Foto: Medina Braha/Facebook

Metrobusi propozohet si formë transporti në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë

Komuna e Prishtinës ka hyrë në vitin e tretë të implementimit të planit të mobilitetit, në total ky plan do marr kohë 12 vite.

Pjesë e këtij plani është edhe transformimi i formës së transportit me linjat e autobusëve.

Para disa ditësh komuna ka propozuar metrobusin si zgjidhje të mundshme në rrugën që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Shërbimeve Publike, Medina Braha pas takimit me konsulentë nga Banka Botërore.

“Jemi takuar me konsulentët nga Banka Botërore lidhur me projektin e Menaxhimit të Integruar të Koridorit – Integrated Corridor Management (ICM). Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e transportit publik në korridorin M9 që lidhë Prishtinën me Fushë Kosovën”, ka thënë Braha.

Braha potencon se, si drejtori kanë propozuar metrobusin si zgjidhje të mundshme dhe të dobishme nëse parallogaritjet tregojnë fizibilitet të këtij modeli.

“Si Drejtori e Shërbimeve Publike propozuam metrobusin si zgjidhje të mundshme dhe të dobishme nëse parallogaritjet tregojnë për një fizibilitet të këtij modeli”, është shprehur tutje Braha.

Foto: Medina Braha/Facebook

Në draft dokumentin e hartuar për planin e mobilitetit, tek linja që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën theksohet se në atë zonë ka potencial edhe për transport “mbi shina”.

“Ka potencial për zhvillimin e një linje të re të transportit publik “mbi shina” (Light Rapid Transit – LRT), duke rehabilituar hekurudhën ekzistuese nga Fushë Kosova deri në Prishtinë, duke zgjatur linjën në veri të qytetit afër ‘Lidhja e Lezhës’, ‘Vëllezërit Fazilu’,  ‘Ilir Konushevci’ apo edhe më tej në veri”, thuhet në dokumentin e planit të mobilitetit.

Komuna e Prishtinës gjatë këtij viti ka ndarë 1 milion euro për planin e mobilitetit, ndërsa projekti i propozuar nga ana e komunës për metrobus nëse aprovohet, pritet të kryhet edhe më anë të kredisë nga Banka Botërore.

Përpos kësaj, për transportin, nga dhe për Fushë Kosovë është propozuar shtim i ndonjë linje deri në lagjen Veternik, kështu do bëhej lidhje e dy vendeve të cilat kanë  zona industriale në rritje.