Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Ndihmë mujore me 500 euro për viktimat e dhunës në familje, detaje nga Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës në fund të muajit janar të këtij viti hapi thirrjen për subvencionim deri në 500 euro në muaj për personat të cilët janë viktima të dhunës në familje.

Sipas të dhënave, për të përfituar nga kjo mbështetje, aplikuesit duhet të përmbushin këto kritere:

-Dokument i cili dëshmon se rasti është i hapur në polici apo te mbrojtësi i viktimave;

-Dokument i cili dëshmon se viktima ka paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtje dhe procesverbal apo vendim të gjykatës përkatëse; dhe dëshmi apo referim nga strehimorja (nëse është e aplikueshme) dhe konstatim zyrtar nga Qendra për Punë Sociale.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti për KALLXO.com deklaroi se janë munduar të eliminojnë mundësitë e keqpërdorimit me këtë ndihmë financiare.

Sipas saj, komisioni profesional do bëjë trajtim të çdo aplikimi lidhur me këtë ndihmë.

“Ne jemi munduar që të minimizojmë, në mos ta eliminojmë në tërësi keqpërdorimin eventual për përfitim. Përveç kësaj, pas një sërë kriteresh, është komisioni profesional i cili do të bëjë trajtimin e tyre me shumë kujdes”- ka thënë Adelinë Sahiti.

Sahiti tutje tha se dëshmia nga strehimorja është e referueshme vetëm në rastet kur personat dalin nga shtëpia dhe nuk i strehon askush.

“Kriteret bazë, që duhet doemos të plotësohen janë; Hapja e rastit në polici apo te mbrojtësi i viktimës; Urdhërin mbrojtës dhe konstatimin zyrtar nga menaxheri i rastit nga QPS. Dëshmia apo referimi nga Strehimorja bëhet vetëm atëherë kur është e aplikueshme, pra, vetëm atëherë kur viktima është e strehuar aty, përndryshe, nuk është valid si kriter”- shtoi ajo.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale potencoi se kjo ndihmë jepet 6 muaj deri në 2 vite dhe ndërpritet nëse ndryshojnë rrethanat.

Derisa, deri tani kanë aplikuar 7 persona.

“Kjo ndihmë mund të ofrohet në një afat prej 6 muajve dhe mund të vazhdohet më së shumti deri në 2 vjet. Kjo ndihmë mund të ndërpritet nëse ndryshojnë rrethanat sipas nenit 4, pika 2 dhe 3. Aktualisht janë 7 aplikime”- bëri të ditur Sahiti.