Prishtinë, largohen disa drunj tek 'Mati ', komuna planifikon t’i zhvendosë diku tjetër (FOTO)

Sot gjatë janë larguar disa drunj te ‘rruga B’ në lagjen “Mati 1” Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Parqeve në komunë, Fatime Hajdari, e cila tha se drejtoria e ka lëshuar lejen për zhvendosje të këtyre drunjve.

Hajdari për KALLXO.com tha se në atë pjesë do bëhet lidhja e rrugës “Shaqir Igrishta” me “rrugën B” dhe  do bëhet një objekt banesor.

“Drejtoria e Parqeve ka lëshuar pëlqim për zhvendosjen e këtyre drunjve për shkak se në atë pjesë do të bëhet lidhja e rrugës “Shaqir Igrishta” me rrugën B në bazë të Planit Rregullues “Mati 1”, zhvendosjen e ka bërë kompania e cila ka marrë lejen për ndërtimin e një objekti afaristo-banesor në atë pjesë, vlen të ceket se kompania është e obliguar që pëveç zhvendosjes së drunjve të bëjë edhe blerjen e një druri shtesë për secilin dru të zhvendosur”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, këta drunj do zhvendosen në hapësirën e parkut ‘Bllok pas Blloku’.

“Do zhvendosen 9 drunj, të njëjtët do mbillen në hapësirën e parkut ‘ Bllok pas Blloku’ gjithashtu do kompensohen edhe me 9 drunj ( fidan të ri )”, shtoi tutje ajo.