FOTO: Komuna e Ferizajt 23.07.2021

“Pastërtia” në Ferizaj furnizohet me 800 kontejnerë mbeturinash, por s'janë të mjaftueshëm

800 kontejnerë për mbeturina komuna e Ferizajt i ka dhuruar sot kompanisë “Pastërtia”, 50 nga ta me kapacitet 1.1 metra kub dhe 750 kontejnerë shtëpiak 120 litërsh.

Menaxheri i kompanisë së Mbeturinave “Pastërtia”, Gazmend Ismajli, shprehet i kënaqur për donacionin e pranuar, por ai thekson se kanë ende nevojë për më shumë kontejnerë.

“Jo, nuk janë të mjaftueshëm na duhet ende, por sado pak na kryejnë punë”, tha ai për KALLXO.com.

750 kontejnerë janë ndarë për familjet të cilët jetojnë në shtëpi, por Ismjali potencon se janë pikërisht këto familje të cilët kanë mungesë të theksuar të kontejnerëve për mbeturina.

“Një pjesë e qytetit duhet të pajisen me kontejnerë. Kontejnerët e 120 litrave. Jo për ata që jetojnë nëpër banesa por nëpër shtëpia. Kemi mungesë të theksuar, por për 750 familje do t’i pajisim me këto”, thotë ai.

Ismajli potencon se sa më shumë që qyteti të pajiset me kontejnerë, aq më shumë do të mirëmbahet pastërtia, ndërsa potencon se për shkak te mbeturinave të shumta, janë detyruar që të mbledhin mbeturina dy herë në javë.

“Në lagje të re e në çdo rrugicë e kam pas një herë në javë ndërsa tash jam duke u munduar me dërgu ekipet dy herë brenda javës, sepse ka shumë mbeturina”, thotë ai.

Apeli i tij për qytetarët është që të kenë durim pasi që kompania është duke bërë përpjekje maksimale që të pastrojë secilën lagje e rrugicë të qytetit.

Ndërsa, sa i përket problemeve me kamionë dhe pajisje tjera të punës, për të cilën pati raportuar KALLXO.com, Ismajli thotë se kanë defekte herë pas here por të cilat janë të menaxhueshme.

FOTO: Komuna e Ferizajt 23.07.2021


FOTO: Komuna e Ferizajt 23.07.2021

FOTO: Komuna e Ferizajt 23.07.2021

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.