Projekti i papërfunduar mbi lumin Mirusha, Foto: KALLXO.com

Lutfi Haziri e quan të përfunduar 'Legjendën e Mirushës', qytetarët mbyllin dritaret nga era e kanalizimit

Në zgjedhjet e vitit 2017, kur Lutfi Haziri kandidonte për të marrë pozitën e të parit të Gjilanit për herë të dytë me radhë, ai kishte premtuar që projekti i lumit Mirusha do të përfundonte në vitin 2018.

Por edhe pse kanë kaluar rreth 2 vjet prej kur Haziri kishte thënë se ky projekt do të përfundonte, qytetarët e Gjilanit ende nuk po ia shohin fundit. Qytetarët që jetojnë afër këtij lumi në rrugën qarkore në Gjilan ende duhet të durojnë erën e rëndë që vjen në këtë lum nga derdhja e kanalizimit.

Por, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se ai e konsideron të përfunduar projektin e Mirushës.

“Është e kryme për mua, Mirusha është e mbyllur si problem. Është shtri rrjeti i tretmanit të ujërave të zeza, ujërat atmosferik janë nda prej ujërave të zeza, ka mbet aksi te rruga qarkore pa u mbyllë, që është çështje e pronave”, ka deklaruar Haziri.

Në vitin 2012 është nënshkru kontrata për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Gjilan. Projekti në total ka kushtuar 3.7 milionë euro, duke llogaritë edhe dy kontratat tjera për rregullim e sheshit. Por, 8 vjet pas nënshkrimit të kontratës së parë, punimet ende nuk kanë përfunduar.

Në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Komunën e Gjilanit, Auditori ka gjetur se ka pasur ndryshime mes punëve që janë kontraktuar dhe atyre që janë realizuar në teren.

Si rezultat i vendimit të Kuvendit Komunal punët e shtratit dhe kanalizimit ishin të kontraktuara në vlerë 1,818,730.00 euro ndërsa janë ekzekutuar 538,189.00 euro apo 70% më pak, punët e mbulimit në kanalizim ishin të kontraktuara 389,088.00 euro ndërsa janë realizuar 1,208,033.00 euro, apo 210% me shumë.

 

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’i përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOm do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.