me ndërtim të sa më shumë shtigjeve, si projekt i madh është ndërtimi i rripit të gjelbër (ecja në këmbë ose biçikletë) nga rrethi i flamurit deri në Gërmi.

Shtigje çiklizmi nëpër lagje dhe transport publik falas për të gjithë qytetarët e komunës dhe parking për çdo familje.

Uran Ismaili gjithashtu planifikon zgjerim të rrjetit të ndriçimit dhe zgjerim të ngrohjes qendrore përmes paneleve solare.

Një nga projektet kryesore të kandidatit të PDK-së është ndërtimi i parkut qendror të Prishtinës.

Ismaili po ashtu ka në plan ndërtimin e parkut për qentë si një nga mënyrat për menaxhimin e tyre.

Ai planifikon gjithashtu të legalizojë ndërtimet pa leje, të rregullojë orarin e mbledhjes së mbeturinave me blerje të pajisjeve të reja dhe digjitalizim, si dhe trajtim të ujërave e zeza.

Gjithashtu, reformim në mënryën e këmbimit të pronës private me atë komunale.

Në fushën e arsimit Ismaili planifikon të bëjë digjitalizim të shkollave, ndalim të marrjes së ushqimit nga ambientet jashtë shkollës, orë të gatimit në çdo shkollë fillore të paktën një herë në muaj dhe ndërtim të çerdheve në lagjet ku ka nevojë.

Në fushën e shëndetësisë, prioritet i planit qeverisës të Ismailit është ndërtimi i Spitalit të Prishtinës që do të ketë 200 shtretër dhe mbi 200 profesionistë shëndetësorë.

Planifikim dhe implementim i konceptit “Mjek për çdo familje” ku për çdo 2,000 banorë do të ketë një ekip mjekësor.

Sa i përket sportit, Uran Ismaili planifikon rifunksionalizim dhe rigjenerimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ndërtimin e pishinës olimpike, stazës për motokros dhe gara.

Programi i kandidatit të LDK-së, Përparim Rama

Kandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama i cili nuk ka përvojë të mëhershme politike, për qeverisjen në Prishtinë ka shpalosur disa projekte të mëdha.

Rama fushatën e tij e nisi duke thënë se Prishtina duhet të njihet si qytet me karakter unik në botë e jo si simbol i kaosit urbanistik, ndërtimet e egra, komunikacion të dendur, gropa të thella e ambient të ndotur.

Ai vazhdimisht në prezantimet e tij ka deklaruar se nuk do merret me politikë, por do menaxhojë Prishtinën.

Moto e tij e kësaj fushate është që Prishtina të karakterizohet praktike, e pastër dhe si qytet i përjetimeve.

Rama në programin e tij për infrastrukturën ka synim që të bëjë sa më shumë lirim të hapësirave publike, këtë ai e projekton si në vijim:

Këmbësorët të parët, biçikletat e trotinetet, bashkë me trafikun urban të dytët, kurse makinat të fundit. Gjithashtu, orientim të trafikut jashtë unazës qendrore dhe promovimin e çiklizmit.

Ndër projektet kryesore është ‘Ridefinimi i Qendrës’ duke lidhur Bulevardin “Nënë Tereza” me “Qytetin e Vjetër të Prishtinës” krijimi i “Sheshit historik të Prishtinës” si shëtitore kulturore që ruan kujtesën e qytetit të vjetër; kjo lidhje do të vazhdojë deri në afërsi shkollës së mesme “Ali Sokoli”, saktësisht deri te rrethi që ndryshe njihet edhe si ‘Rrethi i Flamurit’.

Zona qendër, sipas Ramës, nuk do jetë vetëm pjesa e sheshit “Nënë Tereza”, por e gjithë rruga “Agim Ramadani” që shkon kah qyteti i vjetër, deri te tulltorja te “Xhamia e Llapit”, pastaj nga Pallati i Rinisë, te rrethi i cili lidhet me rrugën për Mitrovicë e shkon për Fushë Kosovë te stacioni i autobusëve, te rrethi flamurit e deri te soliterët.

Rama planifikon që me këtë plan të lidh qendrën me lagjet përreth si Arbëria, Kodra e Trimave, Prishtina e Vjetër, Kodra e Diellit, Lagjja e Spitalit, Kalabria, Emshiri e Stacioni i Autobusëve, nëpërmjet platformave të gjelbra dhe nënkalimeve për vetura.

Rama në programin e tij qeverisës planifikon që t’u jap qytetarëve qasje në qendër për 5 minuta në këmbë.

Kandidati nga radhët e LDK-së po ashtu synon të bëjë konservim dhe rigjenerim të pikave ikonike urbane “retro”, si “Soliterat” (lidhja e tyre me dyqane), “Kurrizi”, “Qafa”, si dhe ndërtesat ikonike si “Pallati i Rinisë”, “Biblioteka Kombëtare” dhe “Ndërtesa Gërmia”.

Gjithashtu parashihet hapja e një Zyre të Arkitektit të Qytetit, e cila do të ketë kompetenca të zgjeruara për ridizajnimin e qytetit.

Përpos projekteve të lartpërmendura, kandidati nga radhët e LDK-së planifikon zgjerimin e ngrohjes qendrore, ndërtimin e ‘Rrugës A’ dhe përfundimin e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen “Kalabria”, ndërtimin e nënkalimit të veturave nga rrethi i Veternikut deri te Stacioni i Autobusëve.

Përfundimin e parkingut nëntokësor te Agjencia Kosovare e Privatizimit, ndërtimi i parkingut nëntokësor te Posta Qendrore, krijimin e 430 vend-parkimeve të reja në lagjen Ulpiana, dhe vend parkingje të mëdha në 6 pikat kryesore të qytetit.

Sipas Ramës, Plani Zhvillimor Komunal nuk duhet të kalojë në këtë format, pasi ka mungesa të shumta dhe është i bazuar në statistika të vjetra, të viteve 2010-2011, dhe nuk është në përputhje me Planin Hapësinor të Kosovës.

Përparim Rama po ashtu planifikon të kategorizojë bizneset e gastronomisë për rregullimin e orarit të punës, ndërsa problemin e zhurmës ta rregullojë përmes sistemit të senzorëve për zhurmë!

Tutje, në program parashihet ndarja e rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik, përcaktimi i orareve të sakta të grumbullimit të mbeturinave, lirim nga pagesa e shfrytëzimit të transportit publik nxënësit, pensionistët dhe shtresa sociale të ndryshme, largim i kabllove dhe telave dhe instalimi i tyre nën tokë.

Ndërsa, qentë endacak do menaxhohen me krijimin e një parku për qen dhe ndërtimin e një strehimoreje.

Përparim Rama planifikon po ashtu marrje të masave për izolim të banesave dhe kulmet e tyre që tash janë me material azbesti.

Në fushën e arsimit programi i LDK-së parasheh ndërtim të shkollave në lagjet ‘Sofalia’, ‘Kodrina’, ‘Qëndresa’, “Kroi i Njelmët’, ‘Kalabria’, ‘Kodra e Trimave’, dhe një shkollë në lagjen “Prishtina e Re – Qendër” (zona rreth Pallatit të Drejtësisë).

Gjithashtu Rama planifikon që çdo familje që nuk ka mundësi të dërgojë fëmijën në kopsht privat dhe merr më pak se 500 euro në muaj të subvencionohet me 70 euro.

Në fushën e shëndetësisë, Rama plan kryesor e ka ndërtimin e Spitalit të Qytetit.

Në fushën e sportit, kandidati Përparim Rama ka synim ndërtimin e pishinës olimpike të notit; renovimin e palestrës së madhe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, rifunksionalizimin e skiliftit në Parkun e Gërmisë.

Sipas tij, Prishtina do të ketë Akademinë e vet të Sporteve, me hapësira përkatëse për futboll, basketboll, hendboll, tenis, xhudo dhe atletikë.

Në fushën e kulturës, sipas planit të Përparim Ramës Prishtina do ta ketë një Teatër të Qytetit si institucion të ri. Ndërsa teatri për fëmijë dhe të rinj “Dodona” duhet të mbetet i profilizuar si i tillë. Ndërtimi i Galerisë së Qytetit të si dhe Sallën Multifunksionale.

Gjithashtu parashihet krijimi i një muzeu të muhaxhirëve dhe një çezmeje të rrjedhshme me ulëse e drunj zbukurues në Lagjen e Muhaxhirëve.

Kandidati i LDK-së, Përparim Rama thotë se në qeverisjen e tij do të ketë një përqindje më të madhe të grave në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Sipas të dhënave të Komunës, buxheti për vitin 2022 do jetë mbi 90 milionë euro, i cili edhe është planifikuar, ndërsa kryetari i ardhshëm nuk do mund të bëjë shumë ndryshime në destinimin e tij.

Duke shikuar planet dhe projektet për qytetin, qeverisja e ardhshme duhet të planifikojë marrje të kredive ose granteve për shumë prej projekteve pasi kalojnë mundësitë e buxhetit vjetor të Prishtinës.

Po ashtu, vlen të theksohet se shumë prej projekteve që janë në programet qeverisëse të kandidatëve, janë tashmë në hartim ose prokurim, por që do implementohen në mandatin e kryetarit të ardhshëm.