Prishtina së shpejti me stacione për mbushje të makinave elektrike

Komuna e Prishtinës shumë shpejt pritet të implementojë projektin për mbushësit për makinat elektrike.

Muhedin Nushi, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, gjatë ditës së djeshme në eventin e mbjelljes së drunjve dekorativ në Kampusin Universitar, ka thënë se ky është projekt në bashkëfinancim me bankën ProCredit.

“Së bashku me ProCredit Bank i kemi  disa projekte në bashkëfinancim. Presim që brenda 1 muaji të vendosim stacionet mbushëse për automjetet elektrike në gjashtë vende. Këto stacione të mbushësve do jenë ndihmë për qytetarët pasi i kanë munguar kryeqytetit”, ka thënë Nushi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nënkryetari Nushi tha se janë në finalizim të marrëveshjes dhe nuk dihen ende lokacionet dhe hapësirat ku do vendosen këto stacione.

“Jemi në finalizim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit dhe pa e definuar dhe nënshkruar marrëveshjen nuk prononcohemi, kjo për arsye se lokacionet mund të ndryshohen, varësisht prej statusit të hapësirës ku do vendosen”, shtoi tutje Nushi.