Për herë të tretë dështon miratimi i buxhetit të Prishtinës për 2025
Përmes një seance të jashtëzakonshme Komuna e Prishtinës, për herë të tretë, dështoi të miratoj buxhetin për vitin 2025.
Partitë opozitare LVV dhe PDK deklaruan se nuk janë përfillur kërkesat e tyre lidhur me draftin e buxhetit. Pas deklarimeve, grupi i LVV lëshoi sallën duke pamundësuar kuorum për vazhdim tutje me hedhje në votim.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla tha se nuk ka logjikë që janë thirrur në seancë të jashtëzakonshme e kryetari mungon.
“Kjo nuk ka kurrfarë logjike, si me të thirr në dasmë e mos të jetë i zoti i shtëpisë. Pse ua kemi borxh t’i besojmë një vizioni tuaj. Asgjë nuk ka ndryshuar prej draftit të shtatorit, ne si grup nuk kemi nevojë të ndryshojmë qëndrime, prandaj ne nuk kemi as çfarë kërkojmë këtu, do lëshojmë sallën”- deklaroi ai.
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri po ashtu kërkoi që t’u plotësohet kërkesa për diskutim publik lidhur me draftin e buxhetit.
“Kryetari i komunës e ka thirrë seancën për buxhet e vetë nuk vjen. Unë dhe grupi i kemi 5-6 pyetje për kryetarin. Pse nuk ka bërë kryetari dëgjim publik për draftin e buxhetit. Të sillet buxheti në seancë të jashtëzakonshme, e ai i zakonshmi ose jashtëzakonshmi të mos jetë këtu, është hajgare. Po ik prej përfaqësueseve të qytetarëve e protestueseve”- u shpreh ai.
Drejtoresha e Financave Valbona Makolli bëri të ditur se kryetari Përparim Rama është jashtë vendit në një udhëtim zyrtar, derisa luti asamblenë të miratoj buxhetin për të shmangur bllokadën si shkak i zgjedhjeve në nivelin qendror.
“Për shkak të zgjedhjeve në nivelin qendror ju lutem shumë të aprovohet ky buxhet, arsyeja është se ligji parasheh që deri më 1 mars të pritet miratimi i buxhetit kur janë rrethanat e zakonshme, por prej muajit janar, ministrit të financave dhe komitetit për politikë dhe financa ju shuhet pozita e vendimmarrjes. Nëse sot nuk e votoni buxhetin, këto sfida nuk mund t’i tejkalojmë për shkak të zgjedhjeve, edhe nëse votohet në dhjetor, ai do jetë i pavlefshëm”- bëri të ditur Makolli.
E nënkryetari Alban Zogaj u shpreh se ky buxhet tashmë ka kaluar në disa dëgjime publike.
“Buxheti ka kaluar në disa dëgjime me të gjitha palët e interesuara, kemi pas dëgjim edhe me asamblenë dhe drejtorët. Nuk është buxhet i bërë në zyrë dhe larg realitetit. Refuzimi për ta votuar buxhetin nuk është dënim për qeverisjen tonë, por për qytetarët e Prishtinës”- tha Zogaj.
Sami Borovci nga AAK iu kundërpërgjigj opozitës lidhur me ankesën e tyre pse kryetari nuk ishte i pranishëm në seancën që vetë e kishte thirrur.
“Buxheti për mua është vota më e rëndësishme që unë e jap në këtë Kuvend brenda një mandati. Kisha pas qejf sot të jetë kryetari Rama, por unë jam që tre mandate në këtë Kuvend Komunal dhe një send dua të them se kurrë kryetar që ka marr pjesë në seanca të Kuvendit më të rregullt se Përparim Rama nuk ka pas” – tha Borovci..
Buxheti i komunës ka dështuar të hidhet në votim dy herë gjatë muajit shtator në mungesë kuorumi. LDK nga shkurti i këtij viti me daljen e PDK-së nga koalicioni qeverisës, qeverisë me pakicë në Kuvendin Komunal, gjë që ia vështirëson miratimin e shumë vendimeve.
Buxheti për vitin 2025 për Prishtinën pritet të jetë 128 milionë euro.
Për herë të dytë dështon miratimi i buxhetit të Prishtinës për 2025