Ministri Elbert Krasniqi dorëzon kallzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës dhe shefit të ‘Sport Marketing’ lidhur me tregun ‘Verë në Dimër’ dhe ‘Akull në Verë’

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore dhe në Polici ndaj Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryeshefit të NPL “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, lidhur me organizimin e tregut veror dhe dimëror “Akull në Verë” dhe “Verë në Dimër”.

Kështu ka bërë të ditur për Kallxo.com Arianit Abazi, këshilltar i lartë politik në MAPL.

Më 02.10.2024, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama kishte marr vendim përmes së cilit NPL ‘Sport Marketing’, ngarkohej  me organizmin me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tregut veror dhe dimëror “Akull në Verë” dhe “Verë në Dimër”.

Ky vendim më 22.10.2024, është vlerësuar nga MAPL si i kundërligjshëm.

“Në bazë të analizës ligjore nga MAPL, vendimi i ndërmarrë nga Kryetari z. Përparim Rama është kalim i kompetencës dhe është zbatuar pa pritur vlerësimin e ligjshmërisë nga MAPL. Për më tepër, Kryeshefi i NPL “Sport Marketing”, lidh kontratë me Momo Caffe and More SH.P.K, mbi një vendim të kundërligjshëm duke krijuar kështu pasurim të pabazë për Momo Caffe and More SH.P.K, si dhe dëmtim të buxhetit të komunës për shkak të kushteve të pafavorshme të kontratës në dobi të Momo Caffe and More Sh.P.K”- thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

MAPL më tej thekson se “Duke pasur parasysh pasojën e këtyre vendimeve nga Kryetari Rama dhe Kryeshefi Krasniqi, ministri Elbert Krasniqi u është drejtuar organeve kompetente lidhur për rastin në fjalë”.

Derisa, theksohet se MAPL ka ushtruar edhe padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Më 14.11.2024 Kallxo.com përmes një hulumtimi shpalosi se Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte nënshkruar një vendim me anë të të cilit ia ka miratuar kërkesën Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për të organizuar në sheshet e kryeqytetit tregun dimëror “Verë n’Dimër” dhe atë veror “Akull n’Verë”. 

Pas këtij vendimi, ndërmarrja kishte kërkuar ‘ndihmë’ nga një biznes për bashkëmenaxhim në organizimin e festivaleve. Mirëpo, pronari i kompanisë fituese dhe kryeshefi i ndërmarrjes rezultojnë të jenë miq të vjetër.

Tregu i fundvitit në kryeqytet është hapur më 01.12.2024 dhe do jetë i hapur për 45 ditë. Në tre sheshe janë vendosur 120 shtëpiza, qiraja për të cilat është 3,900 euro.

“Verë n’Dimër”: Si u lidh kontrata me pronarin e kompanisë që ka afërsi me kryeshefin e ‘Sport Marketingut’?