Ramiz Lladrovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Biznesmeni që i fitoi 20 tenderë në Drenas, Lladrovci: A e din çka dmth rreziku i riskut!?

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është i ftuari i radhës në debatin ‘Jeta në Komunë’, përballë gazetares Jeta Xharra.

Lladrovci në fillim të debatit është pyetur për tenderët e shumtë që kjo komunë ia dha dy kompanive për një periudhe të shkurtë.

Përveç kësaj, Lladrovci u pyet edhe për fotografinë e tij në një kafe me Mehdi Gjokën, biznesmeni që fitoi 20 tenderë për 15 muaj në komunën e tij.

I pari i Drenasit u arsyetua se nuk i jep ai tenderët, duke shtuar se ka të drejtë të pi kafe me kë të dojë.

“Ligji nuk ma lejon që me dhanë unë tendera. Zyra e prokurimit lidh marrëveshje në bazë të specifikave dhe çmimit që ofertojnë. Nuk fitohen tenderët me çmimin ekonomikisht me të mirë, po më të lirë”, tha ai.

“Unë edhe me qytetarët e mi pi kafe, se nuk jemi në komunizëm qe me m’tregu dikush se me kë pi kafe, e më kë jo… Tenderët unë as nuk i jepi, e nuk mundet me ma ndalu askush me kanë me nejtë e me pi kafe, nuk i këqyri unë kush i merr tenderat, po cilësinë e punës, edhe punët qysh i bën dhe a e respekton qat kontratë që e ka nënshkru”, shtoi Lladrovci.

Ai deklaroi që janë duke bërë zvogëlim të dhënieve të kontratave në mënyrë që për një rrugë të shkurtër mos të jepet tender i posaçëm.

 

Hulumtimi i KALLXO.com në muajin janar 2020 kishte shfaqur se Kompania “Fer-Petroll” është treguar shumë e suksesshme në secilin tender që ka aplikuar në Komunën së Drenasit që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së. Kjo kompani brenda 15 muajve (shtator 2018 – nëntor 2019) i ka fituar 20 tenderë nga komuna e Drenasit, në shumën totale prej 1 milion e 522 mijë euro. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.

Pronar i kompanisë ‘Fer Petroll’ është Mehdi Gjoka. Ai ka publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ një fotografi me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin. Fotografia është publikuar në prill të vitit 2019.

Ndërkaq, tjetri hulumtim i muajit tetor 2020, kishte zbardhur se Kompania “N.N.T Milazim Shala” është një kompani tjetër e suksesshme në Drenas. Kjo kompani ka fituar të paktën 29 kontrata e aneks-kontrata nga Komuna e Drenasit në vlerë prej 1,7 milionë euro. Kjo kompani i ka fituar këta tenderë nga komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci që nga viti 2018. Tenderët e fituar nga kjo kompani kishin të bëjnë me asfaltimin e rrugëve, grumbullimin e mbeturinave, kanalizim e kolektorë.