Prerja e asfaltit në 'Muharrem Fejza', arsyetimi i komunës - FOTO

Më 9 prill komuna asfaltoi një pjesë të rrugës “Muharrem Fejza” në kryeqytet, por vetëm një javë më pas ka nisur prerja e asfaltit në disa vende.

Në disa pamje të siguruara nga KALLXO.com, shihet se asfalti po largohet nëpër disa pika ku ka puseta.

Nëpër rrugën që u shtrua pak ditë më parë, janë disa pika të kuqe të shënjuara në pjesët e prera të asfaltit, në formë katrori.

Drejtori i Investimeve Kapitale në komunë Krenar Xhaferi ka thënë për KALLXO.com se kjo është vetëm shtresa e parë e asfaltit, prerja e tij, sipas Xhaferit nuk ka asgjë jashtë planifikimit.

“Kjo pjesë e asfaltit që u shtrua është shtresa e parë, para shtresës finale. Së shpejti shtrohet edhe shtresa e dytë AB11, apo shtresa finale. Asfalti që është prerë, nuk ka asgjë jashtë planifikimit. Aty ku është prerë, është tek pusetat, për stabilizimin e pusetave me pllaka monolite, e korniza e kapakut stabilizohet për të”, ka thënë Xhaferi.

Xhaferi shtoi se punimet në puseta janë duke u bërë në kuadër të planit për nivelizim të tyre, metodë që do aplikohet edhe në vazhdim kudo që ka punime.

Foto: Krenar Xhaferi/Facebook

Kurse, asamblisjta e Kuvendit Komunal nga radhët e listës ‘GUXO’ Triera Kasumi-Berisha ka thënë për KALLXO.com se prerja e asfaltit ka të bëjë me keq menaxhimin dhe keq planifikimin e punimeve.

Sipas saj, kjo po bëhet nga presioni që punimet në kryen sipas premtimit të kryetarit, brenda 40 ditëve.

“Prerja e asfaltit ka të bëjë me keq menaxhimin dhe keq planifikimin e punimeve, e gjithë kjo është rezultat i premtimit që ka dhënë kryetari Rama se ajo rrugë do të përfundojë brenda 40 ditëve . Pra, nga presioni për të përfunduar punët brenda afatit të caktuar kohorë po punohet shkel e shko dhe pa cilësi e kualitet të nevojshëm e të domosdoshëm”, ka thënë Kasumi-Berisha.

Ajo potencoi se kanë dyshime që në atë rrugë do ketë vazhdimisht intervenime të tilla.

“Kemi dyshime se në atë rrugë vazhdimisht do të ketë intervenime të tilla dhe kjo do të shkaktoj vështirësi e shqetësime për banorët e asaj lagje dhe kosto shtesë të cilat do ishte mirë të shpenzoheshin në rrugë të tjera”, shtoi tutje asamblistja.

Më 17 mars kryetari Përparim Rama deklaroi se për 40 ditë do të përfundojnë punimet në këtë rrugë. Madje, pati deklaruar se  tash e tutje çdo projekt do të planifikohet në mënyrë të mirëfilltë.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1, kanë nisur  në prill të vitit 2021 dhe llogaritej se do të zgjasnin 120 ditë pune.

Por, punimet u zvarritën disa herë si shkak i shpronësimeve e punëve nga operatorë tjerë si KEDS, Termokos, Ujësjellësi e kompani të internetit.

Punimet në rrugë “Muharrem Fejza”

 

 

Rama tregon për sa ditë do të përfundohet rruga ‘Muharrem Fejza’