Foto: KALLXO.com

Nga punimet e një kompanie u dëmtohet rruga, banorët në rrugën “Afërdita Ukshini” mbesin të “bllokuar”

Banorët e rrugës ‘Afërdita Ukshini’ në lagjen “Veternik” të Prishtinës kanë mbetur të “bllokuar” për shkak të dëmtimit të rrugës nga punimet nga një kompani, e cila ka filluar përgatitjet për ndërtimin e ndonjë objekti banesor.

Qytetarët e kësaj lagjeje kanë mbetur pa qasje në rrugën kryesore ‘Holger Petersen’ dhe nuk kanë një rrugë tjetër alternative për të kaluar.

Madje, një banor ka thënë se për shkak të bllokimit të rrugës, vëllai i tij, mërgimtar, ka mbetur pa shkuar në Gjermani pasi që e ka pasur të pamundur të kalojë në rrugën ‘Holger Peterson’.

“Këtu më një fjalë është tmerri, vëllai ka pasë me shku sot për Gjermani, i kanë mbetur dy veturat në oborr, s’mundet më shku. Kah ka me shku? Me fluturu s’mundet” – thotë qytetari Adem Selimi.

Qytetarët e kësaj pjese thonë se e kanë njoftuar edhe Komunën për këtë problem por Komuna, sipas tyre, nuk ka ndërmarrë diçka për përmirësimin e gjendjes së rrugës.

“Dje ka dalë një inspektor këtu i ka vendosë vetëm këta shirita, këta shirita i kishim vendosë edhe na vetë, s’ka pasë nevojë më ardhë ata deri këtu me u mundu hiç” – ka deklaruar qytetari i kësaj lagjeje Adem Selimi.

Ndërkaq, banori Gurnar Bajqinofci, i cili ka shtëpinë shumë pranë vendit ku po zhvillohen punimet, thotë së janë të rrezikuar pasi që nuk ka as masa mbrojtëse dhe kjo mund t’u kushtojë me humbje jete.

“Këta po na rrezikojnë banimin, edhe fëmijët, sepse këtu e kam shtëpinë edhe nuk kanë qitë as masa mbrojtëse. Fëmija nuk e di çka ka mbrapa atyre grilave dhe mundet me ra edhe me e humbë jetën” – ka thënë banori Gurnar Bajqinofci.

Gjithashtu, për shkak të këtyre punimeve banorët tregojnë edhe për problemet që kanë me furnizimin më ujë dhe për dëmtimin e gypave të kanalizimit.

“Siç po e shihni rruga u prishë, kanalizimi u prishë, uji u prishë d.m.th. të gjitha. Po na neglizhojnë shumë” – ka theksuar qytetari Bajqinofci.

Ndërsa, Abaz Kadriu, banor në këtë zonë, thotë se edhe pas shumë ankesave drejtuar institucioneve përgjegjëse për dëmet e shumta të shkaktuara nga këto punime gjoba me të cilën Inspektoratë ka dënuar kompaninë është vetëm 500 euro derisa punimet po vazhdojnë.

“Prej marrjes të lejes për ndërtim kam bo ankesa për shkak të pengesës që na bëhet ne si lagje këtu, mirëpo nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ana e Komunës ose Inspektoratit. Kam dhjetëra email dërguar rreth dëmeve që m’i kanë shkaktuar, fillimisht me rrethojë, tri herë vërshime, oborri me ujë tani po e shihni rrugën, kanalizimin, ujin nga dy-tri ditë pa ujë mbesim, ndërsa Inspektorati ma ka kthyer përgjigje e kemi dënuar 500 euro kompaninë” – thotë banori Abaz Kadriu.

Banorët i bëjnë thirrje Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë masa që të rregullohet ky problem pasi që kanë mbetur të bllokuar.

Lidhur me rastin, Kallxo.com i ka dërguar pyetje Policisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, por deri në publikimin e këtij artikulli këto dy institucione nuk kanë kthyer përgjigje.