Prishtinë, komuna jep detaje për objektet e vjetra dhe ato që kanë nevojë për ndërhyrje

Muajin e kaluar Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) ka bërë ndërhyrje në disa objekte banesore në sheshet e kryeqytetit pasi u konsiderua se paraqisnin rrezik për banorët dhe kalimtarët.

Ndërhyrja në këto objekte banesore u bë kryesisht në fasadë, llamarinë dhe tjegulla që rrezikonin të binin dhe të lëndonin banorët apo edhe kalimtarët e rastit.

Fatmir Bilalli, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës tha se kanë bërë ndërhyrje të tilla në objekte të vjetra sa herë që është parë nevoja dhe kështu do veprojnë sa kurdo që shihet e nevojshme.

Sipas tij, komuna shumë shpejt do nënshkruajë kontratë për ndërhyrje emergjente, jo vetëm në objekte të ulëta, por edhe në ato me lartësi deri 60 metra.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike Mbrojtje dhe Shpëtim – Sektori për Mbrojtje dhe Shpëtim ka intervenuar në objekte të vjetra dhe objekte tjera me rrezikshmëri të lartë kur ka qenë nevoja. Raste më të shpeshta në objekte të vjetra kolektive janë rënia e fasadave që paraqet rrezik për qytetarët dhe kalimtarët e rastit. Intervenimet e ditëve të fundit nga Brigada Profesionale e Zjarrfikësve, kanë qenë raste të rënies së fasadave në disa objekte – banesa kolektive të vjetra. DSHPMSH ka plan për raste të ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti do të nënshkruaj një kontratë e cila është në përfundim e sipër në prokurim, për ndërhyrje emergjente, jo vetëm në objekte të ulëta por edhe në objektet e larta në lartësi deri në 60 metra, për raste të ndryshme. Arsyeja për kontraktimin e kompanisë për intervenime të larta është pamundësia që Brigada Profesionale e Zjarrfikësve të kryej të gjitha intervenimet, për shkak të angazhimeve të shumta që kanë por edhe mjeteve të mangëta të punës në dispozicion për intervenime më specifike”, ka thënë Bilalli.

Billali ka thënë se gjatë vitit 2020 kanë bërë regjistrimin e objekteve të vjetra që paraqesin rrezik.

“Gjatë vitit 2020 kemi bërë regjistrimin e objekteve të vjetra që paraqesin rrezik për qytetarët dhe kalimtarët e rastit, ku mund të ketë: rënie të fasadës, shembje të mureve, rënie të tullave, shembje të kulmeve, objekteve me rrezikshmëri të lartë, objektet nën Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore si dhe zonave me rrezikshmëri të lartë. Të gjitha këto objekte inspektohen vazhdimisht nga inspektoret e emergjencave”, tha tutje Bilalli.

Objektet e vjetra të regjistruara sipas adresave janë plotë 56, objekte të vjetra me banim kolektiv, ku ka intervenime të shpeshta janë 11-të, ato nën Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore janë 12-të.

Tutje sipas Fatmir Bilallit, në objektet kolektive është obligim i banorëve të kryejnë renovimet, kurse komuna ndërhynë vetëm në raste emergjente.

“Duke u bazuar në ligjin për ndërtesat në bashkëpronësi me nr. 04/L – 134 të datës 29.07.2013 të objekteve kolektive, renovimi është obligim i banorëve, ndërsa ne si drejtori, jemi për intervenime në raste emergjente”, ka theksuar Bilalli për Kallxo.com.