Pishina e Gërmisë, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook

Pishina e Gërmisë hap dyert më 28 qershor

Ndërmarrja Publike Komunale ‘Sport Marketing’ ka njoftuar se Pishina e Gërmisë do hap dyert më 28 qershor.

“Ju njoftojmë se Pishina e Gërmisë është duke përfunduar edhe përgatitjet e fundit dhe do të hap dyert për qytetarë me datën 28 Qershor”, thuhet në njoftim.

Pishina këtë vit do jetë në bashkëmenaxhim me operatorin privat ‘Sun Shine SH.P.K”, përfshirë shërbimet hoteliere. Ky operator u zgjodh më 10.06.2024 pas tërheqjes së operatorit fillestar që kishte lidhje me LDK-në, “Delice caffe SH.P.K”.

Më 28.05.2024, KALLXO.com raportoi se Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” në Prishtinë kishte shpallur thirrje për bizneset që të aplikojnë, ndër tjerash, për menaxhim të pishinës së vetme publike në kryeqytet, “Gërmia” .

Atë ditë, drejtori për Rini dhe Sport, i cili deri në muajin shkurt ishte edhe kryeshef i kësaj ndërmarrje, Bardh Krasniqi, tha se kjo thirrje nuk nënkupton privatizim, por bashkëmenaxhim.

Sipas kësaj thirrje, “Sport Marketing” shpall kërkesën për ofertim për të gjithë operatorët ekonomikë, për menaxhimin e pishinës duke përfshirë edhe inkasimin e biletave duke u bazuar në rregulloren e punës dhe çmimeve aktuale.

Po ashtu, ofrimin e shërbimeve hoteliere të cilësisë së lartë në lokacionet e planifikuara brenda hapësirave përcjellëse komerciale të pishinës për sezonën verore për të ofruar një plan kulturor, artistik dhe sportiv për vitet 2024-2025.

Shuma bazë e përcaktuar për ofertim për shfrytëzimin e pishinës dhe hapësirave komerciale gjatë sezonit 2024 – 2025 është 70 mijë euro për vit kalendarik, 140 mijë euro për dy vjet.

Sipas njoftimit të datës 28.05.2024, “Delice caffe SH.P.K” ishte renditur e para në këtë thirrje. Pronar i këtij biznesi deri më 29.05.2024, një ditë pas shpalljes së fituesit, sipas dosjes së siguruar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, figuronte Shpend Avdyli,  sekretar i degës së tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kompania “Delice Caffe” Sh.p.k më pas është tërhequr. Kështu njoftoi kjo ndërmarrje përmes një njoftimi në “Facebook” më 30.05.2024 duke mos bërë të ditura arsyet.

“Ju njoftojmë se Operatori Ekonomik i shpallur fitues dhe i vetmi aplikues në konkursin e shpallur për thirrjen publike për bashkëmenaxhimin e Pishinës së Gërmisë, është tërhequr nga konkursi” – thuhet në njoftimin e “Sport Marketing” , derisa po atë ditë ishte rishapllur thirrja.

Më 10.06.2024 Sport Marketing bëri të ditur se ofertuesi ‘Sun Shine SH.P.K’ ishte renditur i pari për menaxhim të Pishinës dhe shërbimet hoteliere në bazë të cmimit të ofruar.

Tërhiqet kompania e zyrtarit të LDK-së që fitoi në thirrjen e menaxhimit të pishinës ‘Gërmia’ në Kryeqytet