Foto: Ilustrim

Mungesa e bordit në OShP pezullon ndërtimin e shkollave në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka pasur në plan ndërtimin e 5 shkollave të reja gjatë këtij mandati. Edhe pse mandatit të kryetarit Shpend Ahmeti i ka ardhur gati fundi, asnjëra nga shkollat e planifikuara nuk ka filluar të ndërtohet.

Shkollat pritej të ndërtoheshin në lagjet: “Mati 1”, “Sofali”, “Veternik”, “Arbëri” dhe caktimi i një objekti për shkollën e muzikës “Prenk Jakova”.

Genc Bashota, drejtor i Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se Komiteti Ndërministror i Partnerëve Publiko-Privat ka aprovuar ndërtimin e këtyre shkollave, por procesi ka ngecur në faza të tjera të prokurimit.

“Komiteti ndërministror i Partnerëve Publiko-Privat(PPP) ka aprovuar ndërtimin e 4 shkollave me PPP vitin e kaluar në 2 lote: Loti 1 – “Veternik”, “Sofali”, “Mati 1” dhe Loti 2-“Arbëri”. Pas këtij vendimi Komuna e Prishtinës ka filluar procedurat për ndërtimin e tri shkollave (siç edhe është e paraparë me Ligjin e PPP”, ka thënë Bashota.

Sipas tij, procedurat e prokurimit kanë kaluar në dy faza, ku në fazën e parë janë përzgjedhur operatorët ekonomik që kanë përmbushur kërkesat.

Më 20 korrik, Komuna e Prishtinës e ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Tri Shkollave Të Reja, Sigurimi i Mirëmbajtjes dhe Ofrimi i Shërbimeve në Komunën e Prishtinës”.

“Janë pranuar 10 aplikacione, ku prej tyre 6 kanë përmbushur kërkesat për kualifikim”, ka thënë Bashota.

Kurse në fazën e dytë ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Bashota ka thënë se procesi ka ngecur në OShP pasi këta të fundit janë pa bord.

“Sa i përket fazës së dytë,  më  27.11.2020, është dërguar kërkesa për propozime gjashtë operatorëve ekonomik të kualifikuar. Kanë aplikuar tre operatorë. Më datë 15.04.2021 është publikuar njoftimi mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, pra është shpallur fituesi. Një operator ka parashtruar ankesë pranë Komunës dhe më pas ka vazhduar me ankesë pranë OSHP-së. Për momentin OSHP nuk ka bord, gjë që e ka pezulluar procesin”, ka theksuar Bashota.

Drejtori Bashota tutje shtoi se shpreson që ndërtimi i këtyre shkollave të fillojë brenda këtij viti, edhe pse nuk mund ta dijë saktë sa do të zgjasin këto ngecje që nuk janë në dorë të Komunës.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është pa bord që nga 30 marsi.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit me vendimin  e datës 30 mars 2016, ka emëruar kryetarin dhe dy anëtarë te Organit Shqyrtues te Prokurimit për një mandat pesë vjeçar, ashtu siç e parasheh Ligji për Prokurim Publik i Republikës së Kosovës, ku vendimi i lartcekur ka hyrë në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi.  Andaj duke pas parasysh faktin se me 30.03.2021, bordi ka mbushur pesë vjet nga emërimi i tyre ju sqarojmë se OSHP nga data 30.03.2021 është pa Kryetar dhe pa asnjë anëtar bordi”, është thënë për KALLXO.com në përgjigjen e OSHP-së.

Nga OSHP kanë thënë se ankesa e operatorit ekonomik për ndërtimin e shkollave në Prishtinë është pranuar më 29 prill të këtij viti.

“Për aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i tri shkollave të reja, Sigurimi i mirëmbajtjes dhe ofrimi i shërbimeve në Komunën e Prishtinës Republika e Kosovës”, ju njoftojmë se për ketë aktivitet të prokurimit OSHP me datën 29.04.2021 ka pranuar një ankesë nga një operator ekonomik ku për këtë ankesë është autorizuar eksperti shqyrtues dhe është lëshuar edhe raporti i ekspertizës”, thuhet tutje nga OSHP.

KALLXO.com ka njoftuar edhe vitin e kaluar lidhur me ndërtimin e këtyre shkollave ku komuna kishte ndarë mbi 10 milionë euro për ndërtimin e tyre.

Tutje nga OSHP theksohet se presin formimin e bordit për vendimmarrje lidhur me të gjitha ankesat e parashtruara nga operatorët ekonomik.

Mbi 100 tenderë kanë mbetur të pezulluar pasi bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e bizneseve.

Qeveria Kurti e ka anuluar konkursin e shpallur nga Qeveria Hoti dhe ka shpallur konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni.