Projekti origjinial i 'Pallatit te Rinise dhe Sporteve'

Pallatin që nuk e gëzoi rinia prishtinase

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga projektet më ikonike të qytetit që u ndërtua në kohën e ish-Jugosllavisë.

Hartimi i këtij projekti nisi në kohën kur Prishtina po përjetonte shndërrime të mëdha në infrastrukturë, pasi deri në vitet ’70-ta, Prishtina konsiderohej si qytet me karakter kryesisht osman.

Shndërrimi i infrastrukturës me anë të ndërtimit të këtij Pallati synonte t’i jepte qytetit një tjetër karakter.

Pallati u planifikua që të jetë një përzierje e kulturës, sportit, tregtisë e ekonomisë, të gjitha këto përmes platformave lidhëse mes vete.

Historiku i ndërtimit

I ndërtuar në vitin 1977  si projekt i arkitektëve Zhivorad Jankoviq dhe Halid Muhasiloviq, pallati paraqiste pjesën më atraktive të përmbajtjes së Qendrës, vazhdon të jetë e tillë edhe në ditët e sotme.

Derisa, punimet për këtë pallat u kryen nga kombinati ndërtimor industrial ‘Ramiz Sadiku’.

Pallati ka sipërfaqe shfrytëzuese prej 8,136 m² me kapacitet të sallave për 11 mijë persona, arena e madhe kapacitet për 8 mijë persona dhe arena e vogël për 3 mijë persona, duke përjashtuar qendrat tregtare.

Pallati fillimisht u quajt “Boro dhe Ramiz” sipas dy partizanëve të Luftës së Dytë Botërore dhe heronjve të popullit të ish-Jugosllavisë, Boro Vukmiroviç dhe Ramiz Sadiku. Vukmiroviç ishte serb, ndërsa Sadiku ishte shqiptar, prandaj u emërua kështu për të simbolizuar vëllazërinë dhe bashkimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërsa, pas luftës Pallati mori emrin e komandantit legjendar Adem Jashari.

Projekti origjinial i ‘Pallatit te Rinise dhe Sporteve’

“Pallati i Rinisë” në Prishtinë si kompleks u hartua në atë mënyrë që  do përfshinte manifestimet e karakterit të ndryshëm si shoqëror, publik, kulturor, zbavitës, sportiv-rekreativ, ekonomik.

Përpos fondeve nga ish Federata, Pallati është i ndërtuar edhe nga mjetet e vetë kontributit të qytetarëve të regjionit të Prishtinës, atë kohë banorët e punësuar ndanin 2% të pagës për ndërtimin e Pallatit të Rinisë.

Përtej projektit të qendrës rinore, ka qenë në plan që platoja e Pallatit të zgjatet deri te qendra apo deri tek bulevardi ‘Nënë Tereza’, prej hotelit Grand si pikë hyrëse deri tek pjesa e platosë, e gjitha do lidhej me një urë në ajër, pra do ndërtohej një shesh i ngritur në ajër.

Kjo, sipas projektit fillestar përshtatej edhe me nivelin e relievit në këtë zonë, platoja pritej të kishte zgjatje edhe tek pjesa prapa ku planifikoheshin pishinat e deri tek lidhja me stadiumin.

Kjo pjesë e projektit nuk është përfunduar por ekziston në planet e ndërmarrjes që tani është në menaxhim të komunës së Prishtinës.

Po ashtu, pjesa mbrapa ku gjenden pishinat e hapura dhe të mbyllura nuk është realizuarr kurrë, aty  ka qenë në plan që përpos pishinave të ketë edhe fasilitete të tjera sportive.

Pas viteve ’80-ta, me demonstratat e studentëve dhe përkeqësimin e  gjendjes politike e ekonomike, fondet që kanë qenë të ndara për projektin nuk u alokuan më tutje dhe projekti nuk u realizua deri në fund.

Djegia e Palestrës së madhe në vitin 2000

Ndërtimi i tërësishëm i pallatit të rinisë përpos që mbeti në gjysmë gjatë viteve ‘80-ta, e pësoi edhe një dëm të madh një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Më 25 shkurt të vitit 2000 palestra më e madhe e këtij pallati u përfshi nga zjarri, duke dëmtuar tërësisht pjesën brenda dhe kulmin.

Atë kohë me donacionet e dedikuara nga UFORK-u në shumë prej 1,450,000 euro dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shumë prej 113,000 euro, është kryer rekonstruktimi i kulmit, fasadës, xhamave dhe kupolave, por palestra nuk u prek.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që kishte përfshirë këtë sallë, por thuhet se mund të ketë qenë problem i energjisë elektrike.

Para luftës, pjesa poshtë e kësaj salle kishte qenë e dhënë me qira për biznese, e që kryesisht kanë qenë ndërmarrje të shqiptarëve.

Derisa, pas luftës si objekt shoqëror pallati u fut në Agjencionin e Mirëbesimit që më pas u shndërrua në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në vitin 2018 me anë të ligjit për Prishtinën ndërmarrja ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’ kaloi në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Prej asaj kohe, komuna nuk ka bërë ndonjë ndërhyrje përpos pagesës së borgjeve që kishte ndërmarrja.

Lidhur me revitalizimin e Sallës së Djegur nga komuna është deklaruar se nevojiten deri në 15 milionë euro.

Sipas tyre, një investim i tillë mund të bëhet vetëm përmes ndonjë donacioni apo kredie, kurse sot kjo palestër shfrytëzohet si parking për makina.

Palestra e djegur ‘Pallati i Rinise dhe Sporteve’

Hapat e ardhshëm të zhvillimit

Projekti A: Rekonstruktimi i tërësishëm i Pallatit Universal:

Synimi kryesor i ndërmarrjes për zhvillim tutje të projektit është rikonstruktimi i sallës së djegur në vitin 2000.

Projekti B: Pishinat e mbyllura dhe të hapura:

Si pjesë e kompleksit është paraparë ndërtimi i pishinave të mbyllura dhe të hapura me sipërfaqe prej 6,000 m2. Në këto hapësira është paraparë zhvillimi i të gjitha llojeve të notit për stërvitje deri të mbajtja e garave kulminante sportive.

Në këto hapësira janë paraparë këto përmbajtje:
– Pishina olimpike me pajisjet për vaterpoll dhe kërcime në ujë;
– Pishina për stërvitje;
– Pishina për fëmijë me lokale tjera përcjellëse.

Sipas ndërmarrjes ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’, ekzistojnë projektet për pishinat vetëm duhet përcjell trendet bashkëkohore të ndërtimit.

Projekti C: Qendra e re tregtare dhe Garazha nëntokësore

Dikur ka qenë ideja që nën Pishinën Olimpike të ndërtohet një qendër e re tregtare dhe nën të një Garazhe publike nëntokësore tre-katër katëshe, por mbetet të shihet si do rrjedhë në hapat e ardhshëm që merr komuna.

Projekti D: Terrenet e hapura sportive:

Në kuadër të Qendrës është paraparë ndërtimi i një mori objekteve sportive në hapësira të hapura.
Kështu që është paraparë fusha për hendboll me tribunat përcjellëse për afro 2,000 vizitorë, dy fusha për tenis, dy fusha për basketboll dhe tri fusha për volejboll. Së bashku me stadiumin e futbollit është paraparë edhe ekziston projekti për ndërtimin e fushës ndihmëse futbollistike me hapësirat përcjellëse dhe shtigjet për stërvitje (Disa prej këtyre fasiliteteve ekzistojnë brenda qendrës).

Në kuadër të Stadiumit Futbollistik është paraparë të ndërtohet edhe Platoja e të Rinjëve, lidhur me Platon e Qendrës tregtare.

Projekti E: Hoteli i sportistëve me objektet përcjellëse:

Me programin inventiv të ndërmarrjes është paraparë edhe ndërtimi Hotelit Sportiv dhe objektet përcjellëse, këto të fundit të gjitha si pjesë e projektit origjinal të mbetur në gjysmë.

Hoteli i sportistëve përbëhet prej dy ndërtesave. Në pjesën e re lidhëse që do të ndërtohet në mes të dy ndërtesave është paraparë të bëhet pjesa hyrëse, recepcioni, restorani me repartin e kuzhinës, ndërsa në kat kafeneja me repartin e kuzhinës. Objekti i tillë i koncentruar do të kishte sipërfaqe prej 6,930 m2.

Nga përfaqësues të ndërmarrjes thonë se ekziston programi dhe arsyeshmëria për ndërtimin e Hotelit të sportistëve me objektet përcjellëse si dhe pëlqimi nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Komunal të  Prishtinës, Odës Ekonomike dhe Lidhjes Turistike të Kosovës.

Projekti F: Platoja lidhëse e Pallatit me Hotel Grand

Në kuadër të kompleksit është paraparë të ndërtohet Ura Lidhëse e cila lidh Platonë përmbi Qendrën tregtare dhe Platonë e Hotelit Grand. Ekziston projekti i cili gjendet në Drejtorinë për rregullimin e Tokës, por që nga shumë njohës të urbanizmit e arkitekt shihet si diçka e parealizueshme në ditët e sotme.

Më poshtë gjeni objektet të cilat janë ndërtuar dhe ato që janë pjesë e hapave të ardhshëm të zhvillimit në kuadër të projektit ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’.