Prishtinë, komuna ende në pritje të Ministrisë së Financave për pagesat e bizneseve

Komuna e Prishtinës ende është në pritje të Ministrisë së Financave dhe Transfereve lidhur me pagesat për bizneset e vogla të prekura nga pandemia nga fondi prej 5 milionë eurove.

Fondi për biznese të vogla ishte ndarë nga komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020, por bizneset ende nuk kanë marr këto pagesa për shkak të procedurave që fillimisht u ndërprenë si shkak i mbylljes së vitit fiskal kurse tani, çështja varet nga Ministria e Financave.

Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave në komunën e Prishtinës për Kallxo.com tha se janë në pritje të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave.

“Pagesat do të fillojnë të ekzekutohen në momentin që  bëhet alokimi i mjeteve nga Ministria e Financave-Departamenti i Thesarit”, ka thënë Makolli.

Lidhur me kohën që do marr realizmi i pagesave kurdo që bëhet alokimi, Makolli tha se nuk mund të dihet saktë pasi ka numër të madh të pagesave që janë në pritje.

“Për kohëzgjatjen e realizimit të pagesave nuk e dimë saktë për arsye se ka numër të madh të pagesave në pritje dhe po varemi nga gjendja e infektimit të stafit që është i nevojshëm për ekzekutimin e pagesave”, ka shtuar tutje Makolli.

Kallxo.com ka tentuar të marr përgjigje edhe nga Ministria e Financave lidhur me alokimin e këtyre mjeteve, por nuk ka marr përgjigje deri në momentin e publikimit.

Ahmeti sqaron vonesën e pagesave për individë e biznese nga pakoja e komunës