Ramiz Lladrovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lladrovci: Unë nuk i ndjekë politikat e PDK-së, por ia zdriti fytyrën

Vendimi i Komunës së Drenasit për mbylljen e tri shkollave në fshatrat Abri e Epërme, Gjergjicë dhe Godanc ka nxitur reagim mes kryetarit Ramiz Lladrovci dhe asamblistët opozitar.

Në kuadër të reportazhit “Zëri i qytetarit” që u transmetua në emisionin “Jeta në Komunë” qytetari i Drenasit ka kërkuar hapjen e shkollës në fshatin Abri të Epërme.

Ndërlidhur me këtë temë u përmend fakti që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli për mbylljen e shkollave në Kamenicë kishte thënë në këtë qytet se ata nuk mbyllin shkolla.

Lladrovci tha se ai nuk i ndjek politikat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Unë nuk i ndjeki politikat e Partisë Demokratike, unë ia ndriti fytyrën me punë. Dhe kjo u kanë puna jem”, u shpreh i pari i Drenasit.

Asamblisti Berisha e pyeti kryetarin se përse nuk i ka mbyllë shkollat tjera që i kanë pas numër më pak se shkollat qe i ka mbyll?!

“Pse nuk po e zbaton kriterin e njëjtë edhe në Likoshan që ka numër më të vogël”, u shpreh ai.

Lladrovci u kundërpërgjigj duke thënë se asamblisti nuk po e din të dallojë ndarjen e paraleles me shkollën.

“A e din çka është paralele e shkollës të një fshati dhe shkollë e një fshati. Kur të mësohesh me i dallu këto ta jepi përgjigjen”.

Njëjtë edhe asamblisti i AAK-së, kritikoi Lladrovcin për mbylljen e shkollave disa ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Asamblisti Beqir Kiqina tha se shkolla u mbyllë me 120 nxënës e u hap me 85 nxënësa.