rruga A

Pjesë e parë e ‘Rrugës A’ pritet të kushtojë 9,5 milionë euro

Komuna e Prishtinës ka shpallur tender për pjesën e parë të projektit ‘Rruga A’ që pritet të lidh lagjet ‘Mati’, ‘Prishtina e Re’ dhe ‘Kalabria’.

Sipas të dhënave, pjesa e parë pritet të ketë kosto deri në 9,5 milionë euro.

Në dosjen e tenderit bëhet e ditur se për kryerje të këtyre punëve Operatorët ekonomik që aplikojnë duhet të ofrojnë në minimum 50 punëtorë.

Tutje, aplikuesit duhet t’i ofrojnë dëshmi të kënaqshme Komunës se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit fiskale ka qenë prej jo më pak se 19,000,000.00 euro dhe se kanë përfunduar me sukses kontrata të ngjashme, (ndërtim i ultë) në vlerë minimale prej 14,250,000.00 euro, në tre vitet e fundit.

Lidhur me këtë projekt, sipas të dhënave në tender, Operatori ekonomik duhet të angazhojë personelin profesional të cilët duhet të kenë kualifikimet shkollore të mëposhtme:

-Udhëheqës i punishtes – Inxhinier i dip. ose Msc (drejtimi konstruktiv) – min. 10 vite përvojë pune, pas diplomimit. Të  ketë udhëhequr se paku dy projekte të natyrës së ngjashme të përfunduara të ndërtimit të ultë.

-Inxhinier i dip.ose Msc. i ndërtimtarisë (drejtimi konstruktiv) – min. 5 vite përvojë pune, pas diplomimit. Duhet të ketë mbikëqyrur së paku dy projekte të natyrës së ngjashme të përfunduara të ndërtimit të ultë.

-Inxhinier i diplomuar ose Msc. i hidroteknikës me 5 vite përvojë pune pas diplomimit. Duhet të ketë udhëhequr së paku dy projekte në lëminë e ndërtimit të largimit të ujërave të zeza ose sipërfaqësore ose furnizimit me ujë (Ujësjellësit).

-Inxhinier i diplomuar ose Msc. i elektroteknikës (drejtimi energjetikë) me 5 vite përvojë pune, pas diplomimit. Në ndërtimin e projekteve të ndriçimit publik ose kanaleve kabllovike ose të elektrifikimit.

-Një Inxhinier i diplomuar ose Msc. i makinerisë drejtimi i komunikacionit min. 5 vite përvojë pune.

-Një Inxhinier i diplomuar ose Msc. i gjeodezisë me 5 vite përvojë pune (i licencuar), ose marrëveshje me ndonjë inxhinier ose Msc. ose OE për shërbime me punët gjeodezike me inxhinier të diplomuar të gjeodezis dhe të licencuar dhe dy teknikë të ndërtimtarisë.

Projekti për ndërtimin e ‘rrugës A’ do kryhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Derisa, pjesa e dytë e rrugës në lagjen ‘Kalabria’ do nis pas zgjidhjes së kontesteve pronësore të komunës me disa pronarë të tokave në atë zonë.

Bashkë me ‘Rrugën A’ do ndërtohet edhe kolektori i ujërave të zeza që po paraqet problem për banorët në lagjet ‘Mati’ dhe ‘Kalabria’.

Komuna e Prishtinës pritet të ketë buxhet 105 milionë euro për vitin 2023, prej tyre mbi 40 milionë do alokohen për projekte të investimeve kapitale.