Përparim Rama viziton një nga 18 pikat e reja ushqyese për qentë endacak

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka vizituar pikën ushqyese për qentë endacak në Kampusin Universitar të Prishtinës.

Rama këtë vizitë e bëri si pjesë të projektit për montim të 18 pikave të reja për qentë endacak nëpër lagje të ndryshme të qytetit.

“Sot jemi këtu në një prej 18 pikave të reja ushqyese për qentë endacak nga 23 në tërësi. Arsyeja e intervenimit të shpejtë është për të ngritur sigurinë e qytetarëve. Në bazë të analizave të mëparshme, në zonat ku ka pasur pika ushqyese ka pas më pak ose fare sulme prej qenve”, ka thënë Rama.

Rama tha se si komunë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme sa i përket gjendjes me qentë endacak.

Ai tha se këtu bënë pjesë edhe rregullorja për regjistrim të qenve nga ana e pronarëve.

“Përveç këtyre pikave, kemi shpallë edhe gjendje të jashtëzakonshme në relacion me qentë endacak, që të mund të marrim masa të shpejta si p.sh rregullorja që shtyn regjistrimin e qenve nga ana e pronarëve në mënyrë që të jepet përgjegjësi”, shtoi tutje i pari i Prishtinës.

Kryetari tutje potencoi edhe faktin që në asamble kanë kaluar pikën për ndarjen e 10 hektarë tokë për trajtim të kafshëve, më fokus qenve endacak.

“Problemi i qenve duhet të trajtohet në nivel vendi, pasi vetëm Prishtina nuk mund ta zgjidhë këtë. Po ashtu kemi kaluar në asamble edhe përcaktimin e lokacionit të ri 10 hektarësh për trajtim të kafshëve, tani po bëhen matjet dhe përgatitjet”, shtoi tutje ai.

Rama tha se këto pika do mbushen një herë në ditë, por do i monitorojnë nëse ka nevojë për më shumë.

Komuna në mars të këtij viti ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 78 mijë euro për montimin dhe furnizimin e 18 pikave ushqyese për qentë endacakë.

Në kontratë përfshihen shërbimet si: Furnizmi, shpërndarja e ushqimit për qentë endacak, montimi dhe ndërtimi i 18 pikave ushqyese.

Më 18 shkurt të këtij viti, kryetari i Komunës, Përparim Rama miratoi vendimin për formimin e grupit punues për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë.

Pjesë e këtij grupi janë një ekip i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të pushtetit Lokal, Ministrisë së Bujqësisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Projekti për pikat ushqyese është nisur fillimisht nga ish qeverisja e Shpend Ahmetit, në fillim të vitit 2021, komuna hartoi pesë pika ushqyese për qentë në disa lagje të qytetit.