Prishtina fillon dekorimin e qytetit për fundvit, kështu pritet të duken sheshet kryesore

Komuna e Prishtinës këtë javë ka filluar procedurat për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Stolisja e qytetit pritet të zgjasë edhe dy javët e ardhshme, sipas Mimoza Sylejmanit nga kabineti i kryetarit, Shpend Ahmeti.

“Dekorimi i qytetit ka filluar para 3 ditësh dhe do të zgjasë edhe rreth 15 ditë, varësisht prej rrethanave që krijohen si dhe kushteve atmosferike”, ka thënë Sylejmani.

Komuna e Prishtinës ka një kontratë  kornizë tre vjeçare me vlerë 150 mijë euro për dekorimin e qytetit për festa.

Nga ky buxhet, për tre vite janë ndarë nga 50 mijë euro për dekorim (ky është viti i fundit i kësaj kontrate).

Derisa, Adrian Berisha nga drejtoria e Kulturës dekalroi se do organizojnë festivalin ‘Verë n’Dimën’ i cili vitin e kaluar nuk ishte mbajtur si shkak i gjendjes me pandeminë.

“Këtë vit do të ketë aktivitet “Verë në Dimën” dhe numri i shtepizave do të jetë prej 24 deri ne 30 copë, varësisht edhe prej hapësirës të cilën mund ta shfrytëzojmë brenda sheshit ‘Skenderbeu’ në qytet”, ka thënë Berisha.

Në bazë të pamjeve të dërguara nga Komuna e Prishtinës, përgjatë sheshit ‘Zahir Pajaziti’ do vendosen edhe kamion ‘ Food Truck’ për blerje të ushqimeve dhe pijeve të ndryshme.