Komuna e Prishtines

Lista e gatshme e artikujve nga shujta prej 300 euro për punëtorët e komunës, këta të fundit thonë se nuk u lejuan të zgjedhin produktet që u nevojiten

Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës më 10 nëntor ka miratuar kërkesën e Sindikatës së Shërbyesëve Civil të Komunës për pagesë të shujtave ushqimore për vitin 2020.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se Sindikata kishte kërkuar deri në 500 euro si shujtë vjetore për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rritjes së çmimeve, por komuna, sipas tij, ka kapacitet të ndajë deri në 300 euro në vit për mbi 400 punëtorë të administratës.

Ahmeti në seancën e Kuvendit ka thënë se, paratë për shujta nuk mund të alokohen si mjete financiare pasi këtë lloj pagese nuk e lejon ligji.

Zgjidhja që kishte bërë kabineti i kryetarit ishte që pagesa të bëhej me blerjen e pakove ushqimore.

Disa javë më pas, kërkesa e miratuar në Kuvendin Komunal filloi edhe implementimin, ku komuna ka hartuar një listë me produkte që mund të blihen në vlerë të 300 eurove.

Punëtorë të komunës, të cilët kanë dashur të mbesin anonim, për KALLXO.com kanë deklaruar se nuk u është lejuar që të zgjedhin vetë se çfarë duan të blejnë me ato 300 euro, por u është dhënë një listë e gatshme e produkteve.

Lidhur me këto ankesa të punëtorëve të komunës, nënkryetari i komunës, Muhedin Nushi ka thënë se lista e hartuar nga komuna përfshinë produktet më të nevojshme që i përkasin listës esenciale të mallrave.

“Lista përfshinë produktet më të nevojshme për të siguruar aktivitetin e plotë jetësor të një qytetari të vendit tonë, në këtë rast të qytetarit të Prishtinës. Në listë janë gjithsej 36 produkte esenciale nga grupi i artikujve ushqimor, atij higjienik si dhe nga kategoria e ujit dhe pijeve joalkoolike. Prandaj, artikujt të cilët janë përfshirë, i takojnë listës se mallrave esenciale për shoqërinë(punëtorët) e Komunës”, ka thënë Nushi.

Muhedin Nushi tutje potencoi se kjo lloj pagese në formë të pakos ushqimore po bëhet për herë të parë nga ana e komunës.

Kjo pagesë e shujtës  për vitin 2020 prek mbi 400 punëtorë të komunës, për këtë komuna ka ndarë 240 mijë euro (mjete të lira nga drejtoria e shëndetësisë) që do destinohen në blerje të artikujve ushqimor.

Në Kuvendin Komunal është potencuar se komuna ka shumë punëtorë nëpër kontrata të ndryshme me kompani private, prandaj ishte propozuar që të paguhen ata që kanë kontratë me komunën (punëtor të rregullt të komunës) e jo kompanitë private.