'Biçikletat e Qytetit'. foto: Alban Zogaj/Facebook

Prishtina pritet t’i ketë rreth 100 biçikleta të saj, do të shfrytëzohen nga qytetarët

Komuna e Prishtinës po planifikon të dizajnoj sistemin e parë të biçikletave të qytetit.

Për realizimin e këtij projekti, organizata joqeveritare holandeze ‘Dutch Cycling Embassy’ gjatë kwsaj javës kanë qëndruar në Prishtinë të ndihmuar komunën në dizajnimin e këtij sistemi.

Sipas nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, biçikletat e qytetit do mund t’i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët.

“Dutch Cycling Embassy janë në Prishtinë këtë javë, për të na ndihmuar në dizajnimin e sistemit të parë të biçikletave të qytetit. Prishtina do të bëhet me biçikletat e veta, të cilat do të kemi mundësi t’i shfrytëzojmë të gjithë” – ka njoftuar Zogaj.

Sipas tij, komuna ka ndarë edhe buxhet për këtë projekt, derisa ka shtuar se për implementim sa më të mirë të këtij projekti, nevojitet rregullimi i shtigjeve të çiklizmit nëpër qytet.

Drejtori i Shërbimeve Publikë në Komunë, Ilirik Musliu ka njoftuar për ndërhyrjet në shtigje të çiklizmit nëpër disa lagje.

“Shtegu i biçikletave në rrugën “Muharrem Fejza” do të bëhet me barriera fizike në mes shtegut dhe rrugës për automjete. Shtegu i biçikletave në rrugët “B”, “C”, “Agim Ramadani” dhe “Zagrebi” do të shenjëzohen dhe do të bëhen intervenime në infrastrukturë” – ka njoftuar Musliu.

Ai potencoi se në parkun e Taukbashqes do të ndërtohet shtegu për orët e mësimit të çiklizmit.

Derisa, për projektin ‘Biçikletat e qytetit’, komuna do ndërtojë 10 stacione për 100 biçikleta si dhe 100 km shteg për biçikleta.

“Do të ndërtohen 10 stacione për 100 biçikleta, që do të jenë në dispozicion të qytetarëve. Do të ndërtohen 100 km shteg për biçikleta” – shtoi më tej Musliu.

Meqë projekti është ende në dizajnim, nga komuna nuk kanë bërë të ditur për mënyrën si do funksionojë pagesa për qytetarët që marrin këto biçikleta apo kohën maksimale të shfrytëzimit.

Ndërtimi i shtigjeve të ciklizmit nëpër qytet është pjesë e planit 12 vjeçar të mobilitetit.

Komuna e Prishtinës ndan çdo vit buxhet të veçantë për implementim të këtij plani i cili përfshinë kryesisht infrastrukturën rrugore dhe transportin.

Viteve të fundit, komuna ka ndërtuar shtigje të çiklizmit në lagjen ‘Dardania’, ‘Aktash’,  ‘Mati 1’ derisa ka plane për zgjerim edhe në zona tjera.