
Përparim Rama: Jemi në bisedime për blerje të 50 minibusëve për lidhje të fshatrave me kryeqytetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës është duke negociuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) blerjen e 50 minibusëve.
I pari i Prishtinës dha këtë koment në seancën e Kuvendit Komunal, ku po diskutohej për linjat e trafikut urban dhe mundësia për zgjerim në zona rurale.
“Sa i përket linjave të autobusëve kemi një strategji në zhvillim e sipër, një masterplan për gjithë kryeqytetin, për linjat e reja. 30 autobusët e rinj që do i marrim përmes kredisë me BERZH do na ndihmojnë shumë, mirëpo jemi në negocim me ta edhe për 50 minibusë që bëjnë ndërlidhje nga fshatrat nëpër pikat kryesore të kryeqytetit”- ka deklaruar Rama.
Sipas Ramës, këta minibusë do të jenë elektrikë.
Ditë më parë kryetari i Prishtinës ka nënshkruar marrëveshjen për kredi me BERZH për blerje të 30 autobusëve për Trafikun Urban.
Gjashtë prej këtyre janë autobusë elektrikë (me bateri) dhe njëzet e katër të modelit EURO VI, së bashku me infrastrukturën për karikimin e tyre.
Autobusët Euro-VI janë autobusë të rinj me naftë në përputhje me standardin e emetimeve Euro-VI, i cili kufizon emetimet që ata prodhojnë.
Trafiku Urban aktualisht ka në pronësi 51 autobusë, po ashtu të blerë përmes një kredie me BERZH.
Shtimi i flotës së autobusëve është pjesë e planit të mobilitetit për kryeqytetin.
Përmes këtij plani Prishtina do ketë 160 autobusë që do mbulojnë linjat e qarkullimit, 80 të ndërmarrjes komunale dhe 80 të kompanive private.
Komuna po ashtu ka nisur punën në reformat që do bëhen në transportin publik prej vitit të ardhshëm sa i përket linjave dhe sistemit të integruar të biletave.
Autobusët e rinj të Trafikut Urban pritet të vihen në qarkullim në fund të 2023