Zenun Elezaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet për Klinën dhe e vërteta në terren

Me shumë fjalë e premtime Zenun Elezaj i kishte hyrë garës për ta rrëzuar Sokol Bashotën i cili kishte arritur një dekadë në krye të kësaj komune

Ai arriti që përmes balotazhit ta përmbysë rezultatin dhe të marrë drejtimin e Komunës së Klinës.

Dy vite pasi i fitoi zgjedhjet, hulumtuesit e KALLXO.com, dolën në terren për të verifikuar mbajtjen e premtimeve dhe punët të cilat ishin kryer nga kryetari i ri. 

Me këto gjetje, Elezaj u përball në debatin “Jeta në Komunë”, përballë Jeta Xharrës, pyetjeve të qytetarëve dhe asamblistëve nga pozita e opozita.

 

Ngjashëm sikurse mandatin e kaluar edhe këtë mandat banorëve të Klinës ju ra hise që të udhëhiqen nga një kryetar me aktakuzë.

Kjo pasi në vitin 2019 me aktakuzë përfundoi edhe kryetari Zenun Elezaj i cili po akuzohet për vepër nga kapitulli i korrupsionit. 

 

Edhe pse u akuza, Zenun Elezaj vazhdoi ta mbajë postin e kryetarit ndonëse kishte premtuar se do të jepte dorëheqje. 

Në debat atij ju kujtua premtimi që kishtë dhënë në 2017-tën.

“Mu kujtu pasi e pashë mirëpo aktakuza e ngritur ndaj meje është e padrejtë shumë, aktakuzë është ngrit për aktakuzë për mos lajmërim të konfliktit të interesit, unë nuk kam ditë që është dashtë me e lajmëru Agjencinë Kundër Korrupsion “, deklaroj Elezaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Zenun Elezaj ka marrë pjesë personalisht në çështjen e punësimit të vajzës së tij si mjeke në Klinë pasi personalisht ka marrë vendim me të cilin e ka formuar komisionin për përzgjedhjen e kandidatit, dhe më pas ky komision e ka përzgjedhur vajzën e kryetarit si kandidaten e suksesshme

Qytetarët e Klinës përveç problemeve me ujë e kanalizim, tani e 20 vite presin  ndërtimin e stacionit të autobusëve i cili ishte një nga premtimet kryesore elektorale që nga paslufta. 

Ndonëse me shumë probleme gjatë mandatit të Elezajt Klina doli të jetë shumë bujare pasi përpos asfaltimit të rrugëve të saj.

Kjo pasi komuna kishte arritur që të shtronte rrugë edhe në territorin e një komune tjetër, atë të Malishevës. 

 Përpos këtyre gjetjeve, hulumtimi tregon se tenderët në Klinë vazhdojnë të menaxhohen nga zyrtari i dënuar për korrupsion.

Nuk e di ishte edhe përgjigja edhe për zyrtarin e dënuar për korrupsion.. 

“ Unë sot po nij që është i dënum Foniqi, sot po dëgjoj për këtë rast, sot po dëgjoj”, tha kryetari.

E kur u pyet  se pse po vazhdon të mbajë zyrtar të  korruptuar në krye të prokurimit, Elezaj tha pasi tani ka dëgjuar do të shikojë dënimin. 

  “Të shohim qysh është dënimi, e shohim, qeky është momenti i parë që po dëgjoj, unë shpesh e takoj po kurrë se di qetash o hera e parë që po dëgjoj”, tha Elezaj.

Abaz Foniqi shefi i prokurimit në Komunën e Klinës ishte dënuar në vitin 2018 nga Gjykata e Pejës me 1 vit burgim me kusht për vepra korruptive. Ai u gjet fajtor për keqpërdorime në gjashtë tenderë të komunës së Klinës. 

Foniqi ka thënë për KALLXO.com se ky dënim e kishte vetëdijesuar dhe e kishte bërë më të kujdesshëm për të ardhmen. 

“Integriteti nuk ka dëmtuar procesin e prokurimit përkundrazi ka rrite vëmendjen për te qene me i kujdesshëm ne procesin e prokurimit dhe zbatim te ligjit”, ka thënë Foniqi.

Në debatin për Klinën u diskutua edhe kualiteti i rrugëve të shtruar në komunë, pasi në disa prej tyre kishte mbirë bari në asfalt.

Bari në Siqevë
Bari i mbirë në asfaltin e Klinës FOTO-KALLXO.com

Në lidhje me barin i cili kishte mbirë në fshatrat Siqevë e Çabiq kryetari Elezaj deklaroi se për të parin nuk ka dëgjuar ndërsa për të dytin ka rishtuar asfaltin. 

“Që unë tash po dëgjoj që është ky rast në Siqevë, e di që ka qenë një rast i tillë në Çabiq, për Çabiq e kam rastin, e kemi rishtru pasi ka qenë rrugë e pa pranume, asfalti është hjek”, tha Elezaj.

Kryetari i Klinës u deklarua edhe për rrugën të cilën e kishte asfaltuar ndonëse ishte në territorin e komunës së Malishevës. 

Ai tha se nuk ka qenë në dijeni për lëvizjen e kufijve të komunës.

“Kjo rrugë është në hyrje, ata janë banorë të komunës së Klinës, po që territori ku e kanë shtëpinë po del se është pjesë e Malishevës. Tek e fundit kryetari i komunës nuk mundet me i ditë të gjitha këto, unë nuk i kam ditë lëvizjet e kufijve”, tha Elezaj.

 Problemet më të mëdha të Komunës së Klinës ishin shfaqur në Prokurim. Komuna e Klinës vetëm në vitin 2018 i ka nënshkruar hiq më pak se 21 aneks-kontrata gjë që tregon planifikim jo të mirë të punëve.

Drejtësia në Kosovë kishte gjetur shkelje në zbatim të kontratës për shtrim të asfaltit.

Emulusioni i njohur si zifti në kontratën për asfaltimin e rrugës Përqevë-Sferkë ishte paguar nga Komuna e Klinës me 1.2 euro, ndërsa i njëjti produkt në kontrata të tjera kishte kushtuar dhjetë herë më lirë pasi sillej prej 5 deri në 10 cent për metër katror. 

Përpos kësaj gjetje hulumtuesit e Drejtësia në Kosovë kishin zbuluar edhe se në këtë projekt ishin kryer punë të cilat nuk ishin paraparë fare në kontratë dhe se për këto punë nuk dihej se a ishin paguar apo ishin kryer gratis. 

Në lidhje me këto gjetje kryetari Zenun Elezaj deklaroj se tenderin e kishte fituar kompania më e lirë. 

“Normal që puna është dashtë me u kry, kanë munguar sasitë dhe nuk ke rrugëzgjidhje tjetër, nuk është edhe krejt qashtu qysh është bo hulumtimi juaj, dhe e ka fitu kompania me çmimin më të lirë, e ka marrë tenderin “, ka thënë Elezaj. 

Hulumtuesit kishin gjetur se Komuna e Klinës u kishte dhënë tender edhe anëtarëve të AAK-së.

Një tender ishte marrë nga kompania e cila menaxhohet nga Asamblisti i AAK-së Valmir Bacaj.

Kompania “Syri Group” kishte përfituar tender në vlerë 46 mijë euro për sigurimin fizik të disa objekteve në këtë Komunë.

E në lidhje me këtë Bacaj kishte deklaruar se nuk ka pasur ndikim pozita e tij në parti pasi tenderin e kanë fituar përmes OSHP-së dhe se nëse do të ishte ndihmuar nga Komuna do ta merrte edhe vitin tjeter kur aplikoi.

Tender nga Komuna e Klinës ka përfituar edhe kompania e ish kandidatit për asamble komunale nga radhët e AAK-së, Bedri Elezaj. Kompania e tij ka fituar të paktën gjashtë tenderë nga Komuna e Klinës gjatë mandatit të Zenun Elezajt.

 

Në lidhje me këtë tenderë, Bedri Elezaj deklaroj se nuk është ndihmuar nga askush për t’i marrë këta tender por i ka marrë pasi ka dalur më i liri.

Sipas tij fakti se është i afërm i kryetarit i ka penguar që të kërkojë aneks kontrata kur ka qenë e nevojshme

 

Debat i nxehtë u bë edhe për punësimet në Komunë. Kjo pasi ish kryetari i Komunës e akuzoi direkt kryetarin Zenun Elezaj për punësimin e të afërmve dhe anëtarëve të partisë.

Madje gjatë debatit Sokol Bashota ia numëroi disa punësime kryetarit Zenun Elezaj .

“Familjarja e drejtorit të Mirqeniës Sociale është punësuar në DKA, familjari i drejtorit të shëndetësisë është punësu në financa, familjari i shefit të kabinetit është punësu mësues në “Ismet Rraci”, familjari i asamblistit është hy në administratë”, tha Bashota.

E pas këtyre deklaratave ka reaguar kryetari Zenun Elezaj i cili  tha se PDK nuk është mësuar që të punësohet dikush jashtë kësaj partie.

“Çka ka nepotizëm, PDK është mësu mos me u punësu asnjë punëtorë jashtë PDK-së në Klinë dhe sot normal që punësohen të gjithë, punësohet edhe nusja e asamblistit të PDK-së”, tha Elezaj.

Në debat u fol edhe për shëndetësinë.  

Hulumtimi i KALLXO.com tregonte se në Klinë akoma nuk është funksional materniteti dhe se gratë e këtij qyteti po detyrohen të udhëtojnë në Pejë ose Gjakovë që të kryejnë lindjet.

E për këtë problem i pari i komunës tha se Klina nuk ka kapacitete profesionale që të vë në funksion maternitetin.

“Materniteti është mbyllur para se me ardhë unë dhe nuk ka kapicetete profesionale për me e rihap prap, dihen edhe kompetencat e QKMF-ve”, tha Elezaj.

 

 

 

]