Prishtina

Prishtinë, qytetarëve u jepen 90 ditë afat për largim të antenave satelitore të trashëguara nga sistemi i vjetër

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve të largojnë antenat satelitore të trashëguara prej sistemit të vjetër të transmetimit brenda 90 ditësh.

Sipas komunës, këto antena nuk mirëmbahen dhe paraqesin rrezik për qytetarët dhe ndikojnë në estetikën e qytetit.

“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim fton qytetarët për bashkëpunim, duke larguar kështu antenat satelitore në ndërtesat e tyre të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve, për shkak se ato nuk mirëmbahen dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit”, thuhet në njoftim.

Komuna thekson se nëse kjo gjë nuk respektohet, për largim të antenave do intervenoj inspekcioni i komunës.

“Afati për largimin e antenave satelitore në ndërtesat e Prishtinës do të jetë 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi. Në rast se nuk respektohet afati kohor për largimin e antenave satelitore, për largimin e tyre detyrohet të intervenoj Drejtoria e Inspekcionit”, bëhet tutje e ditur nga komuna.