Foto: Pritore e autobuseve

Pritore të autobusëve me dizajn të ri në Prishtinë, nga shtatori nis vendosja e tyre (FOTO)

Ende pa u bërë dy vite nga vendosja e pritoreve të autobusëve në kryeqytet, komuna e Prishitnës ka vendosur t’i ndërrojë si shkak i ankesave të shumta nga ana e qytetarëve.

Në vitin 2020, Komuna e Prishtinës nisi procesin për ndërrimin e 150 pritoreve nëpër qytet. Sipas komunës ky projekt nuk ka përfunduar në tërësi. I njëjti i kishte kushtuar komunës  292 mijë e 500 euro.

Komuna tani ka punuar në një dizajn të ri për pritoret e autobusëve në kryeqytet. Vendosja e tyre pritet të nis nga muaji shtator, sipas drejtorit të shërbimeve publike në komunë, Ilirik Musliu.

“Besojmë që në muajin shtator të vendoset mostra e parë tek Katedralja”, ka shkruar Musliu.

Sipas Musliut, kostoja e buxhetuar mbetet e njëjtë me atë që është alokuar me kontratën ekzistuese.

“Numri i pritoreve nuk ka ndryshuar, pra mbetet ai i njëjti ndërsa, kosto tjetër përveç asaj që është planifikuar/buxhetuar nuk do të ketë”, shtoi më tej Musliu.

Kurse, pritoret aktuale të zonës qendër pritet të zhvendosen në zonat periferike të Prishtinës.

Kujtim Selmanaj nga kompania Selmans Network që ka fituar tenderin për kryerje të këtij shërbimi, në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se kompania nuk e ka ndërprerë punën si shkak i rritjes së çmimeve (materialit ndërtimor), por ngase komuna nuk e kishte kryer punën për përcaktimin e lokacioneve ku do vendoseshin pritoret.

“SELMANS Network asnjëherë të vetme nuk është deklaruar se nuk është gatshme të përfundoj kontratën apo të terhjeket nga kontrata si shkak i rritjës së çmimit të materialeve (pavarësisht që sot kostot dhe parallogaritë janë rritur për më shumë se 130%). Projekti në fjalë nuk është realizuar deri me tani ngase Komuna e Prishtinës nuk ka kryer punën e saj për përcaktimin dhe ndërtimin e bazës së lokacioneve ku është dashur të vendosën këto Pritore të ndara në tri tipe A, B, C”, ka thënë Selmanaj.

Nga kjo kompani tutje u bë e ditur se komuna u kishte kërkuar ndryshim të një pjese të dizajnit për pritoret, në mënyrë që  t’i mbrojë qytetarët kur ka reshje.

“Komuna e Prishtinës  na është drejtuar neve si Kompani për ndryshim të një pjesë të dizajnit të pritoreve, rritjen e madhësisë së Tipit A dhe B nga 4.5 m sa ka qenë në projekt një pjesë e tyre duhet të ndërtohen në 9m gjatësi, ndryshimin e mbulesës së kulmit ku kanë kërkuar që të jetë me ekologjike dhe në mënyrë që të mbrojnë qytetarët nga moti me shi, borë dhe erë kanë kërkuar që pritoret duhet të veshën me gjam në të tre anët e saj”, u tha më tej nga kjo kompani.

Selmans Network tutje theksuan se edhe pse është kërkuar ndryshim dizajni nuk kanë kërkuar nga komuna kosto shtesë, por vetëm zgjatje të afatit për realizim të projektit.

“Pavarësisht që kjo e rritë koston e kompanisë tonë për 100% më shumë (duke shtuar këtu edhe rritjen e kostos së materialit) ngase është rritë edhe volumi i pritoreve, ne nuk kemi kërkuar asnjë kosto shtesë për Komunën e Prishtinës. E vetmja kërkesë që kemi pasur për Komunë e Prishtinës, duke u bazuar në vonesat e këtij projekti për fajin e vet Komunës është që të zgjatët afati i realizimit të projektit e për të cilin nuk kemi marrë përgjigje akoma”, deklaruan më tej kjo kompani.

Derisa,  Gëzim Sveçla, shef i grupit parlamentar të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se Komuna duhet të insistojë në përmbushjen e marrëdhënieve kontraktuale me operatorët ekonomik.

Sipas tij, kontrata është marrëveshje mes dy palëve, ku parashihen sanksione dhe penalizime për ata që nuk i përmbahen.

“Kontrata është marrëveshje në mes të dy palëve, Komunës dhe kompanisë, në këtë rast, parasheh sanksione dhe penalizime për ata që nuk i përmbahen asaj”, tha Sveçla.

Sipas tij, është e çuditshme se si nuk ka kurrë kërkesa nga bizneset për ndryshim kontrate në rastet kur ka pasur ulje të çmimeve.

Për pritoret e vëna në vitin 2020 ka pasur shumë ankesa nga qytetarët pasi nuk kanë anësore që mbrojnë nga reshjet e shiut.

Po ashtu, pritoret pritej të pajiseshin me panele informuese për qarkullimin dhe orarin e autobusëve si dhe me wifi, por këto shërbime nuk u kompletuan.

Ndërrimi i pritoreve është bërë në kuadër të planit të mobilitetit për Prishtinën, implementimi i të cilit përfshinë 102 masa me vlerë deri 200 milionë euro dhe afat deri në 12 vite.

Plani i mobilitetit i miratuar në ish-qeverisjen e kryetarit Shpend Ahmeti, sipas kryetarit Përparim Rama ka shumë mangësi dhe duhet të rishikohet.

Foto: Pritore e autobuseve
Foto: Pritore e autobuseve