Pezullimi i tenderit për ndërtimin e sheshit "Xhorxh Bush", Komuna e Prishtinës del me sqarim
Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media ka sqaruar se procedura e prokurimit për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ është pezulluar si shkak i një ankese nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, masë kjo e paraparë me ligj.
Komuna lëshoi këtë reagim pas raportimeve se ishte pezulluar procedura për shkak të shkeljeve ligjore.
“Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore a as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”- ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet komunikatës së lëshuar më 12.09.2024.
Tutje, sipas komunës, të gjitha keqinterpretimet dhe deklaratat tendencioze për shkelje ligjore në këtë aktivitetet janë të pasakta dhe tendencioze.
“Kryeqyteti i siguron qytetarët se ka zbatuar me përpikmëri legjislacionin në fuqi për këtë aktivitet si edhe për çdo aktivitet tjetër”- thuhet më tej nga komuna.
Komuna e Prishtinës në gusht ka nisur procedurat për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’. Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.
Krijimi i një sheshi të Katedralja ka qenë pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri të Posta e Madhe që më pas lidhet edhe me Xhaminë në Dardani e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri tek rrethi me flamur në ‘Ulpianë’.
Krijimi i sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish kryetarit, Shpend Ahmeti, projekt ky si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën.
Plani i mobilitetit i punuar nga Mott MacDonald në vitin 2019 është plan 12 vjecar që përfshinë disa reforma në infrastrukturën e qytetit, përfshirë shtigjet e ciklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj.
Projekti për sheshin ‘Xhorxh Bush’ pritet të kushtojë mbi 18 milionë euro