Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Problemet e Vitisë në dy mandatet e Sokol Halitit

Mandatin e tij të dytë në krye të Vitisë, Sokol Haliti e mori duke fituar zgjedhjet në raundin e parë me 52% të votave të qytetarëve të Vitisë.

Vitiasit megjithatë po përballen me disa probleme të vjetra që do duhej t’i zgjidhte ekzekutivi.

 Mungesa e ujit të pijes, problemi i kanalizimit e  politizimi i sistemit arsimor, janë disa nga problemet që u diskutuan në emisionin ‘Jeta në Komunë’ të premten.

Haliti u përball me premtimet e tij që nuk i ka përmbushur jo vetëm në mandatin e  dytë të qeverisjes por edhe në atë të parin.

Ndërtimi i stadiumit,qendrës sportive, shkollës në Pozheran, çerdheve e disa premtime tjera të Halitit u matën nga KRYPOMETRI dhe iu prezantuan të partit të Vitisë.

Për të gjitha këto, i pari i komunës së vogël të anamoravës u sfidua edhe nga asamblistët: Bekim Azizi- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Taulant Haxhiu- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Valbona Haziri- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa të kyqur në Zoom ishte r Florim Brahimi nga organizata ‘Euloc’ në Viti.

Premtimet e pa mbajtura të Sokol Halitit 

 Në debatin “Jeta në Komunë” , Sokol Haliti u përball me fjalët që ia kishte dhënë vitiasve, atëherë kur ia kërkonte votën edhe për një mandat.

I pari i Vitisë kishte premtuar ndërtimin e pesë palestrave sportive dhe stadiumit të Pozhoranit, premtime këto që ende nuk janë realizuar.

Sipas të dhënave të komunës deri më tani në Viti janë ndërtuar tre palestra sportive, ndërsa palestrës qëndrore në Drobesh i janë ndërtuar vetëm muret.

Palestra sportive, Drobesh, Viti.
Pamje me dron, Denis Sllovnja.

Ndërtimi i stadiumit të Pozhoranit, kishte nisur në fillim të vitit 2018 me premtimin për të përfunduar po atë vit. Por që nga ajo kohë, gjithçka çka është ndërtuar, janë  zhveshtoret e këtij stadiumi.

Kryetari Haliti për mos mbajtjen e këtij premtimi u arsyetua me vonesat në procedurat e tenderimit dhe ankesave të kompanive.

“ Vitia e ka një specifikë, ka dy klube në superligën e Kosovës, kur e kam fitu donacionin nga MKRS, si kryetar është dasht të mendoj barabartë për të dy klubet, për të dy stadiumet. Po flas për Stadiumin e Pozhoranit dhe Vitisë. Buxheti i ministrisë ka qenë shumë i vogël, për shkak se ka qenë më i vogël se 800 mijë euro, ka qenë 200 mijë euro, i kemi shtuar ne si komunë, 600 mijë (për stadiumin e Pozhoranit dhe Vitisë). Brenda mandatit do të përfundoj ndërtimin e tyre.”, ka thënë ai.

Haliti kishte dhënë fjalën se do të rriste numrin e drejtoreshave në kabinetin e tij deri në 40%, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Aktualisht në Komuna e Vitisë ka vetëm tre gra drejtoresha nga 10 drejtori në tërësi. 

‘Legjenda’ për shkollën ‘Halil Alidema’ dhe politizimi i arsimit në Viti

Shkolla e vjetër e viteve të 50-ta në Pozheran, kishte qenë vazhdimisht pjesë e diskutimeve në debatet komunale.

Kjo shkollë ishte shpallur e papërdorshme dhe e rrezikshme që nga viti 2012 nga Inspektorati në Viti. 

Por, pavarsisht kësaj nxënësit e Pozheranit vazhduan mësimin në bankat e vjetra, deri në nëntorin e vitit të kaluar kur dridhjet e tërmetit në Viti i kanë çarë edhe më shumë muret e kësaj shkolle. 

Që nga ajo kohë, nxënësit mbajnë mësimin në shkollën ‘Kongresi i Manstirit, dhe jo në objektin e ri, ku kryetari aktual kishte premtuar se do të mbajnë mësimin në shtator të vitit 2017. 

“Ka shkollë të re, shkolla e re vetëm pritet të finalizohet. Buxhet i madh ka qenë për komunën e Vitisë, Ministria e Arsimit ka qenë investitor dhe ia ka bartur Ministrisë së Administratës Publike. Ende nuk është kryer, plani dinamik është tejkalu”, u arsyetua Haliti në debat.

Mirëpo i pari i komunës së Vitisë premtoi që në gjysmë-vjetorin e dytë nxënësit e kësaj shkolle do të ulen në bankat e reja.

“Ne po shpresojmë shumë që pjesën e dytë të vitit shkollor, shkolla të kompetohet, besoj që në gjysmë vjetorin e dytë do të jemi gati”, tha ai.

Në temën e arsimit, Kryetari i Vitisë u përball edhe me çështjen e drejtorëve politik, ku 11 nga 21 drejtorët e insitucioneve arsimore në Viti e pranuar që janë me partinë e kryetarit, Lidhjen Demoraktike të Kosovës.  

Por ‘rreshtimi’ i drejtorëve në parti politike, nuk u pa si një problem për Halitin i cili drejtorët i konsideroi si ‘nderi i arsimit të Vitisë’

 “Nuk qëndron se ne insistojmë në atë. Po ta them një realitet, shumica e tyre janë profesionalistë dhe të kualifikuar. Këta drejtorë është nder që i ka arsimi në Viti. Eja shikoje shkollën e Smirës ka bërë në raport me drejtorin e PDK-së më herët”, theksoi Haliti.

Bekim Azizi asamblist nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se në Viti drejtorë bëhen vetëm anëtarët e LDK-së.

“Të partive tjera as që konkurojnë sepse dihet aty, secili e dijmë kush bëhet drejtor i gjeni edhe njo dy vetë për mu bo tre edhe me kalu konkursin”, tha ai.

Ambulanta në Goshicë, FOTO: KALLXO.com

Mungesa e Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe punësimet familjare në Viti

Përpos problemeve në arsim, hulumtimi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se vetëm 11 nga 38 fshatra të Komunës së Vitisë kanë Qendra të Mjekësisë Familjare.

Haliti fillimisht mohoi këtë gjetje, mirëpo as nuk dha ndonjë numër tjetër në lidhje me sa QMF janë në këtë zonë.

“Së pari duhet të ju korigjojë se nuk janë 11, ne kemi funksionalizuar ambulancën në Remnik, e kemi bërë një të dytë në Pozhoran, nuk qenka llogaritur ajo në Letnica, Skifteraj…”, tha ai.

Sokol Haliti u ballafaqua edhe me punësimet familjare për të cilat është shfrytëzuar fusha e  shëndetësisë .

Adisa Deliu, vajza e asamblistit të LDK-së, Ramadan Deliut është punësuar infermiere në QKMF.

 Infermiere në QKMF është punësuar edhe Besarta Syla, reja e vellait të drejtorit të Shëndetësisë, Basri Aliut, i cili sot ka pozitën e Drejtorit të Arsimit por që në kohën e punësimit ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Shëndetësisë.

Në QMF-në në Pozheran është punësuar edhe Albana Ostrogllava, që është kunata e drejtoreshës së Gjeodezisë.

I pari i Vitisë ka refuzuar të përgjigjet ndaj këtyre pretendimeve duke thënë se në Viti të gjithë kanë të drejtë të barabartë punësimi.

Mirlinda Tishukaj-Sadiku, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mungesa e ujit, kanalizimit si dhe cilësia e dobët e asfaltit

Në debatin ‘Jeta në Komunë’ asamblistja e LVV-së Mirlinda Tishukaj- Sadiku kërkoi nga kryetari Haliti që të dijë se kur qytetarët do të kenë ujë të pijshëm në Viti.

Në përgjigjen e tij ndaj asamblistes, Haliti tha se për Vitinë ‘po vijnë ditë të mira’.

Madje Haliti premtoi se në 8 fshatra deri në maj të vitit të ardhshëm do të ketë ujë të pijes.

“Uji në Gërmovë është përgatit me u lëshu, uji në Goshicë është përgatit me u lëshu. Në Sllatinë të Epërme, në Sllatinë të Poshtme, Tërstenik, Sodovinë e Qerkezve, Sodovinë e Jerlive do të ketë deri në maj ujë, unë përgjigjem nëse nuk lëshohet uji deri atëherë”, tha Haliti.

Tutje Haliti theksoi se kompania regjionale “Hidromorava” do t`i marrë në mbikëqyrje  fshatrat Skifteraj, Zhitia, Beguca. Më vonë sipas tij do të jenë Budrika me Tërpezën, që përfundojnë në qershor.

Opozita në Viti e kritikoi kryetarin aktual për asfaltimet jocilësore që janë bërë të këtë komunë.

Nijazi Isaku, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblisti nga LVV-ja Nijazi Isaku ia përmendi kryetarit Haliti rrugën e cila lidh fshatrat  Skifteraj- Stubëll e Poshtme, e cila ishte prishur 7 muaj pasi që i ishte prerë shiriti.

Kryetari Haliti, prishjen në këtë rrugë e ‘arsyetoi’ me terenin malor që gjendet në atë pjesë.

“Rruga Skifteraj- Stubëll është një teren malor dhe ka pasur probleme sidomos të ujërat nëntokësorë, sidomos në disa vende ku kanë paralajmëruar sinjalizuesit, kompania nuk i ka rregullu ujërat nëntokësor pasi që s`ka qenë e planifikuar. Është e vërtetë që s`ka zgjatë as 6 muaj, por edhe këtu e kemi kthy kompaninë me riparu”, theksoi Haliti.

Në rubrikën ‘Zëri i qytetarëve’ qytetarët e fshatit Sllatinë e Epërme treguan për ‘hallin’ e tyre me kanalizimin që vie nga fshatrat e Ferizajt e që po ia kontaminon tokën bujqësore.

“Unë kam bërë kërkesë në Komunën e Ferizajt për këtë aspekt, që ata të rregullojnë çështjen e kanalizimit të vet dhe të mos i bëjnë dëme fshatrave të Sllatinës, është e vërtetë që po kontaminohen tokat bujqësore. Ende nuk kanë reaguar ndaj kërkesës sime, në 14 fshatra i kam rregullu kanalizimet e reja”, tha Haliti.

 

Matja e performancës për Vitinë nga Ministria e Pushtetit Lokal

Komuna e Vitisë është e 21-ta me përformancën më të mirë komunale. Kjo performancë është vlerësuar me 62.83% nga Ministria e Pushtetit lokal për vitin 2019.

Vitia qëndron më së miri në fushën e ofrimit të shërbimeve komunale duke u renditur  e 4-ta me 89.98% të kritereve të plotësuara.

E komuna e Vitisë është në mesin e 10 komunave që qëndrojnë më së miri për sa i përket përfaqësimit gjinor. MPL, Vitinë e ka radhitur në vendin e 9-të me një performancës prej 47.7 për qind

Më së keqi Vitia është vlersuar  në sigurimin e ujit të pijshëm për qytetarët e saj.

Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili udhëheq për tetë vite me Komunën e Vitisë, nuk ka arriur ende të zgjedh problemin e ujësjellësit.

Në këtë fushë kjo komunë është radhitur e 31-ta me e vlersuar me një përqindje prej 39.15% të performancës.

Hiç më mirë Vitia nuk qëndron sa i përkët mbledhjës së mbeturinave, e cila nga MPL është vlersuar më së paku, me  39.9%  të performancës.

Komuna e Vitisë nuk i kishte ofruar të dhëna valide Ministrisë së Pushtetit Lokal për numrin e vendbanimeve të përfshira në trajtimin e ujërave të zeza.

Si shkak i kësaj dhe pasaktësisë së madhe të të dhënave ka bërë që ky tregues të shpallet i pavlefshëm.

Me 0 pikë është vlerësuar Komuna e Vitisë, nga Ministria e Pushtetit Lokal sa i përket punësimit të stafit me nevoja të veçanta.

Lidhur me këto vlerësime, Haliti tha se Vitia në raportet e organizateve të tjera, është gjithmonë ndër tre komunat e para.

“Ky është vlerësim i vetëm një instance, performanca jonë matet nga shumë organzata të tjera, ku Komuna e Vitsë, është në top tre komunat e para. Mua më intereson përformanca e brendshme, auditori gjeneral, ku çdo herë po i zvogëlojmë rekomandimet”, tha ai.