Foto: QMF 'Dardania'/Facebook
Përparim Rama emëron zyrtarë për monitorim të punës së Institucioneve të Kujdesit Primar Shëndetësor
Ditë më parë kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama ka miratuar vendimin për emërimin e zyrtarëve për monitorim të punës së Institucioneve të Kujdesit Primar Shëndetësor.
Zyrtarët e cekur në pikën e këtij vendimi janë: Muhamet Përvetica, Drejtoria për Shëndetësi, Valdet Hashani, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), Arta Makolli-Kadriu, Qendra e Mjekësisë Urgjente (QMU) dhe Besnik Krasniqi po ashtu nga QMU.
Anëtarët e lartcekur do t’i raportojnë Kryetarit të Komunës dhe Drejtorisë së Shëndetësisë lidhur me mbarëvajtjen e punës në pikat e kujdesit primar shëndetësor.
Në komunën e Prishtinës aktualisht janë 16 pika të qendrave të mjekësisë familjare (QMF) me gjithsej 871 mjekë të angazhuar në kryerje të shërbimeve.
Derisa, është në prag të finalizimit edhe qendra tjetër familjare në lagjen ‘Veternik’.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë, në 6 mujorin e parë të këtij viti kanë qenë rreth 540 mijë vizita mjekësore, 450 mijë shërbime shëndetësore, 530 mijë shërbime laboratorike, 74 mijë shërbime stomatologjike dhe 15 mijë shërbime radiologjike.
Në total rreth 1, 6 milionë shërbime të dhëna nga QMF-të e Prishtinës.