Ilustrim - Foto: KALLXO.com (29.08.2022)

Policia e Kosovës demanton lajmin që njësia speciale u nis për në veri

Media online “Koha.net”, në faqen e vet në Facebook ka publikuar një video me mbishkrimin se njësia speciale e Policisë së Kosovës po nisen drejt veriut pas vendimit të serbëve që të dalin nga institucionet e Kosovës.

Lajmi që njësitet speciale janë nisur drejt Mitrovicës është ripublikuar edhe nga disa media në Serbi, siç janë Kurir, Novosti, Alo.rs… Megjithatë, Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar informatën për nisjen e njësive speciale për veri.

Në videon e publikuar nga “Koha.net” shihen dy autoblinda të Policisë së Kosovës duke lëvizur në drejtim të panjohur me mbishkrimin “Njësitet speciale të Kosovës nisen drejt Mitrovicës”.

Media serbe “Novosti” ka shkruar – “KURTI DO LUFTË: Njësitë speciale të ROSU janë nisur për Mitrovicë” me njoftimin që burim i lajmeve është Tanjugu.

Media tjetër serbe “Kurir” kishte titull gati identik: “KURTI DO LUFTË: Njësitë speciale të ROSU janë nisur për veri të Kosovës KOLONA E AUTOMJETEVE LUFTARAKE NË KËTO MOMENTE LËVIZ DREJTË MITROVICËS”.

Ndërsa lajmin e njëjtë me titull ndryshe e ka publikuar edhe portali Alo.rs: “PROVOKIMI I RADHËS NGA KURTI Ka dërguar njësitë speciale të ROSU drejt Mitrovicës!”

Shumë shpejt pas përhapjes së lajmit, Policia e Kosovës doli me një njoftim.

“Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media” – njoftuan Policia e Kosovës.

Më tej kanë thënë se Policia e Kosovës sipas nevojës dhe vlerësimeve operative do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

Nga Policia e Kosovës theksojnë se janë në përcjellje të zhvillimeve në Kosovë, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bën vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për t’u përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin” – thuhet në njoftim.