Mungesë kuorumi, projekt buxheti i Prishtinës për 2025 nuk arrin të dal në votim
Në mungesë të kuorumit pas braktisjes së seancës nga asamblistë të partive opozitare PDK dhe LVV, Kuvendi i Kryeqytetit që ishte mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për miratim të projekt buxhetit për 2025, nuk arriti ta hedh atë as në votim.
Buxheti për vitin 2025 për Prishtinën pritet të jetë 128 milionë euro, sipas prezantimit që bëri drejtoresha e financave, Valbona Makolli.
Derisa, partitë opozitare LVV, PDK akuzuan komunën se është shkelur ligji në mënyrën si është sjellë në Kuvend ky projekt buxhet dhe kërkuan që të thirret seancë e rregullt për diskutim.
“Sipas qarkores së Ministrisë së Financave, 128 milionë euro pritet te jete buxheti për vitin 2025, prej tyre granti qeveritar do jetë 31 milionë euro, granti i arsimit 27 milonë euro, granti për shënderësi 11 milionë euro, ligji për kryeqytetin 18 milionë euro dhe të hyrat vetanake 38 milionë euro”- bëri të ditur Makolli.
“Kjo vlerë është e shëprndarë në 5 kategori ekonomike: Paga dhe mëditje 42 milionë euro, mallra dhe shërbime 29 milionë euro, shërbime komunale 3 milionë, investime kapitale 48 milionë euro, subvencione 5 milionë euro”- shtoi me tej drejtoresha e Financave.
Ajo i bëri lutje të gjithëve që të lënë anash inatet politike dhe të votojnë këtë projekt buxhet pasi ka obligime që duhen paguar.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla u shpreh se është e papranueshme që votimi i këtij projekt buxheti erdhi përmes një séance të jashtëzakonshme.
“Dua të shpreh kundërshtimin e grupit tonë për mënyrën si është trajtuar ky buxhet që nga fillimi. Gjërat e rëndomta po bëhen të jashtëzakonshme, e tillë është vetëm tendenca e kësaj qeverie për ta kontrabanduar këtë projekt buxhet. Ne kemi pas vetëm 3 ditë kohë për ta analizuar”- u shpreh ai.
Sipas tij, qeverisja as nuk i konsultoi marrë parasysh se kanë nevojë për votat e tyre, derisa shtoi se ky projekt buxhet si i tillë përfaqëson interest e ngushta të kryetarit, Përparim Rama.
“Ekzekutivi duke ditur se nuk i ka votat për ta kaluar buxhetin, nuk e ka marrë fare mundin të na konsultojë gjatë përpilimit dhe as sot madje. Kjo është arrogancë e mungesë transparence e bashkëpunimi. Ky është buxhet i dikujt që tashmë ka harruar premtimet elektorale dhe zhvillimn e qytetit e koncepton për pasurim të shokëve e bashkëpunëtorëve”- shtoi ai.
Derisa, Leutrim Retkoceri nga PDK tha se ka shkelje ligjore nga ana e komunës në mënyrën si e ka sjellë këtë projekt buxhet para asamblesë.
“Pse është kjo seancë e jashtëzakonshme, a ka ndodhë naj vërshim. Asgjë nuk do ishte e jashtëzakonshme nëse ti kryetar do ishte në rregull. Është shkelur ligji për menaxhim të financave publike sepse kryetari pas miratrimit të propozimit buxhetit nga ai, është dashur t’ia sjellë kuvendit më së largu deri më 1 shtator”- tha Retkoceri.
Ai tha se si grup i PDK kanë disa kërkesa për këtë projektbuxhet.
“Ne si grup do e kishim përkrahur gjithmonë nëse do kishte planifikime të bazuara në nevoja elementare të qytetarëve. Nga ne nuk do keni mundësin e as besimin që të ndërtoni një buxhet shkel e shko. Të organizohen dëgjime me qytetarë për këtë projekt buxhet, dhe të thirret një seancë e rregullt për votim të buxhetit, pra të ketë transparencë”- u shpreh më tej Retkoceri, derisa më pas, grupi lëshoi sallën.
Kryetari Përparim Rama në replikë ndaj deklarimeve të opozitës përmendi disa prej projekteve që janë në këtë projekt buxhet por edhe vazhdimësi nga viti aktual. Derisa akuzoi edhe ministri të caktuara se i kanë bllokuar projektet, si ai për spitalin.
“Disa prej projekteve që janë vazhdim por edhe buxhetim janë: vazhdimi i Rrugës B, ndërtimi i Rrugës A, Sheshi ‘Xhorxh Bush’, nënkalimi në Rrugën Agim Ramadani. Pasnesër do kemi investitor serioz që kanë ardhur me projekte madhore për shumë pika që përmenden në buxhet. Por kemi edhe bllokada nga ministritë, ende nuk na kanë dorëzuar projektin për spitalin e qytetit, qe tri vjet jemi duke prit MKRS për projektin për lidhje të Arbërisë me Pallatin e Rinisë”- tha Rama.
Ai po ashtu potencoi se “nuk mund të zhvillojmë qytetin vetëm me fonde të komunës, kemi 48 milionë euro të ndara për investime kapitale, duhet bashkinvestime”- shtoi tutje Rama.