Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtina planifikon transport falas e shpeshtim të autobusëve gjatë ditëve kur ajri është shumë i ndotur

Komuna e Prishtinës parasheh të marr disa masa me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit në ditët kur parashihet që niveli i ndotjes do jetë i lartë.

Seniha Bajraktari,  zyrtare e Lartë për Ambient dhe Menaxhere e Cilësisë së Mjedisit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike për Kallxo.com ka bërë të ditur se në ditët me ndotje të madhe transporti urban do jetë falas.

“Gjatë ditëve me mundësi ndotje më të madhe transporti urban do të organizohet duke shpeshtuar  qarkullimin e autobusëve si dhe do të jetë falas”- ka thënë ajo.

Komuna nuk ka ndarë më shumë detaje nëse është marr vendim lidhur me planin e përpiluar për ditët kur ndotja është e madhe.

Madje, nuk janë ndarë detaje as për mënyrën si do e bëjnë shtimin e e autobusëve ose si do bëhet kompensimi në rast se bileta është falas.

Ndërmarrja Trafiku Urban e Prishtinës ka në pronësi 51 autobusë, duke përjashtuar këtu kompanitë private që mbulojnë disa linja.

Seniha Bajraktari tutje potencoi se Prishtina u ka propozuar komunave fqinje që gjatë këtyre ditëve të organizohet edhe transporti ndër komunal falas.

“Komuna e Prishtinës  përmes një marrëveshje ndër komunale, komunave fqinje u ka propozuar që gjatë ditëve kritike me ndotje të organizohet transporti ndër komunal falas për qytetarët si dhe të bëhet shpeshtimi i qarkullimit të autobusëve”- shtoi ajo.

Nga komuna nuk janë dhënë detaje se çfarë përmban propozimi dhe cilave komuna i është dërguar.

Aktualisht, ndërmarrja trafiku urban lidh komunën e Prishtinës me atë të Fushë Kosovës.

Komunave e Prishtinës por edhe qytete tjera në Kosovë përballen me nivel të lartë të ndotjes së ajrit gjatë muajve të dimrit ku shkaktarë kryesor janë transporti, termocentralet dhe amvisëria që përdorin kryesisht thëngjill.

Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Kriza energjetike ka shtyrë Korporatën Energjetike të Kosovës që këtë vit t’u shes thëngjill qytetarëve, përkundër shqetësimeve se paraqet rrezik për shëndetin, e gjitha kjo në pajtim me masat e marra nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Ekonomisë në shtator ka shfuqizuar një vendim të vitit 2018 që ndalonte dhënien e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, këtë vit korporata do u dhurojë 8-10 ton për secilin prej 3,600 punëtoreve të korporatës.

Ajri i papastër është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Në Prishtinë madje janë disa matës të vendosur nëpër qytet përmes të cilëve qytetarët mund të shohin se si qëndron cilësia e ajrit dhe grimcat në ajër.

Grimca të tilla mund të jetë rezultat i lëshimit të gazrave nga automjetet dhe termocentralet, nga djegia e qymyrit apo e drurit, apo ndodhi të drejtpërdrejta si zjarret.

Grimcat e kësaj madhësie, rreth 1/30 të diametrit të mesatares së fijes së flokut të njeriut, përbëjnë rrezikun më të madh për shëndetin. Studimet shkencore kanë lidhur ndotjen afatgjatë prej grimcave, veçanërisht nga grimcat e imta, me probleme të mëdha të shëndetit, si sëmundje të zemrës dhe të mushkërive.

Cilësia e ajrit me grimca nga 0-50 konsiderohet si ‘e mirë’, si “mesatare” është kur niveli i grimcave në ajër shkon nga 51 -100.

Mbi 100-150, cilësia e ajrit konsiderohet e pashëndetshme për grupe të ndjeshme, kur niveli i grimcave shkon nga 151-200 ajri konsiderohet i pashëndetshëm.

Kurse, 201-300 shumë i pashëndetshëm, efekte të rrezikshme shëndetësore për të gjithë.

Derisa, kur niveli i grimcave figuron mbi 300, ajri  konsiderohet helmues, kjo në Prishtinë ndodh në ditë të caktuara, kryesisht në mbrëmje dhe ditët me mjegull e mungesë të erërave.

Smogu dhe pasojat e ndotjes së rrezikshme të ajrit në Kosovë