Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Matja e premtimeve të Ferit Idrizit në siguri publike

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, derisa kandidonte për kryetar të Vushtrrisë, thoshte se problemin e sigurisë publike do ta koordinojë me institucionet qendrore, për pjesën që iu takon atyre.

Ai premtonte se do të merrej me qentë endacakë, si një nga problemet kryesore të sigurisë publike në komunën e Vushtrrisë.

“Problemin e sigurisë do ta koordinojmë me institucionet qendrore, pjesën që iu takon institucioneve qendrore. Këtë pjesën që iu takon institucioneve lokale ne e marrim përsipër edhe për menaxhimin e qenve endacak. Këtu do të bashkëpunojmë edhe me komunat që kufizohemi, sepse është një problem që ata lëvizin. Do të ndajmë fonde më tepër për menaxhimin e tyre, përmes kompanive që e bëjnë menaxhimin e tyre”, kishte premtuar Idrizi.

Rreth 9 muaj pas zgjedhjes në krye të Vushtrrisë, Idrizi thotë se gjendja me sigurinë publike në komunën e tij është e menaxhueshme.

Ai thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe Komitetin për Siguri në Bashkësi.

“Gjendja e sigurisë publike në përgjithësi është e menaxhueshme, ka raste që janë më shqetësuese, por në përgjithësi është e menaxhueshme, edhe jemi në kontakt edhe me Policinë edhe me Komitetin për Sigurinë në Bashkësi. Por këto tema i trajtojmë edhe në kuadër të takimeve të rregullta që i kemi me drejtori, veçanërisht me Drejtorinë e Arsimit” – ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Në lidhje me ekstremizmim, Idrizi bën të ditur se deri më tash si komunë gjatë mandatit të tij nuk ka pasur asnjë rast të kësaj natyre.

“Sa i përket asaj me ekstremizëm, me thonë të drejtën nuk e kemi pasur asnjë rast deri më tash të çështjeve ndërfetare që ka qenë ndonjë incident ose ndonjë konflikt dhe shpresojmë që mos me pasë”- tha ai. 

Por për këtë temë, Ferit Idrizi ka themeluar Komitetin për Siguri në Bashkësi dhe aty marrin pjesë disa faktorë.

“Ne e kemi themelu Komitetin për Siguri në Bashkësi, edhe mbajmë takime të rregullta. Aty e kemi komandantin e stacionit policor, i kemi kryetarët e komuniteteve fetare, kryetarin e Bashkësisë Islame, është edhe kjo Bashkësia Protestante. Deri tash nuk na u ka bashkangjit kryetari i Kishës Ortodokse që është në Vushtrri” – bën të ditur Idrizi.

“Ne aty i trajtojmë të gjitha temat, sigurinë, përdorimin e narkotikëve, e armëmbajtja nëpër shkolla. Deri tash jemi në nivel shumë të mirë, sa i përket ekstremizmit, radikalizmit edhe terrorizmit nuk është parashtru as edhe një rast që ka pasur diçka të ngjashme. Deri tash situata është nën kontroll, domethënë nuk kemi pasur diçka të tillë për me e trajtu edhe me u marrë me to”- shtoi ai. 

Por që deri tash, prej që është zgjedhur kryetar i komunës, nuk është organizuar ndonjë tryezë diskutimi që ka pasur për temë radikalizmin dhe ekstremizmin.

Sipas Idrizit, kjo ka ndodhur se nuk ka pasur “këso telashe”.

“Jo nuk ka pasur këso telashesh, telashet më të mëdha i kemi me përdorimin e narkotikëve dhe armëmbajtjet pa leje. Këto probleme i kemi trajtu, edhe jemi në koordinim me Komitetin, që do ta shtrijmë aktivitetin edhe me komunitetin e prindërve” – thekson ai.

Komuna e Vushtrrisë në bashkëfinancim me Bankën Botërore në maj të këtij viti ka ndarë rreth 250 mijë euro për nëngrante, për projektin ‘Komuna për të rinjë’, që ka për qëllim aftësimin e të rinjëve.

Ndërsa në lidhje me sigurinë publike, në qershor të këtij viti janë aktivizuar 18 kamera të sigurisë në pjesët më të frekuentuara të qytetit.

Kurse në lidhje me qentë endacakë, që kryetari Ferit Idrizi në ‘Debat Pernime’ gjatë fushatës për zgjedhjet lokale e konsideronte si një problem të komunës, që nga fillimi i vitit, Komuna e Vushtrrisë ka mundësuar që për gjithë pronarët e qenve të bëjnë kastrimin – sterilizimin falas, duke tentuar që të mos rritet numri i qenve endacakë nëpër rrugët e qytetit.

Por një çështje tjetër e komunës, sipas Idrizit vazhdon të jetë problem – ai i mungesës së psikologëve nëpër shkolla. Aktualisht komuna ka mungesa të tilla, por Idrizi premton se shumë shpejtë do të zgjidhet.

“Po kemi mungesë të psikologëve, ne tash me strukturën e re po mendojmë me marrë psikologë edhe me Drejtorinë Komunale të Arsimit, edhe me disa shkolla që kanë numër më të madh të nxënësve” – ka thënë ai për KALLXO.com.