Foto: NPL 'Hortikultura', Facebook

Prishtina mbjell 1 milion lule në vit, mbi 600 mijë kultivohen në serat e 'Hortikulturës'

Komuna e Prishtinës në baza vjetore furnizohet nga ndërmarrja “Hortikultura” me lule dhe drunj dekorativ që mbillen nëpër hapësira të gjelbra të qytetit.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari.

“Nga ndërmarrja “Hortikultura”, drejtoria e Parqeve furnizohet me rreth 1 milion lule sezonale, të cilat janë pjesë e kontratës së përgjithshme për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe parqeve në mes të Komunës dhe ndërmarrjes “Hortikultura”, ka thënë Hajdari.

Tutje, ajo potencoi se gjatë këtij viti për herë të parë kanë blerë lule dhe shkurre shumëvjeçare në vlerë prej 20 mijë eurove.

“Komuna e Prishtinës përgjatë vitit 2020 për herë të parë ka blerë lule dhe shkurre shumëvjeçare, vlera e ndarë ka qenë 20 mijë euro”, ka thënë Hajdari.

Hajdari theksoi se lulet mirëmbahen vazhdimisht nga “Hortikultura” edhe pse ka raste që ato dëmtohen nga qytetarët ose thahen nga temperaturat shumë të larta.

Nga Komuna e Prishtinës më herët është deklaruar se qytetarët po dëmtojnë lulet dekorative pasi shpesh i marrin pipat e tyre dhe një pjesë pastaj dëmtohen.

Përkundër dëmit nga qytetarët dhe temperaturat, nga Drejtoria e Parqeve u tha se lulet mirëmbahen vazhdimisht nga ndërmarrja komunale “Hortikultura”.

Isak Rakovica, kryeshef i ndërmarrjes “Hortikultura” ka deklaruar se vetëm gjatë këtij viti kanë kultivuar dhe mbjellë mbi 650 mijë copë lule në qytet.

“Hortikultura i prodhon vetë lulet sezonale dhe shumëvjeçare, vetëm gjatë këtij viti janë prodhuar dhe mbjellë 651 mijë e 650 copë lule”, ka thënë ai.

Ndërmarrja “Hortikultura” ka tetë serra, të cilat shërbejnë për kultivimin e këtyre luleve nga faza fillestare deri tek mbjellja në qytet.

Përpos këtyre luleve që kultivohen nga ndërmarrja, Komuna e Prishtinës në muajin shkurt ka nënshkruar edhe një kontratë për furnizimin me lule dhe drunj dekorativ në vlerë prej 170 mijë euro.

Po ashtu Komuna e Prishtinës gjatë vitit merr shumë bimë dekorative në formë donacioni, i fundit ka qenë nga banka ProCredit, ku qindra drunj dekorativ të dhuruar ishin mbjellë në hapësirën e kampusit universitar “Hasan Prishtina”.

Vlen të theksohet se ndërmarrja nuk ka shtrirje në të gjithë kryeqytetin, “Hortikultura” operon kryesisht në lagjet “Ulpiana”, “Dardania”, në qendër të Prishtinës në lagjen “Bregu i Diellit” dhe në parqet kryesore të qytetit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.