Ndryshimi i dizajnit të pritoreve të autobusëve, një nga prioritetet e qeverisjes në Prishtinë

Ndërhyrja në pritoret e autobusëve nëpër stacione janë ndër punët e para që ka nisur drejtori i ri i shërbimeve publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.

Ai në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se po punojnë në një dizajn të ri për pritoret duke mos dëmtuar buxhetin e komunës, por të mbeten me kontratën e njëjtë.

“Kemi filluar të punojmë në këtë drejtim, me qëllim që të kemi një dizajn tjetër të pritoreve, që do të thotë shumë më të përshtatshëm dhe në të njëjtën kohë të mos dëmtojmë buxhetin e Komunës, duke mbrojtur kontratën ekzistuese”, ka thënë Musliu.

“Qëllimi ynë është që operatori i njëjtë, pa kosto shtesë, të ndryshojë dizajnin e pritoreve. Nëse kjo ndodh, atëherë për ne si Drejtori gjithçka është në rregull”, shtoi tutje Musliu.

Musliu theksoi se arsyet pse kanë marrë një vendim të tillë është se ka pasur shumë ankesa nga ana e qytetarëve.

Në vitin 2020, Komuna e Prishtinës nisi procesin për ndërrimin e 150 pritoreve nëpër qytet, ky projekt nuk ka përfunduar në tërësi pasi operatori ekonomik që kishte tenderin u tërhoq nga projekti në shtator të 2021 si shkak i rritjes së çmimit të metalit.

Kjo kontratë, Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 292 mijë e 500 euro.

Pritoret pritej të pajiseshin me panele informuese për qarkullimin dhe orarin e autobusëve si dhe me wifi.

Ish-kryetari Shpend Ahmeti, pati deklaruar se u duhet të shtojnë ende buxhet për t’u kompletuar ky projekt, pasi sipas tij, në kontratën e parë nuk është paraparë që metali do të shënonte rritje të madhe të çmimit në treg.

Ndërrimi i pritoreve është bërë në kuadër të planit të mobilitetit për Prishtinën, implementimi i të cilit përfshinë 102 masa me vlerë deri 200 milionë euro dhe afat deri në 12 vite.

Plani i mobilitetit i miratuar në ish-qeverisjen e kryetarit Shpend Ahmeti, sipas kryetarit Përparim Rama ka shumë mangësi dhe duhet të rishikohet.