Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Planifikohet që nga janari i vitit 2023 të nisë vendosja e 1 mijë pajisjeve për matje të zhurmës në kafeteritë në Prishtinë

Komuna e Prishtinës do të nisë vendosjen e pajisjeve për matje të zhurmës e kafeterive/bareve nga janari i vitit 2023.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.

Ajo ka treguar që gjatë kësaj kohe janë finalizuar punët për Rregulloren e gastronomisë që trajton zhurmën dhe orarin.

“Finalizuam punëtorinë e fundit për propozim rregulloren e gastronomisë që e trajton zhurmën dhe orarin. Do t’i vendosim 1,000 pajisje MadeInKosova për matjen e zhurmës së shkaktuar nga kafeteritë/baret në Kryeqytet nga janari 2023” – ka shkruar Sahatçiu.

Sipas saj, brenda pak ditësh do të fillojnë edhe me diskutime publike për këtë rregullore.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për planin e komunës lidhur me matjen e zhurmës në lokale.

Në prill të këtij viti komuna kishte ndarë 180 mijë euro për blerje të senzorëve akustik për matje të zhurmës në qytet.

Kontrollimi i zhurmës/muzikës nëpër lokale ka qenë pjesë e premtimeve të kryetarit Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore.

Derisa, përfaqësuesi i Gastronomëve të Kosovës Arian Vranica për KALLXO.com pati deklaruar se janë të njoftuar për këtë vendim të komunës.

Mbetet të shihet nëse do ketë ankesa apo kërkesa për ndryshime gjatë diskutimit publik të rregullores.

Zonat me dendësinë më të madhe të lokaleve me muzikë e ndeja në kryeqytet janë ‘Qendra’ dhe ‘Mati 1’.

Gjatë vitit të kaluar policia dhe inspekcioni komunal kanë organizuar aksione vetëdiijësuese nëpër këto zona.

Komuna e Prishtinës ndan 180 mijë euro për blerje të senzorëve akustik që do masin zhurmën në lokale