Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përparim Rama ende nuk ka thirrur seancën për dorëzim-pranim të detyrës së kryetarit

Prishtina ende nuk e ka ndonjë datë zyrtare se kur do bëhet dorëzim-pranimi i detyrës nga kryetari në largim Shpend Ahmeti te kryetari i zgjedhur Përparim Rama.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, seanca inauguruese e Kuvendit Komunal duhet të thirret nga kryetari i zgjedhur 7 ditë pune para ditës së mbajtjes së seancës.

Nënkryetari aktual i Komunës, Muhedin Nushi, për KALLXO.com ka deklaruar se janë në pritje të thirrjes së seancës.

“Kryetari i ri e ka obligim thirrjen e mbledhjes konstituive të Asamblesë Komunale, ne jemi ende në pritje”, ka thënë Nushi.

KALLXO.com ka tentuar të marrë deklarim edhe nga kryetari i zgjedhur Përparim Rama, i cili aktualisht gjendet në Angli, për caktim të datës së seancës, por deri në momentin e publikimit nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave është mbajtur më 14 nëntor, kurse certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bë më 20 nëntor.

Derisa, kryetari në largim Shpend Ahmeti në zgjedhjet e datës 1 dhjetor të vitit 2013 doli fitues i garës, kurse betimin e kishte bërë më 26 dhjetor.

Kurse, në zgjedhjet e vitit 2017, Ahmeti mori mandatin e dytë në kryeqytet më 19 nëntor, ndërsa betimin e bëri më datë 20 dhjetor.