Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lipjani mes sukseseve dhe problemeve në mandatin e dytë të Imri Ahmetit

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti udhëheq komunën në mandatin e tij të dytë, teksa besimin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit lokale, e mori pa balotazh ndaj katër kundërkandidatëve të tjerë.

Pas tri viteve në pushtet që nga marrja e mandatit të kryetarit të komunës më 2017-n, Imri Ahmeti në emisionin “Jeta në Komunë” prezantoi sukseset e tij gjatë kësaj kohe, përderisa u sfidua edhe me premtimet që ua kishte dhënë lipjanasve.

Përveç projekteve të mëdha e të suksesshme në Lipjan siç është ndërtimi i stadiumit modern, sheshit “Adem Jashari” dhe shtegut të ecjeve dhe biçikletave, qytetarëve iu premtua që shumë shpejt do t’u mundësohet interneti pa pagesë në parqe.

Shtegu i ecjeve dhe biçikletave në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Mes tjerash në debatin për Lipjanin u treguan edhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e kësaj komune, si mungesa e ujit e kanalizimit, e trotuareve dhe rrugëve, e mungesës së punësimit.

Jeta në Komunë, Lipjan. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në studio gjithashtu kanë qenë prezent edhe asamblistët, Lulzim Rrustemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shkëlzen Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV)  dhe Ramiz Qeriqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Pjesë e debatit ishin edhe Lulzim Qerimi, nënkryetari i komunës për komunitete nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), si dhe Bekim Krasniqi, nga organizata Youth Association for Human Rights (YAHR).

Gjithashtu virtualisht përmes platformës “Zoom”, pjesë e debatit ishin edhe asamblistët, Argjend Tasholli nga PDK-ja, Albulena Kelmendi nga LVV-ja dhe  Lumturie Bytyqi – Hasani, po ashtu nga PDK.

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Lipjanit, Shkëlzen Bislimi e ka krahasuar qeverisjen e ish-kryetarit të komunës, Shukri Buja (PDK) me atë të kryetarit aktual, Imri Ahmeti (LDK).

Shkëlzen Bislimi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Kur është ndërruar pushteti në Lipjan, qytetarët e kanë mirëpritur, por krejt çka është parë, është ndërruar veç emri i kryetarit të komunës, ka shku Shukriu, ka ardh Imriu. Metodat janë të njëjtat”, theksoi asamblisti opozitar.

Storia e suksesit për Lipjanit flet rreth Klubit të Futbollit “Arbëria”, i cili është shndërruar në krenarinë e komunës së Lipjanit.

Klubi që dikur ishte një shkollë e vogël futbolli e stacionuar në fshatin Dobrajë e Madhe, sot ka arritur suksese duke u futur në Superligën e Kosovës dhe duke i sfiduar ekipet tjera të mëdha.

Klubi i Futbollit “Arbëria” gjatë stërvitjeve, Foto: KALLXO.com

Trajner i KF “Arbëria” Arbnor Morina ka folur rreth sukseseve të klubit.

“Klubi i Arbërisë jo vetëm që është inkuadruar në Superligë, por edhe kah ana organizative po tregon që po  shkon pas hapave të sigurt që të shndërrohet në një klub të madh stabil dhe klub i cili do të jetë i dëshiruar për të gjithë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Labinot Ibrahimi, kapiten i klubit ka treguar se cilat janë qëllimet e tyre.

“Arbëria nuk ka hy në Superligë vetëm sa për të hy dhe për të dalë si ekipet tjera. Arbëria ka një projekt të cilin do e vazhdojmë me presidentin dhe besoj që me rezultatet dhe me punën të cilën jemi duke e bërë, besojmë që do ta arrijmë suksesin”, tha ai.

Ballafaqimi me premtimet

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti është ballafaquar me premtimet që i ka dhënë në dy mandatet e fundit.

Ahmeti ka arritur që t’i përmbushë disa premtime, për disa të tjera nuk ka arritur ta mbajë fjalën, si dhe për premtime të caktuara, KRYPOMETRI do të vazhdojë t’i masë nëse Ahmeti do t’i përmbushë deri në fund të mandatit të tij.

Ahmeti më 2017 në DebatPernime kishte premtuar ndërtimin e gjashtë çerdheve në Lipjan, por deri tash Lipjani ka dy çerdhe publike dhe planet janë për ndërtimin e tri çerdheve.

Imri Ahmeti pati premtuar se do të rregullojë kanalizimin në gjithë territorin e komunës  si dhe do ta heq bërllokun. Megjithatë, të dhënat tregojnë se në këtë komunë, janë 10 deponi ilegale të bërllokut, si dhe 8 nga 57 vendbanimet nuk kanë ende kanalizim.

Deponia e bërllokut në fshatin Poturovc të Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Lidhur me këtë çështje, Ahmeti në “Jeta në Komunë”, ka theksuar se nga statuti i komunës  duhet të hiqen fshatrat që s’janë të komunës së tyre, si dhe kërkoi ndihmën e asamblesë komunale.

I pari i Lipjanit, nuk kishte dhënë premtim specifik se sa gra do t’i emërojë drejtoresha në komunë, ndërkaq aktualisht katër nga trembëdhjetë drejtoritë udhëhiqen nga gratë.

Ahmeti ka mbajtur premtimin për subvencionimin me mekanizëm bujqësor për sektorë të ndryshëm, pasi që të dhënat tregojnë se në vitin 2018 dhe 2019 janë ndarë 273 serra, 136 kultivatorë dhe 55 qytetarë kanë përfituar arka për bletë.

Ai ka mbajtur fjalën gjithashtu për funksionalizimin e zyrës për promovimin e investimeve.

2017-ën, kryetari pati deklaruar se në fshatin Janjevë ka ujë të pijshëm, por banorët thonë se nuk kanë ujë, ndërsa komuna i quan reduktime.

Për këtë temë, kryetari i komunës tha se në Janjevë ka reduktime.

“Në Janjevë ka reduktime dhe nuk janë të vogla. Merrne parasysh një situatë që komunat nuk kanë kompetenca shumë në ujësjellës dhe është pak e vështirë për të gjithë kryetarët”, tha ai.

Imri Ahmeti e ka përmbushur premtimin për renovimin e shkollës në fshatin Smallushë, ndërkaq “hetimet do të vazhdojnë” për premtimin e tij për  internet falas në parqet dhe vendet e qëndrimit në qytet.

Kryetari i Lipjanit ka mbajtur premtimin për ndërtimin e një fushe të hapur sportive në shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan.

Qeverisja me zyrtarë me aktakuza

Një drejtor i Komunës së Lipjanit, si dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë janë me aktakuza.

Drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi akuzohet për cënimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, kurse drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Rasim Hasani akuzohet për kanosje.

Për rastin e drejtorit të QKMF-së, Agim Krasniqi, Ahmeti tha se nuk ka të bëjë me aktakuzë me marrëdhënie të punës.

“Ka aktakuzë të marrëdhënieve personale të njerëzve, duhet me i dallu gjanat. E dyta, gjithkush është i pafajshëm deri në vërtetimin e pafajësisë dhe e treta, unë nuk e kam pru atë drejtor, qaty e kam gjet, e kanë kthy organet e drejtësisë në marrëdhënie pune dhe unë i zbatoj vendimet”, tha ai.

Ndërkaq, për rastin e drejtorit komunal Rasim Hasani, i pari i komunës, Imri Ahmeti tha se duhet të shihet a do te hidhet poshtë aktakuza.

“Në çështje personale  të njerëzve nuk është mirë me u lëshu. Janë çështje private krejt. Lidhje s’ka me marrëdhënie pune ajo punë”, tha ai.

I pyetur nëse premtimi i shkallës së parë tregon se këta dy drejtorë janë fajtore, a do të shkarkohen, Ahmeti premtoi se do t’i largojë nga puna.

“Shkojnë prej shpije automatikisht”, premtoi ai.

Prokuroria Themelore në Prishtinë , në një përgjigje për KALLXO.com më 13 tetor 2020, ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës kundër personit me inicialet A.K., në drejtim të veprës penale “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”, po ashtu, ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet R.H., në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

Edhe  Gjykata Themelore e Prishtinës, më 13 tetor 2020 në një përgjigje për KALLXO.com ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan me datë 12.03.2020 ka pranuar aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të akuzuarin A.K. për veprën penale “Cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

Ndërsa, sipas tyre,  me datë 20.05.2020 është pranuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të akuzuarin R.H për veprën penale “kanosje”.

“Po ashtu ju informojmë se palëve iu është dorëzuar aktakuza nga ana e gjykatës, ndërsa veprime tjera nuk janë ndërmarr ngase ende janë duke u trajtuar lëndët  penale të vitit 2018 dhe 2019, andaj pritet që së shpejti të caktohen seancat fillestare lidhur me këto dy çështje penale”, thuhet në përgjigjen e gjykatës më 13 tetor 2020.

Drejtorët politikë të shkollave të Lipjanit

Në debatin “Jeta në Komunë” me kryetarin e Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, janë transmetuar bisedat me pesë drejtorë të shkollave të kësaj komune, të cilët i shfrytëzojnë profilet e tyre në Facebook, për të promovuar LDK-në, pjesë e së cilës është Imri Ahmeti.

Disa prej drejtorëve, e kanë konfirmuar për KALLXO.com se janë anëtarë të LDK-së.

Lidhur me këtë çështje, kryetari Imri Ahmeti tha se nuk mund t’ia mohojë askujt të jetë anëtar i një partie politike.

“Duhet pranuar një fakt, asnjë prej këtyre drejtorëve, edhe prej të tjerëve nuk është anëtar i kryesisë së LDK-së, dega në Lipjan. Anëtar mund të jetë, nuk mund t’ia mohosh askujt. Ka edhe të PDK-së që hala i kam drejtora, edhe s’merrna me atë punë”, tha ai.

I pari i Lipjanit tha se nuk mendon që është mirë që drejtori i shkollës e shfrytëzon Facebook-un për ta promovuar partinë.

“Një rast e di që i kam thënë një djalit, një drejtori t’u kisha lutë mos u merr shumë me politikë por kryj punt e tua. Këtë e di saktë. LDK-në e ka shpërnda. Dikush t`u u mundu me t’bo shumë hajr, veç dëm t’bon. Ka disa njerëz që nuk mujnë me nejt edhe bash bash krejt qetë”, theksoi Ahmeti.

Drejtori i shkollës fillore “Ismail Luma” në Lipjan Driton Sadiku, ka thënë për KALLXO.com se është pjesë e LDK-së.

“Çka të intereson? Kam qenë, po po. Nuk e di tash strukturat ata a kanë ndryshu a najsen. Jom pjesë e asaj, nuk është diçka që s’jam”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i shkollës fillore “Ernest Koliqi” në Babush të Muhaxherëve, Fadil Sylejmani e ka pranuar që është anëtar i LDK-së.

“Pse? Normal. Jo, jo, i thjeshtë, i thjeshtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i shkollës fillore “Haradin Bajrami” në Magurë, Shaip Fazliu ka thënë për KALLXO.com se po mundohet të jetë neutral.

“Jo, jam kanë i PDK-së, tash s’jom mo. I LDK-së, PDK-së, tash neutral po mundohem me kanë, se në shkollë po duhet me kanë qashtu i paanshëm. Për besë veç që po punon mirë, qata se kurrfarë anëtarësie tjetër jo”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës fillore “Skënderbeu” në Kraishtë, Ismet Dedushi tha se nuk është pjesë e asnjë partie, por në Facebook ka shpërndarë postime lidhur me LDK-në.

“Unë nuk jam në asnjë parti vallai  unë jam apolitik. Unë jam simpatizant për punët që i ka kryer dhe i kam respektuar për hapat që i ka marrë”, është shprehur Dedushi.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Hasan Zyko Kamberi” në Sllovi, Qazim Salihu thotë se e përkrahë vetëm punën në shkollën e tij.

“Jo, unë nuk jam anëtar aty, i asnjë partie politike hiç. Jo, unë i përkrahi veç punët që i kryen në shkollën tem edhe naj projekt për shkolla që ka të bëjë”, ka thënë ai.

Në debat, mes tjerash u diskutua edhe për problemet në shëndetësi dhe fusha të tjera.