Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet dhe të vërtetat e qeverisjes në Kamenicë

Mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e ndriçimit, kanalizimit, asfaltit si dhe deponitë ilegale të mbeturinave janë disa nga problemet të cilat e kanë shoqëruar Komunën e Kamenicës edhe në tri vitet e qeverisjes së Qëndron Kastratit

Sipas të dhënave të komunës, në vetëm 22 prej 58 vendbanimeve bëhet grumbullimi i mbeturinave nga kompania përgjegjëse.

Në vitin e fundit Kamenica e ka edhe problemin e mbylljes së disa shkollave në kuadër të riorganizmit, iniciativë kjo e komunës që nuk është përkrahur nga banorët.

Në Kamenicë asambleja nuk e ka votuar buxhetin e komunës. Ndërkaq  Kamenica renditet si komuna e 19-të  në raportin e performancës nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Për sukseset, dështimet, problemet dhe sfidat e tij si kryetari më ri në Komunën me problemet e vjetra, Qëndron Kastrati ka qenë i ftuar në emisionin ‘Jeta në Komunë’.

Për të gjitha këto Kastrati u sfidua nga asamblistët Besnik Rrudhani nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Afrim Dërvishi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).Ndërsa përmes Zoom kanë qenë të kyçur: Lavdim Klaiqi, aktivist në Kamenicë, Besim Osmani, përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë dhe Arsim Thaçi mësimdhënës.

 ‘Vota për buxhet si mundësi për përfitim’

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë që asambleja në Kamenicë  nuk po ia voton buxhetin për shkak që sipas tij ata po e shohin si mundësi përfitimi votën e tyre për buxhet.

“Sfida në komunat e vogla, po më vjen keq që po duhet me përmend publikisht po e shohin si projekt të rëndësishëm edhe e shohin si mundësi me përfitu diçka ose me blloku dikë. Në përgjithësi, një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi më përfitu diçka”, tha ai.

I pyetur se për çfarë përfitimesh bëhet fjalë, Kastrati tha se janë kryesisht favoret për punësime.

“Fillon prej punësimit, që ka kërkesa duke përfshirë vetën edhe familjen e ngushtë deri tek mundësia me u blloku komuna fare vitin tjetër  sepse nëse nuk kalon buxheti deri në fund, deri në mars, pastaj nuk ka paga as për zyrtarët e komunës” , theksoi ai.

Në anën tjetër Afrim Dërvishi, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha që një deklaratë e tillë e kryetarit lë të kuptohet se është koha të kërkohen favore.

“Nuk bën kështu me u qu edhe me thanë po kërkojnë favore sepse nuk kam përshtypje se më shumë po deklaron se është koha me kërku favore. Forma qysh është prezantu buxheti në këtë vit është e njëjtë me vitin e kaluar, tash ky duhet me tregu cilat favore ia bëri vitin e kaluar kur ia aprovuan buxhetin në të njëjtën formë”, tha Dërvishi.

Tutje Dërvishi theksoi se LVV nuk ka kërkuar favore, duke shtuar se buxhetin nuk e kanë votuar për shkak të mungesës së objektivave.

“Asambleja e Kamenicës nuk e ka aprovu propozimin e kryetarit për buxhet. Nga ana jonë të garantoj 200 për qind se s’ka të bëjë me favore, ndërsa nën komiteti për buxhet dhe financa që vepron në qendrën tonë i ka referu kryesisë dhe grupit parlamentar mos me votu në këtë formë, ky buxhet nuk ka objektiva prandaj është e vështirë ta votojmë” , tha ai.

Afrim Dërvishi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa Besnik Rrudhani asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha që buxheti nuk është votuar për shkak të mungesën së listës së investimeve kapitale.

“LDK-ja nuk ka lyp favore, shumicën e rasteve kemi qenë konstruktiv në Kuvend. LDK nuk e ka aprovu buxhetin sepse nuk është sjellë lista e investimeve kapitale . Më 30 shtator ne nuk e kemi mar listën e investimeve kapitale të cilën qysh e ka prezantu, në ora 10:20 e ka pru një fletë A4 pa i precizu projektet”, ka thënë Rrudhani.

Besnik Rrudhani, LDK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asambleja Komunale në Kamenicë tre herë rradhazi nuk e ka votuar buxhetin e kësaj komune.

Lëmshi në arsim

Një pjesë të madhe të debatit për Kamenicën e ka nxënë diskutimi për riorganizmin e shkollave në këtë komunë. Kjo iniciativë nuk u përkrah nga kamenicasit për shkak që parashihej mbyllja e disa shkollave.

Në debatin ‘Jeta në Komunë’, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë që riorganizimi i shkollave apo siç njihet ‘reforma’ në arsim ka qenë iniciativë e guximshme e me kosto politike.

“Ishte diçka e domosdoshme që duhet me marrë guximin me bo edhe pse ka kosto politike. Sfida e parë ka qenë transporti që na ka dalë ma lirë se pagat shtesë, më së shumti është 45 minuta, sfida e dytë kanë qenë mësimdhënësit, ne e kemi bo një kontratë kolektive për 3 vite deri në 10 vite, asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë dhe e treta ka qenë mentaliteti lokalist ku njerëzit kanë nostalgji me shkollën”, tha ai.

Besim Osmani, Përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë ka thënë se kryetari Kastrati me vendimin e tij për mbylljen e disa shkollave në kuadër të reformës ka shkelur disa ligje duke përfshirë edhe Kushtetutën.

“Reforma në arsim duhet të behën në nivel nacional, Kosova ka një kushtetutë ku dispozitat e saj kërkojnë që të mos ketë diskriminim. Arsyetimi i kryetarit se po e reformën arsimin nuk qëndrojnë sepse vendimet e kryetarit janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese, është shkelë neni 47 i Kushtetues, është shkelë Ligji mbi Arsimin Para universitar, është shkelë ligji kundër diskriminimit”, theksoi Osmani.

Arsim Thaçi,  mësimdhënës në Kamenicë ka kritikuar qasjen e kryetarit Kastrati karshi kundërshtimit të banorëve duke ngritur edhe shqetësimin e tij për cilësinë e autobusëve të kontraktuar nga komuna për bartjen e nxënësve.

“ Nuk është keq edhe është lehtë një fëmijë para fillor edhe fillorë shumë të vegjël në autobusa të papërshtatshëm që nuk i plotësojnë kushtet minimale, shkallët e larta, pa rripa të sigurisë”, tha ai.

Për kritikën e Thaçit, kryetari Qëndron Kastrati theksoi se “janë të njëjtë autobusë që përdoren kur fëmijët dërgohen në shkolla private, kanë rrypa. Na i kemi të paraparë për moshat e reja ka persona që përkujdesën sesi hypin në autobus dhe sesi vazhdon qarkullimi i rrugës”.

I painformuar kryetari Kastrati u shpreh kur u pyet nga Besnik Rrudhani asamblistë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) se përse nuk po shkojnë në Roganë shujtat ushqimore për nxnës ashtu siç kishte premtuar.

“Nuk janë ndalë shujtat fare, na jemi dy komuna që i qojmë shujtat. Unë nuk kam informacion se çfarë ka ndodhur me këtë, por projekt kontrata është në rregull edhe ata duhet me shku. Unë nuk e kam informatën që këto ditë nuk është duke shku. Unë kam me thirr në përgjegjësi se përse nuk jam i informuar”, ka thënë Kastrati.

Premtimet e (pa)qëndrueshme të Qëndronit?

Ndonëse kishte premtuar pak atëherë kur kërkonte votën e kamenicasve në debatin e vitit 2017,  kryetari Qëndron Kastrati u sfidua me premtimet e pa përmbushura.

Kryetari Kastrati kishte premtuar që do të përmirësonte gjendjen me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e Kamenicës, mirëpo në debat, Kastrati i sfidua me këtë premtim që ende nuk e ka përmbushur.

Ai përmendi disa nga fshatrat në të cilat pritet të funksionalizohet ujësjellësi.

“Në vitin 2013 ka fillu projekti ku është Shipashnica e Poshtmë, Dajkoci, Muqiverci, Rogana, Novosella janë të gjitha në përfundim. Ka mbet Hogoshti, Petriti, Karaçeva dhe Busavata dhe të gjitha do të realizohen në kohën që parashihet, deri në fund të mandatit”, tha ai

Kastrati kishte premtuar edhe E-kioskun ku tha që brenda 7 muajve qytetarët do të mund të kryejnë shërbimet e tyre.

“Ende nuk është, sfida dhe ballafaqimi është kush din me e zhvillu projektin mirë. Jemi tu i pas sfidat me OSHP-në dhe mendoj që brenda 6 muajsh do të zgjidhet”, tha Kastrati.

Përveç ujit, Kastrati kishte premtuar edhe largimin e deponive ilegale, por  në Kamenicë aktualisht janë 29 deponi ilegale.

“E kemi caktu deponinë e mbeturinave inerte edhe aty është lokacioni, ajo është gati, aty munden me shku mbeturinat. Veç problemi është që duhet me u marrë si inspekcion më shumë me këtë kujdesin më të madh që mos me i leju me u hudh”, ka treguar Kastrati duke premtuar se do të punoj në drejtim të ofrimit të shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave.

Kamenica me objekt të gjinekologjisë, por pa gjinekolog

Pak muaj më parë në Kamenicë është përuruar objekti i ri i gjinekologjisë por që në këtë objekt qytetarët nuk po mund t’i kryejnë shërbimet, kjo për shkak që Kamenica nuk ka gjinekolog.

“Me SHSKUK-në, kemi bërë marrëveshje ku fillimisht fillon me tri herë në javë me nga katër orë dhe varësisht prej nevojës ajo ka me u rritë. Për momentin për shkak të pandemisë Ministria e Shëndetësisë i ka ndalë shërbimet tjera nuk është funksionale”, ka thënë ai.

Kastrati ka thënë se do të ofrojnë shërbimin gjinekologjik, por nuk do të  kryhen lindjen në objektin e ri të gjinekologjisë në Kamenicë.

“Shërbimin gjinekologjik kena me ia ofru, sepse legjislacioni parasheh që kujdesi parësor shëndetësor nuk mundet me kry lindje aty, për faktin se nuk ka qendër të transfuzionit të gjakut edhe në momentin e komplikimeve me bë intervinime kirurgjike”, ka thënë Qëndron Kastrati.

KALLXO.com, ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rogoqicë më 14 tetor. Tualetet në këtë QMF, janë në gjendje të keqe, nuk ka sapun për t’i larë duart në kohë pandemie.

Kastrati ka thënë se kanë kontratë me agjensionin qendror të prokurimit për tu pajisur me pajisje për Qendrat Familjare.

“Tasht unë për këtë me i thirrë në përgjegjësi varëtësit që e kanë përgjegjësinë për një gjë të tillë dhe me e pa se ku kanë ngec sistemi. Nuk është problem i pareve kemi kontratë janë kontratat me agjensionin qendror të prokurimit” ka theksuar Kastrati.

I pari i Kamenicës, ka treguar se përse është mbyllur ambulanca e fshatit në Hodonoc, të cilët e shfrytëzonin edhe banorët serb të këtij fshati, e tani janë të detyruar të shkojnë në Ranilug, kurse qytetarët shqiptarë në Roganë.

“Është me rëndësi me e theksu që nuk e kena mbyll asnjë ambulantë, ka shumë ambulanta në Komunën e Kamenicës. Ne duhet me i rregullu shërbimet mobile sa më shumë, nëse ki territor shumë të madh dhe të shpërndam, shërbimin duhesh me ia ofru atyre të shpia, nëse kanë nevojë edhe nëse nuk i kanë mundësitë”, tha Kastrati.

Komuna e udhëhequr nga Qëndron Kastrati, është komuna e 19-të me performancën më të mirë në qeverisjen lokale. Kamenica ka arritur të përmbushë 63.71 për qind të kritereve vlerësuese.

Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rogoqic në gjendje të keqe, pa sapun

Kamenica probleme me bërllok

Ashtu si në shumicën e Komunave të Kosovës edhe Kamenica ka problem me bërllok. Hodonoci, Hogoshti e Rogana janë vetëm disa nga fshatrat në të cilat gjenden deponi ilegale të mbeturinave.

Në Kamenicë janë 29 depooni ilegale të mbeturinave në tërë territorin e komunës.

Kryetari i Kamenicës ka thënë se e kanë caktuar deponinë e mbeturinave interne.

“E kemi caktu deponinë e mbeturinave inerte edhe aty është lokacioni, ajo është gati, aty munden me shku mbeturinat. Veç problemi është që duhet me u marrë si inspekcion ma shumë me këtë kujdesin më të madh që mos me i leju me u hudh”, ka treguar Kastrati.

Qëndron Kastrati ka zbuluar se në Komunën e Kamenicës, kur e ka marrë mandatin ai vetëm 23% e qytetarëve kanë marrë shërbimin për trajtimin e mbeturinave.

“Kur kemi shku ne në Komunën e Kamenicës veç 23 % e qytetarëve kanë qenë duke e marë shërbimin e trajtimit të mbeturinave . Ne mundet me na zbulu pak mbi 80 % kemi pasë me përfundu domethanë deri në këtë vit, por në vitin tjetër shkaku i pandemisë së vonesave, ky është problemi më i madh se ato mbeturina dikun duhet me u hudh e në momentin që t’i nuk krijon kontratë me ta. Për fat të mirë së bashku me GIZ-in dhe të tjerë jemi duke iu ofru kontinierët shtëpiak edhe të tjerat”, ka thënë Kastrati.

Deponia ilegale e bërllokut në Hogosht] FOTO-KALLXO.com

‘Zgjidhja’ e Qëndron Kastratit për olimpistët e Kamenicës  

Klubi më i suksesshëm në Kamenicë është klubi i Atletikës “Rogana”, atletët e këtij klubi kanë garuar edhe në lojëra olimpike, kampionate botërore, kampionate evropiane. Vijona Kryeziu dhe Musa Hajdari, kanë qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Rio 2006”, në Brazil.

Për vitin 2019, Komuna i ka ndarë vetëm 5 mijë euro për Klubin e Atletikës “Rogana”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati”, në debatin “Jeta në Komunë”,  ka thënë se i kanë përkrahur më shumë se vitet e tjera atletët e Roganës.

“Çka mundem me thanë është se ne e kemi përkrah më shumë se të gjitha vitet bashkë që janë përkrahë. Veç po du me u ndërlidh në raport me vitet mos të harrojmë i kemi pasur krejt 9 mijë euro për të gjitha kategoritë, përfshi edhe sportin. Nëse nuk gaboj një vit e kemi përkrahë me 10 mijë euro, kemi bërë marrëveshje ku ata marrin pagë çdo muaj, komuna së bashku me Komitetin Olimpik”, ka thënë Qëndron Kastrati në emisionin “Jeta në Komunë”.

Kastrati ka thënë se duhet të caktojnë një zonë dhe ta bëjnë një projekt së bashku me klubin e atletikës “Rogana”, për një vend ku do të mund t’i zhvillonin ushtrimet ky klub.

“Kërkesat e tyre çka janë tasht te na përveç një përkrahje më të dinjitetshme për me mujt me funksionu klubi janë me e caktu një zonë të caktume dhe së bashku me kriju një projekt ku ata munden me i zhvillu ushtrimet”, ka thënë Kastrati.

Zona e maleve të Kikës me potencial të madh për turizëm

Zona e maleve të Kikës ka potencial të madh për ta zhvilluar turizmin. Afër saj është edhe ujëvara e Hogoshtit. Së fundmi është nisur edhe nisma “KIKA Hill”. Në këtë priten të ndërtohen hotele e teleferik.

Për këtë kryetari Kastrati ka thënë që nuk do të lejojë ndotjen e këtij atraksioni.

“Tasht na e kena fitu një projekt me GIZ-in gjerman, jena tu e bo hartën zonale, vizioni dhe qëllimi i ynë është që në malësinë e Kamenicës me leju vetëm villa “Eco Friendly”, domethanë mos me leju ndërtim prej betoni”, ka theksuar i pari i Kamenicës.

Ai ka treguar se planifikohen të investohen për “Kika Hills”, mbi 6.9 milionë euro.

“Jemi në fazën e negociatave, unë mendoj që kjo s’ka ndodh në kohën time, kjo është përfundu, është projekti më i mirë në Kosovë edhe në Kamenicë që ka ndodhur energjia e ripërtrishme, madje e ka rritë edhe potencialin për turizëm malor”, ka theksuar ai.