FOTO: Komuna e Prishtinës, Facebook

Në 2022, Komuna e Prishtinës pritet ta ketë buxhetin mbi 90 milionë euro

Gjatë javës së kaluar Komuna e Prishtinës ka mbajtur diskutime publike me të gjitha drejtoritë ku është diskutuar për projektet dhe planifikimin e buxhetit për vitin 2022.

Drejtoresha e Financave në Komunë, Valbona Makolli, për KALLXO.com ka deklaruar se në bazë të dëgjimeve të para pritet që buxheti për vitin 2022 të jetë 90 milionë e 666 mijë euro, shumë kjo që mund të ndryshojë pas dëgjimeve tjera.

“Sipas Qarkores së Parë të Ministrisë së Financave për vitin 2022 do të kemi përafërsisht 90,666,000.00 euro së bashku me Ligjin për Kryeqytetin mirëpo kjo shumë nuk është përfundimtare dhe tash pas dëgjimeve buxhetore pritet ta pranojmë Qarkoren e dytë/2022 nga MF dhe aty do ta kemi shumën e saktë për buxhetin e vitit 2022”, ka thënë Makolli.

Sipas saj, buxheti pritet të jetë më shumë i fokusuar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave.

Makolli potencoi se këtë vit ka më shumë shpenzim buxheti në krahasim me vitin 2020.

“Ka shpenzime më të mëdha të buxhetit në krahasim me vitin 2020, kur shumë projekte kanë stagnuar si pasojë e situatës me COVID-19, gjatë këtij viti është duke u punuar në realizim të tyre”, shtoi tutje Makolli.

Prishtina në pjesën e parë të këtij viti kishte bartur mbi 34 milionë euro të pashpenzuara nga buxheti i vitit 2020.

Tek planifikimi i buxhetit për vitin 2022 nuk është përfshirë edhe buxheti që pritet të bartet nga ky vit, pasi një proces i tillë zakonisht kryhet pas vitit të ri.

Prishtina bart mbi 34 milionë euro të pashpenzuara nga viti 2020 në 2021